LIVE-Tirana në kaos, protestuesit djegin institucione shtetërore dhe private, policia hedh gaz lotsjellës

15 Tetor 2026 | 08:43

Studentët dhe gjimnazistët kanë hyrë në ditën e tretë të protestës, e cila po përhapet edhe në qytete të tjera të vendit. Përplasjet me policinë, bojkoti i mësimit dhe dëmtimet e regjistruara gjatë dy ditëve të fundit kanë shoqëruar protestën, ndërsa kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë nga ambientet e dëmtuara të Kolegjit të Europës në Tiranë, duke akuzuar opozitën për dhunën dhe paralajmëruar përgjegjësi ligjore.

Seanca plenare e Kuvendit, e planifikuar për orën 10:00, është anuluar, ndërsa deputetët janë larguar nga godina, e cila ishte rrethuar nga forca të shumta policie në pritje të protestës së paralajmëruar nga studentët. Protestuesit janë mbledhur pranë Ministrisë së Arsimit dhe Kuvendit, ndërsa situata është përshkallëzuar sërish në Rrugën e Durrësit, ku policia ka përdorur gaz lotsjellës, duke bërë që studentët dhe gjimnazistët të tërhiqen drejt sheshit “Skënderbej”.

Ndërkohë, protesta është shtrirë edhe në Korçë, ku të rinjtë kanë bllokuar bulevardin kryesor dhe janë drejtuar drejt Bashkisë, duke hedhur kapsolla. Më pas, situata është tensionuar pranë Drejtorisë Arsimore, ku janë thyer xhamat e godinës dhe janë hedhur sende në drejtim të saj. Policia ka ndërhyrë edhe pas tentativës së protestuesve për t’u futur në një gjimnaz.

Bojkoti i mësimit vijon edhe në Tiranë, ku gjimnazistët e “Petro Nini Luarasit” janë bashkuar me protestën, ndërsa nxënës në Kamëz kanë braktisur orët mësimore. Në Shkodër, studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja kanë bojkotuar sërish mësimin dhe kanë vendosur pankarta në shenjë solidariteti me protestuesit në kryeqytet.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se 89 persona kanë marrë kujdes mjekësor pas protestës së djeshme: 61 efektivë policie dhe 18 protestues në Spitalin Universitar të Traumës, si dhe 10 pacientë në QSUT. Në Traumë vijojnë të jenë të shtruar katër policë dhe dy protestues, ndërsa një protestues dhe dy efektivë pritet t’i nënshtrohen ndërhyrjeve mjekësore. Dhjetë pacientët e trajtuar në QSUT janë larguar nga spitali.

Në reagimin e tij, Rama e cilësoi godinën e dëmtuar të Kolegjit të Europës si simbol të asaj që po ndodh në vend dhe deklaroi se aktet e dhunës, sipas tij, nuk përfaqësojnë studentët, por opozitën. Kreu i qeverisë u shpreh i gatshëm për dialog me të rinjtë, ndërsa paralajmëroi se kushdo që ka shkaktuar dëme do të përballet me ligjin. Ai akuzoi gjithashtu opozitën se synon ta largojë Shqipërinë nga rruga europiane.

Nga ana tjetër, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka deklaruar mbështetjen për studentët dhe gjimnazistët, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë Rama, krijimin e një qeverie kujdestare dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, të lira dhe të ndershme. PD ka kërkuar gjithashtu shpërndarjen e Parlamentit aktual, duke pretenduar se nuk mund të ketë normalitet parlamentar përballë krizës politike dhe shoqërore.

Edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka dënuar përshkallëzimin e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private, duke u bërë thirrje protestuesve të shmangin aktet e dhunshme. BE-ja ka theksuar se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe se dialogu konstruktiv është rruga për adresimin e shqetësimeve.

Ndërkohë, për arsye sigurie, UEFA ka vendosur që ndeshja Egnatia–Midtjylland, e vlefshme për fazën e ligës së Conference League, të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, në vend të stadiumit të planifikuar në Tiranë. Takimi do të luhet në orën 18:45, siç ishte parashikuar.

Dita e tretë e protestës studentore zhvillohet kështu mes bojkotit të mësimit, përhapjes së protestave në qytete të tjera, përplasjeve me policinë dhe përballjes politike mes qeverisë dhe opozitës. Pas anulimit të seancës plenare dhe përshkallëzimit të situatës pranë Ministrisë së Arsimit, mbetet për t’u parë se si do të vijojnë protestat dhe nëse institucionet do t’u përgjigjen kërkesave të të rinjve.

57 Updates
17:30

Tensione në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, policia hedh gaz lotsjellës, protestuesit kundërpërgjigjen me gurë

Vijon situata e tensionuar në Tiranë, ndërsa ora shënon 17:30. Protestuesit janë mbledhur në grupe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku forcat e policisë kanë hedhur gaz lotsjellës. Ndërkohë, protestuesit po ua kthejnë mbrapsht dhe po qëllojnë me gurë në drejtim të policisë.

🔗 Shpërndaje
17:17

Albana Koçiu reagon për protestën në Tiranë: Të rinjtë të mos përdoren për beteja politike

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar sërish për protestën që po zhvillohet prej tri ditësh në Tiranë, duke bërë thirrje që të rinjtë dhe të miturit të mos përfshihen në akte dhune dhe të mos përdoren për beteja politike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçiu e ka cilësuar shqetësuese situatën e krijuar në rrugët e kryeqytetit, veçanërisht për shkak të pranisë së të rinjve dhe të miturve në skenat e dhunës.

Zëvendëskryeministrja thekson se asnjë përplasje politike nuk duhet të vihet mbi sigurinë e të miturve dhe se çdo prind dëshiron që fëmija i tij të kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi.

“Pavarësisht bindjeve politike, të gjithë kemi të njëjtin shqetësim: sigurinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

Pamjet e dhunës në rrugët e Tiranës janë shqetësuese, sidomos kur mes tyre shohim të rinj dhe të mitur.

Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të shprehen dhe të kërkojnë një të ardhme më të mirë. Por askush nuk duhet t’i përfshijë në dhunë apo t’i përdorë për beteja politike.

Në fund të ditës, çdo prind dëshiron që fëmija i tij të kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi.

Asnjë betejë politike nuk vlen më shumë se jeta, siguria dhe e ardhmja e fëmijëve tanë”, shkruan Koçiu në Facebook.

🔗 Shpërndaje
16:56

Turma e protestuesve marshon drejt Rrugës së Elbasanit, policia i zmbraps me gaz lotsjellës

Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës për të zmbrapsur një turmë të madhe protestuesish në Rrugën e Elbasanit

Protestuesit janë ndalur te një bankë e nivelit të dytë, përballë Ambasadës Amerikane, dhe e kanë shkatërruar atë.

Më tej ata kaluan ambasadën amerikanë duke vijuar marshimin në drejtim të qyteti studenti por janë kthyer mbrapsht pasi policia ka ndërhyrë duke hedhur një sasi të madhe gazi lotsjellës.

🔗 Shpërndaje
16:54

Protestuesit thyejnë dyert dhe xhamat e një banke në Tiranë, nxjerrin dokumentet jashtë

Protesta vijon në Tiranë, ndërsa një grup protestuesish janë pozicionuar në rrugën e Elbasanit. Gjatë marshimit në këtë rrugë, disa prej tyre kanë thyer dyert dhe xhamat e një banke private dhe janë futur brenda saj, duke nxjerrë jashtë shkresa dhe dokumente.

🔗 Shpërndaje
16:48

Ambasada e SHBA-së paralajmëron për protestat në Tiranë: Shmangni demonstratat dhe tregoni kujdes

Ambasada amerikanë në Tiranë ka reagoi sërish pas përplasjeve të shënuara pasditen e së enjtes gjatë protestës së nisur në Rrugën e Durrësit dhe të zhvendosur në disa zona të Tiranës.

