Qindra mijëra studentë dhe gjimnazistë kanë hyrë në ditën e tretë të protestës, e cila po përhapet edhe në qytete të tjera të vendit. Përplasjet me policinë, bojkoti i mësimit dhe sulmet ndaj institucioneve apo bankave kanë shoqëruar protestën.
Protesta është shtrirë edhe në Durrës Lushnje, Korçë, Vlorë, Shkodër dhe Kukës. Si rrjedhojë ka përplasje të dhunshme mes të rinjve dhe forcave të rendit në të gjitha qytetet, veçanërisht në kryeqytet.
Në një përgjigje me shkrim drejtuar Reuters-it, cituar nga DW, Rama deklaroi se nuk do të lejonte që dhuna të rrezikonte synimin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
“Kryeministri shqiptar Edi Rama i tha agjencisë Reuters të enjten se nuk do të jepte dorëheqjen përballë protestave të dhunshme të udhëhequra nga studentët, të cilat tashmë kanë hyrë në ditën e tyre të tretë radhazi.
Në përgjigjet me shkrim drejtuar Reuters-it, Rama deklaroi se nuk do të lejonte që dhuna të rrezikonte synimin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, shkruan DW në Facebook.
Disa banka mbyllin degët fizike në Tiranë dhe Durrës
Gjatë ditës së sotme, 15 tetor, numri i institucioneve bankare që kanë njoftuar ndërprerjen e shërbimeve në degët fizike është shtuar ndjeshëm, ndërsa disa prej tyre kanë vendosur mbylljen e të gjithë rrjetit të degëve në Tiranë dhe Durrës, deri në një njoftim të dytë.
Raiffeisen Bank dhe Fibank janë dy prej bankave që kanë njoftuar mbylljen e plotë të degëve të tyre në zonat e përcaktuara, ndërsa Intesa Sanpaolo Bank Albania ka vendosur shkurtimin e orarit të shërbimit në të gjitha degët e Tiranës dhe Durrësit.
Ndërkohë, Intesa Sanpaolo Bank Albania ka vendosur që të gjitha degët e saj në Tiranë dhe Durrës të ofrojnë shërbim vetëm deri në orën 12:00.
Edhe OTP Bank ka zgjeruar masat kufizuese, duke njoftuar mbylljen e 13 degëve në Tiranë. Degët e prekura janë Twin Towers, Downtown, Private Banking, Blloku, Bulevardi Zogu I, Karl Topia, Stacioni i Trenit, Blloku i Ambasadave, Myslym Shyri, Stadiumi Dinamo, Hoxha Tahsim, Laprakë dhe Kamëz.
American Bank of Investments (ABI Bank) ka njoftuar gjithashtu kufizimin e orarit të shërbimit në tetë degë të saj, të cilat do të qëndrojnë të hapura vetëm deri në orën 11:30. Bëhet fjalë për degën qendrore në Rrugën e Kavajës, Pazarin e Ri, Samos Tower, Zogun e Zi, 21 Dhjetorin, Myslym Shyrin, Downtown One dhe Stacionin e Trenit.
Nga ana tjetër, Union Bank ka njoftuar mbylljen e pesë degëve në kryeqytet, përkatësisht Toptani, Piazza, Shallvare, Turdiu dhe Rruga e Kavajës.
Edhe ProCredit Bank ka vendosur mbylljen e përkohshme të agjencisë së saj në Bulevardin Zogu I, deri në një njoftim të dytë.
Pezullohet transporti publik në Tiranë
Transporti publik në Tiranë është pezulluar përkohësisht, pas përshkallëzimit të protestave dhe bllokimit të rrugëve dhe akseve kryesore nga protestuesit, duke paralizuar lëvizjen në disa zona të kryeqytetit.
Bllokimet e qarkullimit, veçanërisht në zonat qendrore të Tiranës, kanë bërë të pamundur vijimin normal të shërbimit të transportit urban, ndërsa situata është rënduar edhe nga sulmet ndaj mjeteve të transportit publik.
Një pjesë e autobusëve janë sulmuar dhe dëmtuar nga protestuesit, duke krijuar rrezik për sigurinë e drejtuesve të mjeteve dhe pasagjerëve.
Shërbimi urban në Tiranë do të qëndrojë i pezulluar deri në normalizimin e situatës dhe krijimin e kushteve të sigurta për rifillimin e qarkullimit.

