Dëmtimi i degëve bankare dhe objekteve financiare gjatë protestave në Tiranë ka nxitur reagimin e Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB), e cila dënoi të enjten incidentet dhe u kërkoi autoriteteve të marrin masa për të parandaluar përsëritjen e tyre.
Aktet e dhunës dhe dëmtimet ndaj degëve bankare dhe objekteve financiare janë të papranueshme dhe krijojnë shqetësime për sigurinë e punonjësve e të klientëve, si dhe për vijimësinë normale të shërbimeve bankare, deklaroi shoqata.
Reagimi vjen ndërsa kryeqyteti po përballet prej tri ditësh me protesta të studentëve dhe të rinjve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Tubimet janë përshkallëzuar në përplasje me policinë, e cila ka përdorur gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për shpërndarjen e protestuesve. Gjatë incidenteve janë dëmtuar prona publike dhe private, përfshirë bankomate dhe objekte tregtare.
Në deklaratën e saj, AAB njohu të drejtën e qytetarëve për t’u tubuar dhe për të shprehur pakënaqësitë e tyre, por theksoi se protestat duhet të zhvillohen pa dhunë dhe brenda kuadrit ligjor.
Sipas AAB-së, incidentet nuk duhet të cenojnë funksionimin e institucioneve financiare, ndërsa autoritetet përgjegjëse duhet të garantojnë sigurinë publike dhe mbrojtjen e pronës.
Mbrojtja e punonjësve dhe klientëve, respektimi i pronës private dhe garantimi i vijimësisë së shërbimeve bankare janë thelbësore në çdo rrethanë.