Përmes një mesazhi drejtuar shtetasve amerikanë në Tiranë ambasada thekson se protesta është shndërruar në akte të dhunshme dhe rrezikon të përhapet.

Ambasada u bën thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale

Njoftimi i plotë:

Demonstratat në Tiranë, të nisura në Rrugën e Durrësit, pranë Sheshit Skënderbej, si dhe në zonën përreth ndërtesave qeveritare, janë përshkallëzuar në dhunë, duke përfshirë përdorimin e mjeteve ndezëse, hedhjen e gurëve dhe dëmtimin e pronës publike dhe private.
Demonstrata të tjera mund të zhvillohen gjatë ditëve në vijim.
Protestat mund të shtrihen edhe në rrugët përreth, duke sjellë prani të shtuar të forcave të policisë, probleme me qarkullimin, devijime të trafikut dhe bllokime rrugësh.
Personeli i Ambasadës Amerikane në Tiranë është këshilluar të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstrata.
Ju lutemi të qëndroni vigjilentë dhe t’i jepni përparësi sigurisë suaj personale. Ndiqni mediat lokale dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve vendore të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit.
Masat që duhen marrë:
Rrisni masat e sigurisë personale duke ndjekur këto këshilla:
Shmangni demonstratat.
Jini të vëmendshëm ndaj mjedisit përreth. Kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonit apo kufjeve në ambiente publike.
Ndiqni mediat lokale.
Mbani gjithmonë një plan emergjence ose një strategji për t’u larguar nga zona në rast rreziku.
Shmangni tërheqjen e vëmendjes dhe mbani një profil të ulët

🔗 Shpërndaje
16:41

Përplasje të Rruga e Elbasanit, plagoset në kokë një vajzë, dyshohet se u godit nga bombola e gazit lotsjellës

Përplasje të ashpra janë shënuar pasditen e së enjtes mes policisë dhe protestuesve që janë zhvendosur në rrugën e Elbasanit.

Gazetarët e Euronews Albania raportuan se një vajzë ka mbetur e plagosur në kokë nga një bombol gazi të hedhur nga policia për gazin lotsjellës.

Për shkak të gjakderdhjes së madhe, ajo u transportua me urgjencë në spital për marrjen e ndihmës mjekësore.

🔗 Shpërndaje
16:40

Protestuesit sulmojnë sërish policinë me molotovë dhe fishekzjarrë

Dita e tretë e protestës është shënuar sërish me tensione të larta teksa protestuesit të maskuar po shkatërrojnë gjithçka që u del para.

Të shpërndarë në grupe, që prej orës 09:00 të mëngjesit, protestuesit po lëvizin nëpër Tiranë duke sulmuar disa prej institucioneve dhe policëve, me gurë e sende të forta.

Aktualisht ata po qëllojnë ende drejt efektivëve me molotovë dhe fishekzjarrë.

🔗 Shpërndaje
16:36

MSH: 14 të lënduar gjatë protestës, 8 efektivë policie dhe 4 protestues marrin ende trajtim mjekësor

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka dhënë informacionin më të fundit mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës.

Sipas njoftimit zyrtar, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur gjithsej 14 persona të lënduar, mes tyre 8 efektivë policie, 4 protestues dhe 2 të mitur.

Aktualisht, në këtë spital vijojnë të marrin kujdes mjekësor 4 efektivë policie. Dy prej tyre janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa një efektiv nga Shkodra ndodhet nën monitorim intensiv.

Gjithashtu, në spital po marrin trajtim mjekësor edhe 4 protestues, të cilët, sipas ministrisë, janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Sa u përket të miturve, njëri prej tyre është larguar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore dhe jashtë rrezikut për jetën, pasi ka marrë trajtimin e nevojshëm. Largimi është bërë i shoqëruar nga prindi dhe nën kujdesin e ekipit mjekësor, me praninë e një psikologu.

Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është paraqitur vetëm një efektiv policie, i cili, pasi ka marrë trajtimin mjekësor, është larguar sipas rekomandimit të mjekëve.

Informacioni i Ministrisë së Shëndetësisë i referohet situatës deri në orën 16:15.

🔗 Shpërndaje
16:31

Sulmi ndaj PD-së në Shkodër, Berisha: Asnjë provokacion i Ramës nuk do ta lëkundë mbështetjen për studentët

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar nga selia blu lidhur me sulmin e protestuesve ndaj selisë së PD-së në Shkodër. Berisha e cilësoi ngjarjen si një provokacion nga kryeministri Edi Rama, ndërsa theksoi se Partia Demokratike do të vijojë të mbështesë protestën e të rinjve deri në fitore dhe largimin e kryeministrit.

“Jam këtu për të paralajmëruar Edi Ramën se asnjë lloj provokacioni i ulët, i llojit që organizoi në Shkodër ndaj selisë së PD-së, nuk do të lëkundë kurrë, deri në fitore, mbështetjen totale të PD-së për revoltën studentore”, tha Berisha.

🔗 Shpërndaje
16:29

Rama publikon videon, familjarët takojnë policin e Shqiponjave në protestë

Kryeministri Edi Rama ka postuar në faqen e vet një Facebook një video që tregon një polic të Shqiponjave teksa takohet me familjarët e vet.

Respekt, shkruan Rama krahas videos të publikuar në rrjetin e vet social.

Ndërkohë që nga mëngjesi i së enjtes nëpër rrugët e Tiranës zotëron kaosi për shkak të protestës që është përhapur në disa zona teksa studentëve u janë bashkuar edhe shumë gjimnazistë që kanë bojkotuar mësimin.

🔗 Shpërndaje
16:18

Situata nga protesta, reagon PS: Shqiptarët nuk do të jenë pengje të së shkuarës

Partia Socialiste e Shqipërisë ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me situatën e përshkallëzuar nga protestat në Tiranë.

Në reagimin e saj, PS-ja thekson se shqiptarët nuk do të jenë pengje të së shkuarës ndërsa postimi shoqërohet me një video të përplasjeve mes protestuesve dhe policisë.

Reagimi i plotë

“Përgjegjësia para ligjit është e gjithsecilit dhe gjithkush që ka dorë në këtë katrahurë sigurisht që do paguajë. Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë pas. Shqiptarët kurrë më nuk do të jenë pengje të së shkuarës. E ardhmja është e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, thuhet në reagimin e Partisë Socialiste.

🔗 Shpërndaje
16:08

I riu përballë policisë me karrige: Nuk i trembem dhunës, jam këtu për Shqipërinë, le të më arrestojnë

Në formë simbolike për të qenë në vijën e parë të policisë ka qëndruar një i ri, i cili sipas raportimeve qëndron i pashqetësuar pavarësisht presionit të ujit nga ana e policisë.

I pyetur nga gazetari Ardit Hoxha se çfarë domethënie ka qëndrimi me karrige përpara efektivëve, i riu thotë se kjo është një mënyrë për ti treguar që nuk i trembet as dhunës, as policisë dhe këtë metodë ka zgjedhur pas disa ditëve protestë paqësisht.

“Nuk i kemi frikë, jemi këtu për Shqipërinë jo për Edi Ramën. Rama të tërhiqet sa më shpejt për të mirën e kombit, sepse është duke e shkatërruar vetë. Është e keqe që na e ka bërë për 35 vite. Jam nga Lapraka, kam 135 ditë që protestoj paqësisht dhe këto tre ditë në këtë formë. Unë kam mënyrën time tu dal përpara, nëse më arrestojnë, le të më arrestojnë. Nuk e kam frikë dhunën e atyre”, tha ai.

🔗 Shpërndaje
16:08

Skënder Hita: 71 efektivë të plagosur në protestë. Policia nuk tërhiqet, do përballeni me ligjin

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita tha në një konferencë për shtyp nga ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit se 71 efektivë police kanë mbetur të dëmtuar në aktet e dhunës në 3 ditët e protestës në Tiranë.