Si paraqitet situata në disa nga qytetet?
Tiranë
Policia po përdor gaz lotsjellës dhe pompa uji për të shpërndarë protestuesit që po marshojnë që nga mëngjesi nëpër disa prej rrugëve kryesore të Tiranës, duke sulmuar institucione si Ministra e Arsimit, selia e PS-së, bashkia Tiranë, Ministria e Mjedisit dhe banka të ndryshme të nivelit të dytë.
‘Beteja’ mes policisë dhe protestuesve ka qenë e ashpër, veçanërisht pranë selisë të Partisë Socialiste ku është shënuar një moment i paprecedent. Efektivët kanë hedhur gurë në drejtim të protestuesve për të mbrojtur selinë e PS-së.

Pranë qendrës, ashtu si dje, në mes të kryqëzimit ndezën zjarr duke djegur stolat e sheshit, kazanë mbeturinash dhe frigoriferët e kioskave aty pranë.

Durrës
Një situatë tejet skandaloze është shënuar në Universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës. Siç shihet në videon e mëposhtme, pedagogia e UAMD-së ka lagur me ujë dhe ka ofenduar studentët, vetëm sepse po protestojnë!
Në vend që të respektojë të drejtën e tyre për të protestuar, ajo përpiqet t’i pengojë dhe të mos i lejojë të shprehin pakënaqësitë e tyre
Ndërkohë, përplasje të forta ka patur mes protestuesve të rinj dhe policisë në Durrës pranë bashkisë.Studentë dhe gjimnazistë sulmuan pikën e Postës Shqiptare në Durrës dhe aty situata u agravua teksa një efektiv i forcave Shqiponja kapi një të ri dhe e goditi me shkopin e gomës.
Studentët kanë ndezur zjarr pranë Bashkisë së Durrësit në shenjë revolte me qeverisjen socialiste.
Shkodër
Situata është tensionuar nga protesta në Shkodër, ku studentët po hedhin gurë në drejtim të Bashkisë.
Sipas pamjeve, studentët e revoltuar kanë shkruar me bojë në muret e Bashkisë, ndërsa po thyejnë xhamat dhe po hedhin kapsolla drejt godinës.

Policia ka nisur shoqërimin e protestuesve. Protestuesit kanë kundërshtuar shoqërimin dhe kanë tentuar të largohen nga duart e efektivë.
Protestues të tjerë kanë ndërhyrë duke u bërë thirrje protestuesve që që t’i lirojnë ata. “Marre”, dëgjohen duke thënë një zëri ata.

Vlorë
edhe studentët e Vlorës janë ngritur në protestë, duke kërkuar bojkotimin e procesit mësimor dhe bashkimin e studentëve të tjerë në këtë nismë.
Studentët janë futur në klasa, ku u kanë bërë thirrje studentëve të tjerë të ndërpresin mësimin dhe t’i bashkohen protestës.
Ndërkohë një grup studentësh kanë dalë prej Fakultetit të Shkencave Teknike dhe Natyrore dhe po marshojnë në bulevardin e Vlorës.
Ata po protestojnë përgjatë gjithë rrugës duke dërguar thirrje të ndryshme si “Bashkohuni me ne” për studentët e tjerë të qytetit.
Korçë
Tensione janë regjistruar gjatë protestës së të rinjve në Korçë, ku situata është përshkallëzuar dhe protestuesit kanë goditur shefin e Komisariatit të Policisë.
Gjatë tubimit janë dëgjuar thirrjet “Lirojini!” pasi raportohet për persona të shoqëruar nga policia.
Kukës
Rinia e Kukësit ka shkatërruar reklama dhe kanë marshuar nëpër rrugët e qytetit duke iu bashkuar kështu protestës së madhe studentore e zhvilluar në mbarë Shqipërinë.
/ BoldNews












