
Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri dënoi të enjten përshkallëzimin e dhunës gjatë protestave në Tiranë, duke u bërë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin aktet e dhunshme.
“Dënojmë me forcë përshkallëzimin e dhunës gjatë protestës dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private”, tha Delegacioni i BE-së në një reagim publik.
“Dhuna nuk ka vend në demokraci”, theksoi ai, ndërsa nënvizoi se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore europiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.
Delegacioni i BE-së bëri gjithashtu thirrje për dialog mes palëve, si rruga e vetme për adresimin e shqetësimeve që kanë nxitur protestat.
“Dialogu konstruktiv mes të gjitha palëve është e vetmja rrugë përpara për të adresuar shqetësimet legjitime”, thuhet në deklaratë.
Reagimi vjen pas përshkallëzimit të protestave të studentëve dhe të rinjve në kryeqytet, të cilat janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe policisë, përdorimin e gazit lotsjellës dhe autobotëve me ujë, si dhe dëmtime të institucioneve publike dhe pronave private. Protestuesit kanë kërkuar përmirësimin e kushteve në arsim dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.