Hita i bëri thirrje prindërve dhe pedagogëve të mos lejojnë që fëmijët dhe nxënësit të përdoren si mburojë për aktet e dhunës ndaj institucioneve dhe pronës private.

“Prej gati 72 orësh, kryeqyteti po përballet me valë dhune, zjarrvënieje dhe shkatërrimi, duke vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Në këto ngjarje janë plagosur 71 efektivë, disa prej tyre me dëmtime të rënda. Policia garanton të drejtën kushtetuese të çdo qytetari, studenti apo force politike për të protestuar paqësisht, por protesta nuk mund të jetë mburojë për dhunën dhe shkatërrimin e pronës.

Çdo sulm ndaj uniformës së Policisë është sulm ndaj shtetit ligjor dhe shtetit. Kush ka ushtruar dhunë ndaj Policisë, ka dëmtuar institucionet, pronën publike dhe private, do të identifikohet dhe do të përballet me ligjin. Ju kërkoj që të tregoni profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe të mos provokoheni, por mos u tërhiqni.

Pjesëmarrësve u bëj thirrje të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm. Përgjegjësia është individuale. Do të përballeni me ligjin. Ndaloni dhunën ndaj Policisë! Çdo akt dhune rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Mesazhi është i qartë dhe i prerë: Mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen me dobësinë. Policia nuk tërhiqet përballë dhunës. Institucionet dhe qytetarët do të mbrohen”, thotë Hita.

🔗 Shpërndaje
15:16

U godit me gur në kokë, Komandanti i forcave të rendit në policinë e Shkodrës në gjendje të rëndë

Komandanti i forcave të rendit në policinë e Shkodrës, Fasli Rama është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Efektivi i policisë është dërguar me urgjencë drejt Tiranës për shkak se rrezikon jetën duke qenë se ka një plagë të rëndë në kokë.

Komandanti u godit me gur në kokë nga protestuesit që ndodheshin përpara policisë vendore të Shkodrës.

Gjatë një përleshje me efektivët, punonjësi i policisë Fasli Rama mori goditje të fortë në kokë duke qenë në gjendje të rëndë për jetën.

🔗 Shpërndaje
14:47

Dhoma e Tregtisë në Tiranë: Bizneset nuk duhet të bëhen shënjestër e tensioneve politike

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ka reaguar për aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private gjatë protestave në kryeqytet, duke dënuar sulmet ndaj institucioneve, bankave, qendrave tregtare dhe objekteve të biznesit.

Në reagimin e saj, Dhoma thekson se protesta paqësore është një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike, por nënvizon se asnjë pakënaqësi apo përplasje politike nuk mund të justifikojë dhunën, zjarrvënien dhe vandalizmin.

“Bizneset, punonjësit dhe pronat e tyre nuk mund të bëhen shënjestër e tensioneve politike”, thuhet në reagim, ku theksohet se pas çdo sipërmarrjeje qëndrojnë investime, vende pune dhe familje që sigurojnë të ardhurat prej saj.

Sipas Dhomës së Tregtisë, dëmtimi i bizneseve prek jo vetëm pronarët, por edhe punonjësit, klientët dhe ekonominë e qytetit, ndërsa shkatërrimi i pronës publike rëndon mbi të gjithë taksapaguesit.

Në përfundim, Dhoma i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse të marrin masa konkrete për parandalimin e akteve të dhunës, forcimin e sigurisë në zonat e rrezikuara dhe ndërhyrjen në kohë për mbrojtjen e jetës dhe pronës publike e private.

🔗 Shpërndaje
14:35

Përfundon pas 5 orësh protesta në Korçë mes tensioneve dhe përplasjeve, mbi 20 të rinj të shoqëruar

Pas rreth pesë orësh tensione dhe përplasjesh, protesta në qytetin e Korçës ka përfunduar. Tubimi u karakterizua nga pjesëmarrje masive, ku krahas gjimnazistëve, iu bashkuan edhe nxënës të shkollave 9-vjeçare.

Gjatë protestës, disa prej akseve rrugore në qytet u bllokuan, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Situata u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Nga incidentet u raportuan dëmtime në ambientet e gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, Drejtorisë Arsimore dhe Bashkisë së Korçës.

Përplasjet sollën edhe persona të lënduar nga të dyja palët, mes tyre efektivë policie dhe protestues.

Ndërkohë, mbi 20 të rinj janë shoqëruar në komisariat, ndërsa pritet të zbardhen rrethanat e plota të incidenteve të regjistruara gjatë tubimit.

🔗 Shpërndaje
14:31

Protesta studentore në Durrës, 5 policë të plagosur dhe mbi 10 të shoqëruar

Protesta studentore në Durrës vijon, ndërsa deri më tani raportohet se janë shoqëruar mbi 10 persona.

Sipas raportimeve, nga përplasjet gjatë protestës kanë mbetur të plagosur 5 efektivë policie.

Ndërkohë, policia ka ngritur barrikada rreth 50 metra larg godinës së saj, pasi protestuesit kanë hedhur gurë dhe pllaka trotuari në drejtim të efektivëve.

🔗 Shpërndaje
14:25

Policia apel prindërve pas protestave: Mos lejoni që fëmijët të gjenden mes përplasjeve

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje prindërve të tregojnë kujdes për fëmijët e tyre, pas pjesëmarrjes së një numri të konsiderueshëm të miturish në protestat e ditëve të fundit.

Në një deklaratë për mediat, policia shprehet se në disa raste të miturit janë gjendur në vijën e parë të përplasjeve, të ekspozuar ndaj sendeve të forta, mjeteve piroteknike dhe gazit lotsjellës.

Uniformat blu u bëjnë thirrje prindërve të interesohen për vendndodhjen e fëmijëve, veçanërisht në rastet kur ata mungojnë në shkollë, duke theksuar se siguria e tyre është përgjegjësi e përbashkët.

Policia shpreh gjithashtu shqetësimin për raste të dyshuara të përdorimit të të miturve në vijën e parë të përplasjeve, për qëllime të caktuara. Sipas saj, çdo rast i dyshuar i nxitjes apo shfrytëzimit të fëmijëve për veprime të kundërligjshme do të dokumentohet dhe do t’u referohet institucioneve kompetente.

“Fëmijët nuk janë mburojë e askujt dhe nuk mund të kthehen në instrumente të përplasjeve”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.

Policia thekson se respekton të drejtën për protestë paqësore, por paralajmëron se do të marrë masat e nevojshme dhe proporcionale për të garantuar sigurinë publike.

Në fund, u bën thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, si dhe të ndalojnë aktet e dhunës ndaj punonjësve të policisë, institucioneve dhe pronës publike e private.

🔗 Shpërndaje
14:13

Shoqërime masive të studentëve gjatë protestës në Korçë, të rinjtë kundërshtojnë policinë (VIDEO)

Vijojnë shoqërimet masive të të rinjve gjatë protestës studentore në Korçë.

Sipas pamjeve, ka përplasje mes policisë dhe protestuesve, të cilët kundërshtojnë shoqërimin e tyre.

Mes thirrjeve për lirimin e shokëve të shoqëruar, disa studentë po kundërshtojnë me forcë ndërhyrjen e policisë dhe shoqërimin e tyre.

🔗 Shpërndaje
14:09

Bizneset marrin masa për shkak të protestave, shihen duke u vënë qepena dyqaneve (VIDEO)

Vijon përshkallëzimi i protestës së studentëve në kryeqytet. Në zonën e Ish-Bllokut, biznese private kanë filluar të marrin masa mbrojtëse, duke vendosur qepena dhe duke “blinduar” ambientet e tyre tregtare.

Këto masa sigurie vijnë pas incidenteve të regjistruara gjatë orëve të fundit, ku disa të rinj kanë sulmuar dhe dëmtuar pronën private, si dhe disa objekte të institucioneve publike.

