
Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka urdhëruar të enjten në mëngjes anulimin e seancën plenare të parashikuar për t’u mbajtur gjatë ditës, ndërkohë që protestat e studentëve dhe të rinjve kanë adresuar zemërimin e tyre edhe ndaj deputetëve.
Zyra për shtyp e Kuvendit njoftoi se sipas këtij urdhëri seanca plenare e planifikuar do të mbahej javën tjetër, pa argumentuar arsyet e anulimit, ndërkohë që vendi është përfshirë nga protesta e të rinjve që kanë sulmuar godinat e institucioneve.
Protesta e studentëve dhe nxënësve po shënon ditën e tretë pas afro 4 muaj protesta paqësore të përdistshme që nisën nga kundërshtimi i një projekti kontravers turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit dhe vijuan me kërkesa politike për dorëheqjen e qeverisë.
Zemërimi i protestuesve drejtohet ndaj gjithë klasës politike dhe ndaj parlamentit, ku prej javësh seancat plenare të së enjteve janë shoqëruar me protesta jashtë godinës së tij.
Gjatë protestës të së mërkurës protestuesit bënë thirrje që Kuvendi të ishte një prej objekteve të sulmeve të tyre ndaj institucioneve, ndërkohë që disa godina ministrish u sulmuan me gurë dhe mjete shpërthyese.
Në një status të shpërndarë në rrjete sociale Kryetari i Kuvendit dënoi të mërkurën aktet e dhunës dhe vandalizmit, duke u bërë thirrje protestuesve të respektonin ligjin.
“E drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese, por duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe në respekt të ligjit,” deklaroi Peleshi.






