Përplasje me policisë dhe protestuesve te Ministria e Arsimit, autobotët e ujit mundohen të zmbrapsin studentët, disa të shoqëruar
Policia ka arrestuar 55 persona dhe ka proceduar penalisht 98 të tjerë pas akteve të dhunës dhe dëmtimeve të shkaktuara gjatë protestës së 14 tetorit në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë përplasjeve janë dëmtuar 51 punonjës policie, ndërsa janë goditur institucione shtetërore, banka, biznese dhe automjete.
Sipas Policisë, gjatë tubimit para Ministrisë së Arsimit dhe më pas në akse të ndryshme të Tiranës, grupe protestuesish kanë hedhur gurë, sende të forta, kapsolla dhe kokteje molotovi në drejtim të efektivëve dhe godinave.
Dëmtime janë raportuar në ambientet e Ministrisë së Arsimit, banka, institucione financiare dhe biznese private, si dhe në bankomate, kamera, semaforë, sinjalistikë rrugore dhe kangjella rrethuese.
Policia bën me dije gjithashtu se gjatë protestës është dëmtuar godina e Komisariatit të Policisë Nr. 2, është djegur një automjet policie dhe janë dëmtuar tre automjete të parkuara.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Ushtruan dhunë ndaj punonjësve të Policisë, dëmtuan institucione shtetërore, pronë publike dhe private, si dhe shkatërruan bankomate, kamera, automjete dhe rrethime metalike gjatë tubimit të datës 14.10.2026, arrestohen në flagrancë 55 shtetas.
Procedohen penalisht 98 shtetas të tjerë.
Gjatë tubimit të zhvilluar më datë 14.10.2026, përpara Ministrisë së Arsimit, në rrugën e Durrësit dhe më pas në zona të tjera, dhjetëra pjesëmarrës të maskuar kanë ushtruar akte dhune, duke hedhur gurë, pllaka guri, sende të forta metalike, kapsolla dhe kokteje molotovi në drejtim të punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore, subjekteve private dhe ambienteve publike.
Si pasojë e akteve të dhunës, janë dëmtuar kangjellat rrethuese, muret dhe dritaret e godinës së Ministrisë së Arsimit, si dhe kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistika rrugore. Gjithashtu, janë dëmtuar godina të institucioneve shtetërore, banka, institucione financiare dhe biznese të ndryshme.
Më pas, protestuesit janë zhvendosur në akse të ndryshme rrugore të kryeqytetit, përfshirë bulevardet “Dëshmorët e Kombit” dhe “Gjergj Fishta”, rrugën “Muhamet Gjollesha” dhe rrugën e Durrësit, duke vijuar aktet e dhunës dhe dëmtimet ndaj institucioneve shtetërore dhe subjekteve private.
Gjithashtu, gjatë akteve të dhunës janë dëmtuar fasada xhami, bankomate, kamera, semaforë, sinjalistika dhe kangjella rrethuese të pronës publike dhe private.
Gjatë tubimit, disa prej protestuesve kanë hyrë në rrethimin e godinës së Komisariatit të Policisë Nr. 2, ku kanë goditur me sende të forta dhe lëndë piroteknike, duke dëmtuar xhamat e fasadës së godinës dhe portën hyrëse. Gjithashtu, kanë djegur me lëndë djegëse një automjet të Policisë dhe kanë dëmtuar me sende të forta tre automjete të parkuara.
Gjatë gjithë tubimit, punonjësit e Policisë të planëzuar në shërbim janë përballur me akte të vazhdueshme dhune, përmes hedhjes së gurëve, sendeve të forta, kapsollave dhe koktejeve molotovi nga grupe pjesëmarrësish të maskuar.
Si pasojë, janë dëmtuar 51 punonjës policie.
Në vijim të veprimeve për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, pas kryerjes së veprimeve procedurale:
U bë arrestimi në flagrancë i 55 shtetasve, konkretisht: E. L., 18 vjeç; N. T., 23 vjeç; H. A., 18 vjeç; B. M., 20 vjeç; B. B., 22 vjeç; N. Sh., 18 vjeç; A. Th., 19 vjeç; K. B., 28 vjeç; S. F., 18 vjeç; S. A., 45 vjeçe; A. H., 18 vjeç; J. P., 29 vjeç; Z. M., 30 vjeç; F. B., 18 vjeç; Sh. M., 22 vjeç; E. B., 23 vjeç; V. A., 36 vjeç; A. M., 18 vjeç; D. L., 18 vjeç; N. Ll., 28 vjeç; K. B., 26 vjeç; L. P., 20 vjeç; E. Sh., 18 vjeç; E. K., 19 vjeç; Xh. M., 26 vjeç; Xh. M., 24 vjeç; E. T., 18 vjeç; A. T., 30 vjeç; E. L., 19 vjeç; V. Ll., 27 vjeç; A. K., 22 vjeç; A. Ç., 36 vjeç; G. Q., 18 vjeç; A. Ç., 37 vjeç; D. D., 30 vjeç; E. S., 26 vjeç; E. C., 19 vjeç; E. C., 19 vjeç; A. B., 24 vjeç; G. S., 22 vjeç; E. Sh., 19 vjeç; I. M., 23 vjeç; A. A., 44 vjeç; K. O., 20 vjeç; A. A., 24 vjeç; A. N., 19 vjeç; A. Z., 28 vjeç; A. J., 18 vjeç; R. C., 19 vjeç; S. H., 20 vjeç; K. B., 24 vjeç; R. S., 21 vjeç; R. D., 18 vjeç dhe 2 shtetas të mitur, 15 dhe 17 vjeç.
U proceduan penalisht 98 shtetas të tjerë.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në akte dhune ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe subjekteve private, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të datës 14.10.2026.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Top Channel