Për të parandaluar dëmtime të mëtejshme materiale, bizneset kanë pezulluar aktivitetin dhe po marrin masa. Ndërkohë, në terren ndodhen forca të shumta të Policisë së Shtetit për të monitoruar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.

🔗 Shpërndaje
13:49

Protesta përfshin Kukësin, të rinjtë mblidhen para Bashkisë në shenjë solidariteti me Tiranën

Edhe në qytetin e Kukësit po zhvillohet protesta në kuadër të thirrjes për bojkotimin e mësimit dhe në shenjë solidariteti me protestuesit në Tiranë.

Sipas pamjeve, një grup të rinjsh kanë dalë në sheshin përpara Bashkisë, ku, krahas thirrjeve, kanë hedhur edhe lëndë plasëse dhe tymuese.

🔗 Shpërndaje
13:32

Tensione dhe përplasje te selia e PS, policia hedh gaz lotsjellës ndaj protestuesve

Sërish janë regjistruar tensione në qendër të Tiranës. Policia ka tentuar të shpërndajë protestuesit duke hedhur gaz lotsjellës. Kjo masë e policisë erdhi pasi protestuesit hodhën gurë në drejtim të selisë së PS-së.

Gazi ka sjellë një reagim të menjëhershëm pasi protestuesit shihen duke vrapuar për t’u larguar. Policia ndodhet në terren dhe në gatishmëri teksa protestuesit ende vijojnë duke djegur sende në rrugë.

🔗 Shpërndaje
13:14

Berisha-Ramës: Jep dorëheqjen! Kërkesë ultimative e protestës studentore, opozitës dhe mbarë shqiptarëve

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat këtë të enjte, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të solidarizohen dhe t’u bashkohen studentëve në protestë, e cila sot ka hyrë në ditën e saj të tretë.

Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së i bëri sërish thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen, duke theksuar se ai është tërësisht i pashpresë dhe se kjo është kërkesa ultimative e protestës studentore, opozitës dhe mbarë shqiptarëve.

“U bëj thirrje mjekëve, infermierëve që të solidarizohen me studentët. Ju jeni dëshmitarë se ku e katandisi narkoregjimin sistemin shëndetësor. Ndërgjegjja juaj profesionale nuk mund t’u lejojë ju të jeni kurrë as indiferentë, as edhe kundër studentëve.

Ndaj dhe, në këtë orë të historisë, çdo shqiptar midis narkoregjimit të urryer dhe studentëve, realisht liberatorë duhet të bëjë zgjedhjen e tij. Indiferenca është zgjedhja më e keqe. Ndaj bashkohuni me protestuesit. PD mbështet fuqishëm kërkesat e lëvizjes studentore. Dhe njëherë, i kërkon Edi Ramës të japë menjëherë dorëheqjen. Është tërësisht i pashpresë.

Por në qoftë se i ka mbetur qoftë edhe një nanogram arsye njerëzore, të gjejë kurajë dhe të japë dorëheqjen. Të mos pësojë atë fat që diktatorët që nuk kanë dhënë dorëheqjen kanë pësuar nga verdikti, nga drejtësia e bërë nga qytetarët.

Jep dorëheqjen është kërkesa ultimative e protestës studentore, e opozitës shqiptare, e mbarë shqiptarëve”, u shpreh Berisha.

🔗 Shpërndaje
13:05

Sërish tensione në protestën studentore, të rinjtë dëmtojnë biznese dhe djegin objekte në Rrugën e Durrësit

Protesta studentore në Tiranë vijon mes tensioneve edhe këtë të enjte, teksa ka hyrë në ditën e saj të tretë.

Ashtu si në dy ditët e para, edhe sot studentët kanë sulmuar dhe dëmtuar disa biznese, duke thyer xhamat, u vënë zjarrin dhe thyer dyert.

Sipas pamjeve, sendet që ndodheshin brenda bizneseve janë hedhur në mes të rrugës. Studentët ndodhen aktualisht në fillim të Rrugës së Durrësit, aty ku nuk kanë munguar as përplasjet me policinë.

🔗 Shpërndaje
13:03

Protesta e studentëve përhapet në Shkodër, sulmohen godinat e PS dhe PD

Protesta e studentëve është shënuar edhe në Shkodër, ku situata është tensionuar me sulme ndaj godinave të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.

Zhvillimi vjen në ditën e tretë të protestave të gjimnazistëve dhe studentëve, të cilat janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit.

Protestat janë shoqëruar me tensione dhe dëme materiale, ndërsa të rinjtë vijojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre.

🔗 Shpërndaje
13:02

Studentët djegin koshat e mbeturinave dhe frigoriferat e një kioske (VIDEO)

Protestuesit kanë përshkallëzuar protestën teksa kanë ndezur objekte në rrugë. Mësohet se po digjen koshat e mbeturinave dhe frigoriferët e një kioske e cila u dëmtua nga protestuesit.

Ashtu si në dy ditët e para, edhe sot studentët kanë sulmuar dhe dëmtuar disa biznese, duke thyer xhamat, u vënë zjarrin dhe thyer dyert.

Sipas pamjeve, sendet që ndodheshin brenda bizneseve janë hedhur në mes të rrugës. Studentët ndodhen aktualisht në fillim të Rrugës së Durrësit, aty ku nuk kanë munguar as përplasjet me policinë.

🔗 Shpërndaje
12:53

Përshkallëzohet protesta e studentëve në Durrës, përplasje të forta fizike mes studentëve dhe policisë (VIDEO)

Protesta e studentëve në Durrës ka eskaluar në përplasje fizike. Nga pamjet duket një efektiv policie duke goditur me shkop gome një të ri.

Menjëherë pas kësaj, një grup i madh studentësh kanë ndërhyrë për t’i ardhur në ndihmë të riut, i cili po goditej nga policia. Më pas, situata është përshkallëzuar në përplasje mes një grupi efektivësh policie dhe studentëve.

Sipas informacioneve paraprake, gjatë protestës janë djegur kosha mbeturinash, ndërsa protestuesit kanë thyer derën e Prefekturës dhe kanë hyrë brenda godinës.

Dëme raportohet edhe në ambientet e jashtme të Bashkisë së Durrësit, ku janë djegur pemë.

Zhvillimet në Durrës vijnë në ditën e tretë të protestave të studentëve dhe gjimnazistëve, të cilëve u janë bashkuar të rinj në disa qytete të vendit.

🔗 Shpërndaje
12:39

Rikthehen gjimnazistët dhe studentët te Ministria e Arsimit, hedhin gurë! Policia kundërpërgjigjet me ujë

Gjimnazistët dhe studentët janë rikthyer para Ministrisë së Arsimit. Menjëherë ata kanë nisur me hedhjen e gurëve ndaj policisë. Nga ana tjetër, policia është kundërpërgjigjur me ujë.

Policia gjithashtu ka nisur shoqërimet duke tentuar të ndalojë protestuesit e dhunshëm. Siç shihet edhe nga pamjet, protestuesit largohen me shpejtësi teksa disa që janë ndaluar po dhunohen nga policia.

🔗 Shpërndaje
12:02

Protestuesit bllokojnë qarkullimin te “Rruga e Elbasanit”, prishet sinjalistika rrugore

Studentët po vijonë protestën e tyre teksa u janë bashkuar edhe gjimnazistët dhe qytetarë të shumtë. Protestuesit kanë bllokuar qarkullimin te “Rruga e Elbasanit” teksa po vijojnë prishjen e sinjalistikës rrugore.

Ende nuk dihet nëse protesta do të vijojë para Parlamentit apo do të zhvendoset sërish para Ministrisë së Arsimit.

🔗 Shpërndaje
11:52

Situatë e tensionuar në Shkodër, studentët qëllojnë me gurë dhe thyejnë xhamat e Bashkisë

Situata është tensionuar nga protesta në Shkodër, ku studentët po hedhin gurë në drejtim të Bashkisë.

