Aktualitet Live From Tirana

“Vota në Shqipëri është fasadë”/Adriatik Lapaj: Qytetarët i dhanë gjithë kohën e duhur qeverisë por tani…

I ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana”, ka qenë Adriatik Lapaj, për të dhënë mendimin e tij mbi protestën studentore në vend:

Ndjesia është e dyfishtë. Ndihem mirë që njerëzit më në fund po reagojnë përballë padrejtësisë, por nga ana tjetër ndihem keq që vendi jonë pas kaq e kaq vite tranzicion detyrohet akoma të jetë shesheve. Kjo nuk është një gjë e mirë me thënë të drejtën. Pushteti i gjatë është thelbi i gjithë problemit. Mungesa e garës ka prodhuar pushtete të gjata politike, të cilat shoqërohen pastaj vetiu me pushtete të gjata në të gjitha dimensionet e shoqërisë, përqendrim të parave në pak duar, përqendrim të pushtetit në pak duar, prishje të konkurrencës dhe largim të njerëzve, humbje të shpresës. Pra, nëse ti lind në një familje të varfër në Shqipëri e ke shumë të vështirë që të ngjitesh shkallët dhe të mund të kërkosh një jetë më cilësore, sepse është prishur ashensori social. Domethënë është një pakicë që zotëron gjithçka, e cila vazhdon jetën nën shprehjen “ç’më duhet mua, unë jam mirë, ne jemi në punë, ne kemi biznese, ne jemi rehat” dhe është një shumicë e cila vuan përditë. Por ja që vjen dita që nëse nuk krijohet një bashkëjetesë cilësore, nëse nuk krijohet një mundësi reale jetese dhe shpresë për të gjithë, shumica e vuajtur e prish qetësinë e vet pakicës së lumtur pastaj.

Shoqëria nuk është në faj kësaj here, sepse i dogji disa etapa, i ezauroi. Unë personalisht kam ndenjur vetë 107 ditë, 24 orë në 24 në protestë para kryeministrisë dhe jam trajtuar dhunshëm nga policia, edhe pse isha shumë paqësor në vetvete. Nga ana tjetër, tani vazhdoi protesta 135 ditë pa ndalim, ku qytetarët ishin model. Edhe në momentin që politika nuk reflekton dhe digjen këto etapa, për pasojë vjen pastaj agravimi i gjësë. Pra, këtu problemi në gjykimin tim modest është te pushteti. Domethënë qytetarët i dhanë gjithë kohën e duhur, durimin e duhur, por u shpërfillën, nuk u konsideruan, u tallën, u nënshtruan. Në kulmin e debatit publik këta shkuan dhe me arrogancë të paparë shkrinë 15 bashki. Nuk dëgjuan as qytetarët, nuk dëgjuan as opinionin publik, pra intelektualët e pavarur, nuk dëgjuan as gazetarët, nuk dëgjuan asnjë. Shkuan në kulm të gjithë problemit dhe u paraqitën me një lloj arrogance të frikshme.

Ne në Shqipëri kemi bërë reforma zgjedhore gjithë kohës, të cilat kanë pasur brenda hilen, kanë pasur brenda qëllimin se si pakica ta mbajë pushtetin në kurriz të shumicës. Nuk kemi pasur si qëllim demokratizimin, duket qartë kjo. Nëse këtu do të kërkohet realisht ndryshimi cilësor i vendit, duhet që thelbi të vihet te ndërtimi i një sistemi ligjor që garanton garën, votën e kthejmë të shenjtë, sepse aty te vota buron çdo gjë. Në Shqipëri problemi është që vota është kthyer thjesht në një pretekst, në një fasadë dhe nuk pasqyron vërtet vullnetin popullor dhe kjo prodhon legjitimitet të pavërtetë për një klasë sunduese. Pra, këtu kemi një pakicë njerëzish të cilët e mbajnë legjitimitetin e tyre në emër të votës, por që në Shqipëri nuk ka votë të lirë, nuk ka mendim të lirë, nuk ka votë që nuk blihet, nuk kërcënohet.

Unë i bëj thirrje të gjithë të rinjve modestisht për sa më takon ta ruajnë pronën private. Nuk duhet të hyjnë në një konflikt social mes privatëve, mes shqiptarëve me njëri-tjetrin. Qëllimi është ta përmirësojmë Shqipërinë, kështu që në këtë pikë duhet ta ruajmë dhe duhet patjetër të gjithë ta ruajnë pronën e njëri-tjetrit. Nuk është ky qëllimi i protestës. Qëllimi i protestës është demokratizimi i vendit.