
Me thirrjet “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Rama jepe dorëheqjen” nxënësit e gjimnazeve të Tiranës pushtuan mëngjesin e së enjtes rrugët e Tiranës.
Video të shpërndara nëpër rrjetet sociale tregojnë se si nxënësit e moshave 15-18 vjeçare bojkotuan mësimin dhe në grupe u nisën drejt Ministrisë së Arsimit për t’ju bashkuar protestës së studentëve që prej dy ditësh po kërkon kushte më të mira në arsim dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Grupet e të rinjve janë drejtuar sërish drejt rrugës së Durrësit ku ndodhet Ministria e Arsimit ku prej 3 ditësh tashmë po protestohet nga studentët dhe të rinjtë.
Përfshirja e nxënësve të gjimnazeve në protestë e zgjeron lëvizjen përtej universiteteve, ndërsa thirrjet për dorëheqjen e Ramës dhe për “revolucion” tregojnë se pakënaqësia po merr një karakter më të gjerë politik.
Pas 4 muajsh protesta paqësore të përditshme në qytet që nuk morën asnjë përgjigje nga qeveria, studentët nisën të martën një demonstratë të dhunshme kundër institucioneve duke shkatërruar godinën e ministrive dhe kryeministrisë.
Sulmet e dhunshme nuk kursyen as bizneset e kateve të para pranë Bulevardit ku janë vendosur institucionet qendrore.
Protesta fillimisht e përqendruar te kërkesat për përmirësimin e kushteve në universitete mori edhe një dimension politik duke kërkuar largimin e kryeministrit.
Forcat policore tentuan të shpërndajnë protestën duke ushtruar dhunë jopropocionale me gaz lotsjellës, ujë me presion dhe konfrontim fizik mbi të rinjtë.