Sipas pamjeve, studentët e revoltuar kanë shkruar me bojë në muret e Bashkisë, ndërsa po thyejnë xhamat dhe po hedhin kapsolla drejt godinës.

Deri më tani, policia nuk ka ndërhyrë, ndërsa situata po monitorohet me dronë. Nga kjo situatë raportohet se një vajzë është plagosur nga gurët.

🔗 Shpërndaje
11:50

Protesta e studentëve, Rama reagon për median ndërkombëtare: Nuk e jap dorëheqjen

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i tha Reuters të enjten se nuk do të jepte dorëheqjen për shkak të protestave të dhunshme të udhëhequra nga studentët që hynë në ditën e tretë radhazi.

Policia përdori topa uji për të shpërndarë protestuesit që thyen dritare dhe dëmtuan pronat në kryeqytet, duke bërë që parlamenti të anulonte seancën e tij.

Studentët që protestojnë kundër rritjes së kostove të arsimit dhe korrupsionit kanë kërkuar dorëheqjen e Ramës.

“Sa i përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike. Ne patëm zgjedhje vitin e kaluar, jo një revolucion”, tha Rama në përgjigjet me shkrim për Reuters.

“Përgjegjësia ime është të dëgjoj, të adresoj shqetësimet legjitime dhe ta ndihmoj Shqipërinë të ecë përpara. Alternativa do të ishte tradhtia ndaj shqiptarëve që më dhanë një mandat të fortë për të përfunduar negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.”

Rama tha se do të ishte gati të diskutonte koston në rritje të arsimit, por shtoi: “Sulmi ndaj institucioneve, shkatërrimi i pronës publike dhe kërcënimi i sigurisë publike nuk kanë të bëjnë fare me kërkesat legjitime të studentëve.”

Protestat shënojnë sfidën më të madhe deri më tani për Ramën, i cili fitoi një mandat të katërt vitin e kaluar.

Trazirat vijnë pas muajsh demonstratash kryesisht paqësore të nxitura nga planet për të ndërtuar një vendpushim luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë të mbështetur nga dhëndri i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Jared Kushner, një projekt që është përballur me sfida ligjore.

🔗 Shpërndaje
11:43

Policia apel nxënësve dhe prindërve: Qëndroni larg dhunës, largohuni nga zonat e rrezikshme

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje nxënësve dhe prindërve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin përfshirjen në akte dhune, në një kohë kur protestat e të rinjve vijojnë të shoqërohen me tensione.

Përmes një mesazhi publik, policia u kërkon nxënësve të mos përfshihen në veprime që mund të rrezikojnë jetën, shëndetin dhe të ardhmen e tyre, si dhe të largohen menjëherë nga vendet ku ushtrohet dhunë.

Një apel i veçantë u drejtohet edhe prindërve, të cilëve u kërkohet të kujdesen për fëmijët dhe t’i këshillojnë ata të qëndrojnë larg situatave të rrezikshme.

Policia thekson se efektivët janë në terren për të garantuar rendin, qetësinë dhe sigurinë publike, si dhe për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

“Siguria e tyre është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në apelin drejtuar prindërve, ndërsa Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve bashkëpunim për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

🔗 Shpërndaje
11:43

Studentët mbërrijnë para Parlamentit, hedhin gurë në drejtim të policisë! Djegin edhe koshat e mbeturinave

Studentët sapo kanë mbërritur sërish para Parlamentit. Tensionet kanë nisur menjëherë pasi protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të policisë. Ata gjithashtu kanë djegur koshat e mbeturinave dhe kanë shkulur sinjalistikat rrugore.

Policia mësohet se është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës. Ende nuk dihet nëse protesta do të vijojë para Parlamentit apo do të zhvendoset sërish para Ministrisë së Arsimit.

🔗 Shpërndaje
11:32

Protesta e të rinjve në Korçë, djegin koshat dhe bllokojnë rrugët! Dy të shoqëruar

Për rreth dy orë studente dhe gjimnaziste nga qyteti i Korçës janë duke protestuar në rrugë dhe institucionet.

Të rinjtë kanë thyer dhe shkatërruar hollin e gjimnazit “Raqi Qirixhi”, xhamat e drejtorisë arsimore dhe gjithë sinjalistiken e qytetit. Ata gjithashtu kanë djegur koshat e mbeturinave.

Te rinjtë kanë bllokuar rrugët kryesore teksa marshojnë ndërsa aktualisht kanë bllokuar rrugën e teatrit.

Janë shoqëruar dy persona deri më tani, ndërsa njëri prej të rinjve ka sulmuar edhe drejtorin e policisë së Korçës, Vilson Bala.

🔗 Shpërndaje
11:22

Protestuesit largohen nga Ministria e Arsimit, marshojnë drejt Parlamentit

Studentët kanë vendosur të largohen nga Ministria e Arsimit për të vijuar protestën e tyre drejt Parlamentit. Ende nuk dihet nëse ata do ta vijojnë protestën para Kuvendit ose vetëm do të kryejnë një marshim.

Policia prej disa minutash tentoi të shpërndajë protestuesit para ministrisë së Arsimit teksa të rinjtë rezistuan edhe ndaj ujit dhe gazit lotsjellës. Ata pasi spostoheshin pak metra, riktheheshin duke hedhur sërish gurë ndaj policisë si dhe duke shkulur kangjellat në trotuare.

🔗 Shpërndaje
11:13

Një grup të rinjsh bashkohet me protestën para Ministrisë së Arsimit, policia hedh ujë! Gjimnazistët nuk tërhiqen

Një grup të rinjsh i janë bashkuar protestës para Ministrisë së Arsimit. Mësohet se gjimnazistët kanë ardhur nga rrethrrotullimi i Zogut të Zi teksa menjëherë kanë nisur hedhjen e gurëve ndaj policisë.

Policia prej disa minutash po tenton të shpërndajë protestuesit teksa të rinjtë po rezistojnë edhe ndaj ujit dhe gazit lotsjellës. Ata pasi spostohen pak metra, rikthehen duke hedhur sërish gurë si dhe duke shkulur kangjellat në trotuare.

🔗 Shpërndaje
11:07

Protesta e studentëve, policia jep njoftimin: 55 të arrestuar, 51 efektivë të plagosur dhe 98 të proceduar

Policia ka arrestuar 55 persona, mes tyre edhe dy të mitur, pas akteve të dhunës gjatë protestës së 14 tetorit para Ministrisë së Arsimit dhe në disa zona të kryeqytetit. 98 shtetas të tjerë janë proceduar penalisht, ndërsa 51 punonjës policie kanë mbetur të dëmtuar.

Protesta e 14 tetorit në Tiranë është shoqëruar me përplasje të forta mes protestuesve dhe Policisë, dëmtime të institucioneve shtetërore dhe bizneseve private, si dhe shkatërrimin e disa pajisjeve dhe automjeteve.

Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se ka arrestuar në flagrancë 55 shtetas dhe ka proceduar penalisht 98 të tjerë, pas veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Sipas Policisë, gjatë tubimit para Ministrisë së Arsimit, në rrugën e Durrësit dhe më pas në akse të tjera të kryeqytetit, grupe protestuesish të maskuar kanë hedhur gurë, pllaka guri, sende metalike, kapsolla dhe kokteje molotovi në drejtim të efektivëve, institucioneve dhe subjekteve private.

Si pasojë e përplasjeve, janë dëmtuar kangjellat, muret dhe dritaret e godinës së Ministrisë së Arsimit, si dhe fasada xhami, bankomate, kamera, semaforë, tabela reklamash dhe sinjalistika rrugore. Dëmtime janë raportuar edhe në banka, institucione financiare dhe biznese të ndryshme.

