E enjte, 15 Tetor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Protesta e djeshme në Tiranë, 55 të arrestuar, 98 të tjerë nën hetim! 51 policë të lënduar

Tiranë – 55 persona janë arrestuar nga policia e Tiranës pas protestës së dhunshme të një dite më parë para ministrisë së Arsimit.

“Dhjetëra pjesëmarrës të maskuar kanë ushtruar akte dhune, duke hedhur gurë, pllaka guri, sende të forta metalike, kapsolla dhe kokteje molotovi në drejtim të punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore, subjekteve private dhe ambienteve publike”, njofton policia.

Reklamë

Si pasojë e akteve të dhunës, janë dëmtuar kangjellat rrethuese, muret dhe dritaret e godinës së Ministrisë së Arsimit, si dhe kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistika rrugore. Gjithashtu, janë dëmtuar godina të institucioneve shtetërore, banka, institucione financiare dhe biznese të ndryshme.

Më pas, protestuesit janë zhvendosur në akse të ndryshme rrugore të kryeqytetit, përfshirë bulevardet “Dëshmorët e Kombit” dhe “Gjergj Fishta”, rrugën “Muhamet Gjollesha” dhe rrugën e Durrësit, duke vijuar aktet e dhunës dhe dëmtimet ndaj institucioneve shtetërore dhe subjekteve private.

Reklamë

Gjithashtu, gjatë akteve të dhunës janë dëmtuar fasada xhami, bankomate, kamera, semaforë, sinjalistika dhe kangjella rrethuese të pronës publike dhe private.

Gjatë tubimit, disa prej protestuesve kanë hyrë në rrethimin e godinës së Komisariatit të Policisë Nr. 2, ku kanë goditur me sende të forta dhe lëndë piroteknike, duke dëmtuar xhamat e fasadës së godinës dhe portën hyrëse. Gjithashtu, kanë djegur me lëndë djegëse një automjet të Policisë dhe kanë dëmtuar me sende të forta tre automjete të parkuara.

Gjatë gjithë tubimit, punonjësit e Policisë të planëzuar në shërbim janë përballur me akte të vazhdueshme dhune, përmes hedhjes së gurëve, sendeve të forta, kapsollave dhe koktejeve molotovi nga grupe pjesëmarrësish të maskuar.

Si pasojë, janë dëmtuar 51 punonjës policie.

Në gjendje të lirë janë proceduar 98 shtetas. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në akte dhune ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe subjekteve private, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të datës 14.10.2026.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.