Bazuar në të dhënat nga Expedia, Hotels.com e Vrbo, si dhe një anketë me 26 mijë udhëtarë në 16 vende, raporti “Unpack ’27” ka identifikuar pesë tendencat kryesore të turizmit për vitin 2027.
Në vitin 2027, udhëtarët do të kërkojnë përvoja më personale dhe kuptimplota, tha Ariane Gorin, CEO e Expedia Group.
Pesë tendencat e turizmit për 2027-ën
Rikthimi në fëmijëri
Turistët do të kërkojnë gjithnjë e më shumë përvoja nostalgjike, duke zgjedhur parqe argëtimi dhe aktivitete që i rikthejnë në fëmijëri.
Rreth 57% e udhëtarëve planifikojnë pushime të tilla, ndërsa përqindja arrin në 71% te brezi Z dhe mijëvjeçarët. Ndër destinacionet kryesore janë Disneyland Tokyo dhe Park Xcaret në Meksikë.
Udhëtime të shkurtra dhe spontane
Tendenca “trip snacking” përfshin udhëtime të shkurtra, shpesh vetëm një natë, mes pushimeve më të gjata.
Rreth 79% e udhëtarëve planifikojnë të rezervojnë qëndrime një natë gjatë vitit të ardhshëm. Kërkimet për këto rezervime në Hotels.com janë rritur me 10%.
Pushime në kështjella dhe hotele gotike
Interesi për arkitekturën gotike është rritur, i nxitur edhe nga filmi “Wuthering Heights”.
Rreth 56% e turistëve kanë rezervuar hotele për atmosferën dhe estetikën e tyre. Nga këta, 65% shprehin interes për hotele gotike dhe kështjella historike.
Sipas Hotels.com, kërkesa për qëndrime në kështjella është rritur me 20% në një vit.
Pushime të lidhura me hobet
Turistët po zgjedhin gjithnjë e më shumë pushime të organizuara rreth interesave personale, si fotografia, aktivitetet krijuese, lojërat tradicionale dhe kërkimi i antikave.
Destinacione të fshehura larg bregdetit
Një tjetër tendencë është rritja e interesit për destinacione më pak të njohura, në brendësi të territorit dhe larg zonave tradicionale bregdetare. / Monitor