Situata është përshkallëzuar edhe në zona të tjera të Tiranës, përfshirë bulevardet “Dëshmorët e Kombit” dhe “Gjergj Fishta”, rrugën “Muhamet Gjollesha” dhe rrugën e Durrësit.

Sipas Policisë, disa protestues kanë hyrë në rrethimin e Komisariatit të Policisë Nr. 2, ku kanë goditur godinën me sende të forta dhe lëndë piroteknike, duke dëmtuar xhamat dhe portën hyrëse. Gjithashtu, një automjet policie është djegur me lëndë djegëse, ndërsa tre automjete të parkuara janë dëmtuar.

Nga përplasjet janë dëmtuar 51 punonjës policie.

Në kuadër të hetimeve, Policia ka arrestuar 55 persona, mes tyre dy të mitur, përkatësisht 15 dhe 17 vjeç. Ndërkohë, 98 shtetas të tjerë janë proceduar penalisht.

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në akte dhune dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjeve të regjistruara gjatë protestës.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

🔗 Shpërndaje
11:00

Vijojnë tensionet para Ministrisë së Arsimit, protestuesit shpërndahen me ujë! Shoqërohen disa të rinj

Vijojnë tensionet para Ministrisë së Arsimit. Protestuesit po tentojnë herë pas here që të grumbullohen para Ministrisë së Arsimit teksa policia menjëherë ndërhyn për shpërndarjen e tyre.

Sapo protestuesit rigrumbullohen dhe hedhin sende të forta e gurë ndaj tyre dhe ndërtesës së ministrisë, policia kundërpërgigjet me ujë. Gjithashtu ka patur përplasje ç’ka ka sjellë disa shoqërime të të rinjve, mes tyre edhe gjimnazistë.

🔗 Shpërndaje
10:52

Vala e protestave përfshin edhe Vlorën, studentët e Shkencave Humane marshojnë në bulevard

Edhe në Vlorë ka nisur reagimi i studentëve në shenjë solidarizimi me studentët e Tiranës. Një grup studentësh kanë dalë nga Fakulteti i Shkencave Humane dhe po marshojnë përgjatë bulevardit të Vlorës.

Ata po protestojnë përgjatë gjithë rrugës, duke bërë thirrje të ndryshme, si “Bashkohuni me ne”, në përpjekje për t’u bashkuar edhe studentët e tjerë të qytetit.

Marshimi deri më tani është paqësor, ndërsa studentët pritet të vijojnë drejt Rektoratit Qendror të Universitetit të Vlorës.

🔗 Shpërndaje
10:48

Ndërhyn policia, hedh gaz lotsjellës për të shmangur grumbullimin e protestuesve para Ministrisë së Arsimit

Pak metra pa u afruar protestuesit para Ministrisë së Arsimit, ka ndërhyrë policia. Forca të shumta të policisë kanë reaguar për të shpërndarë të rinjtë që po shkonin në drejtim të Ministrisë.

Protestuesit nisën duke hedhur gurë në drejtim të objektit të ministrisë teksa policia menjëherë reagoi me gazlotsjellës për shpërndarjen e tyre.

Gjithashtu gazetarët e Euronews Albania bëjnë me dije se ndryshe nga dy ditët e tjera të protestës, është krijuar një “kordon” ku lejohen gazetarët që të qëndrojnë dhe për të mos u bashkuar me turmën.

🔗 Shpërndaje
10:41

Protesta e studentëve, ndeshja Egnatia-Midtjylland zhvendoset në stadiumin “Elbasan Arena”

UEFA ka vendosur që ndeshja Egnatia-Midtjylland, e vlefshme për fazën e ligës të UEFA Conference League, të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, në Elbasan, për arsye sigurie, në kushtet e protestave që vijojnë këto ditë në Tiranë.

Ndeshja do të luhet në të njëjtën orë, 18:45, ndërsa ndryshon vetëm stadiumi ku do të zhvillohet përballja.

Kampionët e Shqipërisë do të nisin kështu rrugëtimin e tyre historik në fazën e ligës të UEFA Conference League, pas një ecurie të suksesshme në fazat kualifikuese.

Për Egnatian, kjo ndeshje përfaqëson një tjetër moment të rëndësishëm, teksa skuadra rrogozhinase synon të përfaqësojë denjësisht futbollin shqiptar në arenën europiane.

Përballë do të jetë skuadra daneze e Midtjylland, në një sfidë që shënon debutimin e Egnatias në këtë fazë të kompeticionit.

🔗 Shpërndaje
10:40

Tensione në Korçë, të rinjtë thyejnë xhamat e Drejtorisë Arsimore (VIDEO)

Përshkallëzohet situate në qytetin e Korçës. Të rinjtë që po protestojnë kanë nisur të shkulin sinjalistikën rrugore teksa bëhet me dije se kanë hedhur sende edhe në drejtim të drejtorisë arsimore.

Siç shihet edhe nga pamjet, janë thyer xhamat e drejtorisë teksa të rinjtë po vijojnë protestën. Ata kanë deklaruar se duan kushte me të mira në shkolla dhe universitetet teksa janë shprehur se nuk frikësohen.

Policia gjithashtu ka ndërhyrë pak më parë pasi kanë tentuar të futen në një gjimnaz dhe protestuesit janë përplasur me rojen e shkollës. Policia ka bërë të mundur shpërndarjen e tyre.

🔗 Shpërndaje
10:32

Tensione para Ministrisë së Arsimit, hidhet gaz lotsjellës, shpërndahen studentët

Gaz lotsjellës është hedhur në Rrugën e Durrësit pranë Ministrisë së Arsimit, aty ku situata mes studentëve dhe policisë është përshkallëzuar.

Sipas pamjeve, pas hedhjes së gazit, studentët dhe gjimnazistët janë tërhequr, duke u spostuar pranë sheshit “Skënderbej”.

Gazi lotsjellës është hedhur në mënyrë të menjëhershme nga policia, gjë që ka bërë që protestuesit të largohen nga Rruga e Durrësit.

🔗 Shpërndaje
10:13

Studentët në protestë, PD: Deputetët e opozitës krah tyre, zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet

Grupi Parlamentar i PD ka dalë këtë të enjte me një deklaratë lidhur me protestën e studentëve të cilën e ka cilësuar si protestën më të fuqishme studentore në 35 vitet e fundit. Në deklaratë theksohet se kjo protestë është përgjigjja e një brezi që refuzon të pranojë më tej keqqeverisjen e kryeministrit, Edi Rama.

PD thekson zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe t’i hapet rrugë një zgjidhjeje politike që i kthen vendit legjitimitetin demokratik.

Reagimi i plotë:

Prej 48 orësh, Shqipëria po përjeton lëvizjen më të fuqishme studentore të 35 viteve të fundit. Kjo është përgjigjja e një brezi që refuzon të pranojë më tej keqqeverisjen, arrogancën, korrupsionin dhe kapjen e shtetit nga pushteti i Edi Ramës.

Kjo lëvizje nuk është thjesht një protestë kundër një qeverie. Është një revoltë kundër një modeli të krijuar nga Edi Rama që u ka vjedhur të rinjve shpresën, u ka cenuar qytetarëve besimin dhe po e largon Shqipërinë gjithnjë e më shumë nga e ardhmja europiane.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është dhe do të mbetet pa asnjë ekuivok në krah të studentëve, nxënësve, të rinjve dhe të rejave, si dhe të çdo qytetari që ngrihet për dinjitet, drejtësi dhe një Shqipëri më të mirë.

Ne dënojmë fuqimisht dhunën shtazarake të Edi Ramës ndaj studentëve, që kanë kulmuar me thyrje të këmbëve, koçkave, fraktura të rënda në kokë, dhe dëmtime të tjera shumë të rënda.

Në këto momente, detyra jonë politike dhe qytetare është e qartë: të jemi pranë protestuesve, të mbështesim kërkesat e tyre dhe të dëgjojmë zërin e një brezi që nuk pranon më të trajtohet me përbuzje nga pushteti.

