Aktualitet Live From Tirana

“Ka rënë sistemi”/Ervin Salianji: Edi Rama dhe Sali Berisha po kontrollojnë Shqipërinë si pronën e vet…

I ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana”, ka qenë Ervin Salianji, për të dhënë mendimin e tij mbi protestën studentore në vend:

Ka rënë sistemi, pra për shumë njerëz që përpiqen të bëhen si të habitur nga ky reagim apo sikur nuk e kuptojnë çfarë ka ndodhur. Në Shqipëri ka rënë sistemi që i zgjidh të çështjet demokratike, pra ka rënë vota. Edi Rama ka ndërtuar një autokraci në qeverisje, ndërkohë që Sali Berisha ka ndërtuar një autokraci tjetër në opozitë dhe të dy bashkë në marrëveshje me njëri-tjetrin po kontrollojnë Shqipërinë duke nisur nga interesat ekonomike dhe trajtojnë Shqipërinë si pronë të vetën. Dhe në këtë kontekst, gjimnazistët, studentët, të rinjtë janë kategoria më e përjashtuar nga kjo mënyrë qeverisjeje. Janë më të brendshëm, ndihen të përçmuar, janë të anashkaluar nga çdo vendimmarrje e rëndësishme, janë goditur nga varfëria, që nga ana tjetër varfëria ushqen korrupsionin dhe keqqeverisja e bën akoma më të vështirë jetesën e tyre nga padrejtësitë, nga mungesa e meritës, nga promovimi i krimit edhe i paaftësisë që ju keni parë se si sidomos studentët, ata ekselentët përjashtohen nga vendimarrjet apo nga drejtimi i institucioneve, sepse vendin e tyre e zënë njerëz të lidhur me krimin. Kështu që në këtë sens unë mendoj që është një lajm i mirë për Shqipërinë që të rinjtë në këtë rast kanë marrë në dorë sovranitetin në qytete, në rrugë, në sheshe dhe po kërkojnë një gjë që është normale, që Shqipëria të ketë demokraci. Pra po kërkojnë largimin dhe shëmbjen e një sistemi, në fakt për t’i hapur rrugën një Shqipërie si të gjithë Europa.

Unë mendoj që kjo lëvizje dhe kjo ringjallje e shoqërisë shqiptare nëpërmjet shtresës më të rëndësishme të saj, të rinjve, të cilët janë e tashmja dhe e ardhmja e këtij vendi, bën çdo individ më të përgjegjshëm pas largimit të Edi Ramës dhe Sali Berishës. Unë e kam ndjerë në kurriz padrejtësinë, sepse unë jam burgosur për shkak të luftës politike në këtë vend, për shkak se kam kërkuar një Shqipëri më të drejtë, ku qytetarët mos t’i nënshtrohen vullnetit të krimit, po t’i nënshtrohet qeveria vullnetit të qytetarëve. Dhe sot po shikoj atë që e kam ndjerë kohë më përpara që qytetarët shqiptarë e kanë të papranueshme sot në vitin 2026 që të udhëhiqen nga lidera të cilët i kanë kthyer dhe i kanë pronësuar partitë e tyre për interesa personale, duke promovuar njerëz paaftë, duke promovuar njerëz që nuk kanë lidhje me realitetin dhe nuk përfaqësojnë qytetarët për shkak të një sistemi zgjedhor i cili i bën kryetarët e partive, po themi pronarë real të këtyre partive dhe shmang qytetarët.