Bankat e nivelit të dytë kanë vendosur të mbyllin degët brenda unazës së vogël të Tiranës për arsye të sigurisë. Kapitali ka mësuar se të gjitha bankat kanë urdhëruar stafin e tyre që të mbyllë degët dhe të largohet nga puna për në shtëpi duke pezulluar cdo veprim me klientët.
Ky vendim ekstrem ka ardhur si pasojë e përshkallëzimit të protestave në qendër të Tiranës, duke lënë pa shërbim mijëra qytetarë dhe biznese në zonën më të ngarkuar tregtare të vendit.
Burime nga sektori bankar bëjnë me dije se ky hap u ndërmor për të garantuar sigurinë e jetës së personelit dhe për të mbrojtur infrastrukturën fizike të bankave nga rreziku i akteve të dhunës.
Ky izolim i detyruar i qendrës financiare të kryeqytetit dëshmon qartë se si mungesa e rendit dhe dështimi i strukturave ligjzbatuese për të menaxhuar situatën kanë filluar të kenë një kosto direkte mbi ekonominë kombëtare.
Ky bllokim i aktivitetit bankar ekspozon një problematikë shumë më të parakohshme dhe më të thellë: paaftësinë e qeverisë për të garantuar sigurinë publike dhe stabilitetin në pikat kyçe të vendit.
Kur institucionet financiare detyrohen të ulin qepenat në mes të ditës nga frika e dhunës dhe mungesa e kontrollit mbi territorin, sinjali që i dërgohet tregut dhe investitorëve të huaj është ai i një shteti në krizë dhe të paaftë për të ruajtur rendin elementar.
Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se ngjarje të tilla nuk sjellin thjesht humbje ditore në transaksione apo bllokim të xhiros së bizneseve të vogla e të mesme që operojnë në qendër. Impakti është afatgjatë; pasiguria publike e nxitur nga plogështia e strukturave shtetërore dëmton rëndë klimën e biznesit, ul besimin e konsumatorëve dhe rrit kostot e operimit të kompanive.
Në një mjedis ku shteti nuk garanton dot paprekshmërinë e pronës dhe mbarëvajtjen normale të punës, kapitaleve dhe investimeve u kanoset rreziku i largimit, duke goditur direkt rritjen ekonomike dhe stabilitetin e vendit./ kapitali.al