Kur studentët janë në rrugë, kur universitetet përballen me bojkotin dhe kur kërkesat e tyre kërkojnë përgjigje politike, institucionet nuk mund të sillen sikur asgjë nuk po ndodh. Nuk mund të ketë normalitet parlamentar përballë një krize të thellë politike dhe shoqërore, ndërsa zëri i qytetarëve shpërfillet dhe kërkesat e tyre mbeten pa përgjigje.

Për ne, mesazhi është i qartë: studentët në rrugë, deputetët e opozitës në krah të tyre. Nuk mund të ketë fasadë normaliteti institucional kur qytetarët kërkojnë ndryshim dhe pushteti zgjedh të mos i dëgjojë.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike mbështet kërkesat politike për ndryshim dhe, në këtë moment vendimtar, qëndron përkrah kërkesave për:

1. Dorëheqje e menjëhershme e qeverisë së Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie kujdestare, me mision të vetëm përgatitjen dhe garantimin e zgjedhjeve të parakohshme, të lira dhe të ndershme.

2. Menjëherë më pas, vet shpërndarjen e Parlamentit aktual, i cili nuk mund të pretendojë se përfaqëson normalisht vullnetin e qytetarëve përballë krizës së besimit dhe kërkesës për ndryshim.

Shqipëria nuk mund të mbahet peng nga një pushtet që e sheh çdo protestë si kërcënim dhe çdo kërkesë për llogaridhënie si sulm ndaj vetes.

Studentët nuk kanë nevojë për leksione arrogance, as për premtime të radhës. Ata meritojnë përgjigje, përgjegjësi dhe ndryshim real.

Sot, përgjegjësia është e qartë: të dëgjohet zëri i qytetarëve dhe t’i hapet rrugë një zgjidhjeje politike që i kthen vendit legjitimitetin demokratik.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të jetë në krah të qytetarëve që kërkojnë ndryshim. Sepse Shqipëria nuk mund të jetë pronë e një njeriu, e një qeverie apo e një pushteti. Shqipëria u përket qytetarëve të saj.

🔗 Shpërndaje
10:09

61 policë dhe 28 protestues të lënduar nga protesta e djeshme, Ministria e Shëndetësisë jep detaje mbi gjendjen e tyre

Ministria e Shëndetësisë, mëngjesin e kësaj të enjteje, ka bërë të ditur numrin e saktë të të lënduarve gjatë protestës së djeshme.

Sipas informacionit nga Spitali Universitar i Traumës dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, kanë marrë kujdes shëndetësor gjithsej 89 persona, nga të cilët 61 efektivë të Policisë dhe 18 protestues në Spitalin Universitar të Traumës, si dhe 10 pacientë në QSUT.

Në Spitalin Universitar të Traumës aktualisht ndodhen 4 efektivë policie dhe 2 protestues të shtruar në spital, të cilët do të vijojnë të jenë nën kujdesin e ekipit mjekësor. Ndërsa të tjerët kanë marrë mjekimin e nevojshëm dhe janë larguar, pas marrjes së kujdesit mjekësor, sipas këshillave të mjekut.

Në QSUT, 10 pacientët janë trajtuar në shërbimet e Urgjencës Polivalente, Djegie-Plastikës dhe Okulistikës. Pas vlerësimit dhe marrjes së trajtimit të nevojshëm mjekësor, të gjithë janë larguar nga spitali me rekomandimin e mjekëve.

Aktualisht, nuk ka persona të lënduar që vijojnë të marrin kujdes shëndetësor në QSUT.

Në SUT priten t’i nënshtrohen ndërhyrjes një protestues si dhe dy efektivë policie, të cilët janë koshient dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

🔗 Shpërndaje
10:01

Protesta e studentëve, delegacioni i BE thirrje të rinjve: Shmangni çdo akt dhune

Delegacioni i BE-së në Tiranë ka dalë këtë të enjte me një reagim lidhur me protestat e studentëve teksa ka dënuar dhunën e përshkallëzuar si dhe dëmtimin e pronave.

Në reagim, delegacioni ka bërë thirrje që protestuesit të shmangin dhunën. Sipas BE-së, dialogu konstruktiv mes të gjitha palëve është e vetmja rrugë përpara për të adresuar shqetësimet legjitime.

“Dënojmë me forcë përshkallëzimin e dhunës gjatë protestës dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. U bëjmë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo akt dhune. Dhuna nuk ka vend në demokraci.

Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore. Dialogu konstruktiv mes të gjitha palëve është e vetmja rrugë përpara për të adresuar shqetësimet legjitime”, thuhet në reagimin e delegacionin e BE-së.

🔗 Shpërndaje
09:54

Bllokohet bulevardi kryesor në Korçë, të rinjtë marshojnë drejt Bashkisë! Hidhen kapsolla (VIDEO)

Dhjetëra të rinj kanë dalë në protestë këtë të enjte edhe në qytetin e Korçës. Të rinjtë janë solidarizuar me protestat e studentëve në kryeqytet që po protestojnë këtë të enjte në ditën e tretë.

Gjatë marshimit të tyre, protestuesit kanë bllokuar bulevardin kryesor të qytetit teksa po shkojnë drejt Bashkisë. Gjatë marshimit janë hedhur kapsolla dhe lëndë piroteknike në rrugë.

🔗 Shpërndaje
09:39

Bojktohet mësimi edhe te gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, të rinjtë vendosin koshat e mbeturinave në hyrje të shkollës

Bojkotimit të mësimit i janë bashkuar edhe gjimnazistët e “Petro Ninit Luarasit”. Siç shihet edhe nga pamjet, gjimnazistë të shumtë kanë dalë jashtë rrethimit të shkollës teksa bëjnë thirrje që bashkëmoshatarët e tyre t’iu bashkohen në bojkotim.

Ata gjithashtu kanë vendosur koshat e mbeturinave para portës së shkollës. Nuk raportohet për incidente të tjera teksa të rinjtë të shumtë janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit dhe Kuvendit.

🔗 Shpërndaje
09:23

Studentët e Gjuhëve të Huaja në Shkodër bojkotojnë sërish mësimin, vendosin pankarta në ambientet e fakultetit

Studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Shkodër kanë bojkotuar sërish mësimin këtë të enjte, në shenjë solidarizimi me studentët në Tiranë.

Ndërsa mësimi është bojkotuar, studentët po qëndrojnë jashtë ambienteve të fakultetit në shenjë revolte.

Sipas pamjeve, studentët kanë vendosur në ambientet e fakultetit pankarta me imazhe që paraqesin dhunën e ushtruar nga policia ndaj studentëve në Tiranë si dhe thirrje për të bojkotuar mësimin në të gjitha shkollat e vendit.

🔗 Shpërndaje
09:13

Gjimnazistët u bashkohen studentëve në protestë, mbërrijnë te Ministria e Arsimit (VIDEO)

Gjimnazistë të shumtë këtë të enjte kanë bojkotuar mësimin dhe kanë mbërritur para Ministrisë së Arsimit. Ata u janë bashkuar studentëve në ditën e tretë të protestës.

Ndërkohë seanca plenare është anuluar teksa ende nuk dihet se si do te veprojnë studentët pasi protesta ishte paralajmëruar të mbahej para Kuvendit. Gjithashtu bëhet me dije se protestuesë janë mbledhur para Kuvendit.

🔗 Shpërndaje
09:11

Gjimnazistët në Kamëz bojkotojnë mësimin, i bashkohen protestës së studentëve

Gjimnazistët në Kamëz këtë të enjte kanë bojkotuar orët e mësimit, duke iu bashkuar protestës studentore.

Protesta e studentëve hyn sot në ditën e saj të tretë. Ishte parashikuar që protestuesit të mblidheshin në orën 10:00 para Kuvendit, në të njëjtën kohë me nisjen e seancës plenare, por vetëm pak minuta më parë, seanca e Kuvendit u anulua.

