Trazirat në vend, presidenti Begaj: Zëri i të rinjve duhet dëgjuar, mbetem i hapur për këdo që kërkon dialog

Presidenti Bajram Begaj, ka reaguar për protestat dhe aktet e dhunës të shënuara, duke bërë thirrje për qetësi, maturi dhe dialog mes palëve. Në një mesazh drejtuar qytetarëve, kreu i shtetit thekson se zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht ai i të rinjve, të cilët i cilëson si shpresën dhe të ardhmen e vendit. Megjithatë, ai nënvizon se dhuna nuk mund të jetë zgjidhje, pasi dëmton shoqërinë, cenon sigurinë e qytetarëve dhe polarizon bashkëjetesën demokratike. “Por dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhja”, shprehet Begaj, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për qetësi, përgjegjshmëri dhe dialog në këto momente.

Mesazh i plotë nga presidenti Bajram Begaj

Të dashur qytetarë,Shqipëria është atdheu ynë i përbashkët. Ajo është shtëpia e të gjithëve.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kam ndjekur protestat, kërkesat, por me keqardhje edhe aktet e dhunës së dy ditëve të fundit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht zëri i të rinjve, të cilët përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë. Këtë s’mund ta verë dhe nuk e vë askush në diskutim.

Por dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhja. Ajo dëmton shoqërinë, cenon sigurinë e qytetarëve dhe polarizon bashkëjetesën demokratike.  Në këto momente, vendi ynë ka nevojë për qetësi, përgjegjshmëri dhe dialog. Ka nevojë që dallimet të mos na përçajnë, por të na nxisin të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të gjejmë zgjidhje në interes të qytetarëve dhe të Shqipërisë.

U bëj thirrje të gjithëve të zgjedhin maturinë, të shmangin dhunën dhe të mos lejojnë që tensionet të cenojnë rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit. Inkurajoj forcat e rendit në detyrën e tyre tejet delikate dhe uroj shërim të shpejtë për çdo të lënduar, polic apo protestues.

Me përgjegjësinë dhe tagrat që më jep Kushtetuta, mbetem i hapur për këdo që dëshiron të ketë një hapësirë dialogu dhe mirëkuptimi sikurse i bëj thirrje aktorëve të përfshirë t’i përkushtohen dialogut dhe bashkëpunimit, në të mirë të rinisë, në të mirë të Shqipërisë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

PS a duhet të kandidojë në Bashkinë e Tiranës nga politika apo shoqeria civile?