🔗 Shpërndaje
09:02

Dita e tretë e protestës studentore, anulohet seanca plenare e Kuvendit! Largohen deputetët

🔗 Shpërndaje
08:57

“Blindohet” me efektivë Kuvendi para protestës së studentëve, nuk vendoset kordon dhe perimeter sigurie (VIDEO)

Mëngjesin e kësaj të enjteje, zona përreth Parlamentit të Shqipërisë është ‘blinduar” nga masa të rrepta sigurie. Mjete të shumta policie dhe punonjës të shumtë të forcave të rendit janë vendosur pranë godinës së Kuvendit.

Pavarësisht pranisë së madhe të forcave të rendit, këtë të enjte nuk është vendosur kordoni, perimetri i zakontë i sigurisë përreth zonës.

Përforcimi i masave të sigurisë vjen pasi studentët kanë paralajmëruar se do të zhvillojnë një tjetër protestë përpara Kuvendit ku është parashikuar të mbahet seanca e radhës plenare.

🔗 Shpërndaje
08:55

Protesta e studentëve dhe seanca plenare, Kuvendi “blindohet” nga forca të shumta policie (VIDEO)

Kuvendi është rrethuar nga forca të shumta policie këtë të enjte, teksa pritet të zhvillohet seanca e radhës plenare, si dhe protesta studentore, e cila u thirr ditën e djeshme.

Masat e rrepta të sigurisë vijnë në një kohë kur protesta e studentëve, e cila ka hyrë në ditën e tretë, do të nisë sot në orën 10:00, në të njëjtën orë me seancën plenare në Kuvend.

Sipas pamjeve nga terreni, zona pranë Parlamentit dhe Akademisë së Shkencave është “blinduar” me mjete të shumta dhe punonjës të rendit, si dhe me botë uji, të cilët janë pozicionuar për të siguruar mbarëvajtjen e rendit gjatë zhvillimeve të sotme.

🔗 Shpërndaje
08:29

Gjimnazistët në Korçë braktisin mësimin dhe dalin në rrugët e qytetit, i bashkohen protestës së studentëve

Gjimnazistët në Korçë kanë braktisur mësimin këtë të mërkurë dhe kanë dalë në rrugët e qytetit, në shenjë proteste.

Ata kishin paralajmëruar se do të protestonin në orën 11:00, por pretendojnë, sipas raportimit të gazetarit Xhensil Shkëmbi, se mësuesit do t’u mbyllnin dyert gjatë pushimit të madh, duke mos i lejuar të dilnin për t’iu bashkuar protestës.

Për këtë arsye, gjimnazistët kanë vendosur të braktisin mësimin dhe të marshojnë në rrugët e Korçës.

Kjo protestë zhvillohet në një kohë kur në Tiranë, prej dy ditësh, vijon protesta e thirrur nga studentët, të cilëve u janë bashkuar edhe gjimnazistët. Lëvizja e të rinjve është shoqëruar me tensione dhe përplasje para Ministrisë së Arsimit.

🔗 Shpërndaje
08:16

Rama reagon përherë të parë pas protestës së studentëve, nga zyra e djegur e Kolegjit të Europës: Do i kalojmë bashkë këto orë të vështira

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas ditës së dytë të protestës së studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë, e cila u shoqërua me konfrontime dhe akte që shkaktuan dëme të mëdha materiale, nga bizneset deri te institucionet. Rama ka zgjedhur të reagojë këtë mëngjes nga zyrat e Kolegjit të Europës, te Piramida, si një simbol, sipas tij, të rrugës që Shqipëria ka zgjedhur drejt BE-së. Por, nga ana tjetër, Rama tha se aktet nuk i përkasin studentëve, por opozitës, e cila, sipas tij, kërkon ta lërë Shqipërinë pas.

“Deri dje kjo ishte zyra e Kolegjit të Europës, shkollës së Europës së Bashkuar, që e çelëm në Shqipëri së bashku me udhëheqësit europianë të pranishëm në Tiranë. Sot kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë duart e studentëve. Studentët janë e ardhmja, ata që shohin larg dhe që duan të shkojnë më larg dhe më shpejt. Janë gjithnjë të mirëpritur dhe ne jemi gati të ulemi, të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje.

Këto janë duar të tjera, duart që përpiqen ta ulin Shqipërinë sa herë ajo ngrihet. Këto janë duart e një opozite, e cila, me maska të verbërisë përpara, me zjarr dhe hekur, kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku nuk kthehet kurrë, nga aty ku të gjithë ne së bashku e nxorëm dhe prej ku po e ngjisim drejt majës historike për të gjithë shqiptarët në breza, në BE.

Qëlloi që kjo zyrë e Kolegjit të Europës të jetë sot simboli i gjithçkaje që Tirana dhe Shqipëria po shohin në këto orë të vështira. Janë orë të vështira që do t’i kalojmë të gjithë së bashku, sepse Shqipëria do të vazhdojë në rrugën e saj drejt Europës dhe nuk do të bjerë në ato duar.

Kushdo që mendon se ligji është larg, gabon. Përgjegjësia përpara ligjit është e gjithsecilit. Kushdo që ka dorë do të paguajë, sepse Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë pas.

Edhe e kaluara që u rikthye në këto orë në qendër të Tiranës, si një fantazmë që bën përherë atë që duan ata që të na ulin, e ardhmja është e studentëve dhe e shqiptarëve.”

🔗 Shpërndaje
07:20

4 interpelanca dhe komisioni për fazën II të “Territoriales”, sot seancë plenare në Kuvend! Studentët sërish në protesë

Kuvendi këtë të enjte pritet të zhvillojë seancën e radhës plenare në orën 10:00. Gjithashtu është njoftuar që studentët do të zhvillojnë njëkohësisht protestën  e radhës.

Kuvendi sipas rendit të ditës pritet të mbahet edhe një interpelancë e kërkuar nga PD me ministrin e Brendshëm. Në interpelancë kërkohet që flitet lidhur me reagimin e policisë ndaj protestuesve.

Parashikohen edhe 3 interpelanca të tjera, të shtyra gjatë seancës ku u votua reforma territoriale. Një nga interpelancat është kërkuar me ministrin Enea Karakaçi dhe tjera me ministrin Petrit Malaj.

Rendi i ditës

I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 15.10.2026, ora 10:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 8.10.2026.

2. Njoftime.

3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Ervin Demo, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

4. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Ermal Pacaj.

5. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.

6. Interpelancë me Ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.

7. Projektligji “Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, bërë në Luksemburg, më 13 maj 2025”.

8. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”.

9. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 55/2020, “Për shërbimet e pagesave””

10. Projektligji “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”. 11. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, të ndryshuar”.

12. Projektligji “Për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale”. 13. Projektvendim “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”.

14. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.

🔗 Shpërndaje
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Shoqatat e biznesit kërkojnë mbrojtjen e pronës, Dhoma e Tregtisë: Shkatërrimi i papranueshëm

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në bashkëpunim me shoqatat e biznesit, ka reaguar përmes një deklarate ndaj akteve të dhunës dhe dëmtimit të pronës...
18:00 | 15/10/2026

Rama reagon përherë të parë pas protestës së studentëve, nga zyra e djegur e Kolegjit të Europës: Do i kalojmë bashkë këto orë të vështira

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas ditës së dytë të protestës së studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë, e cila u shoqërua...
08:16 | 15/10/2026

 4 interpelanca dhe komisioni për fazën II të “Territoriales”, sot seancë plenare në Kuvend! Studentët sërish në protesë

Kuvendi këtë të enjte pritet të zhvillojë seancën e radhës plenare në orën 10:00. Gjithashtu është njoftuar që studentët do të zhvillojnë njëkohësisht protestën  e...
07:20 | 15/10/2026