Tubimi në Tiranë, PD krijon grup avokatësh për protestuesit e shoqëruar apo arrestuar
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u ka bërë thirrje prindërve të flasin me fëmijët e tyre pas dëmtimeve të pasurive kulturore dhe historike gjatë protestave në Tiranë dhe Durrës.
Ai thekson se protesta nuk duhet të shndërrohet në vandalizëm dhe se mbrojtja e trashëgimisë kulturore është përgjegjësi e përbashkët.
DEKLARATA E MINISTRIT BLENDI GONXHJA:
“Të dashur prindër,
Pamjet që po shohim duan reagimin tuaj!
Mes turmës, të mitur e adoleshentë po dëmtojnë pasuri publike, institucione kulturore e trashëgimi historike, muze, teatro, biblioteka, objekte kulti
Si fëmijë, përgjegjësia fillon nga familja.
Flisni me ta. Për t’u kujtuar një kufi që nuk duhet kapërcyer:
Asnjë zemërim nuk justifikon shkatërrimin e asaj që u përket të gjithëve, sot e nesër!
Në Tiranë janë dëmtuar hapësirat e jashtme të Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”; hapësira të Teatrit të Kukullave; Muzeut Historik Kombëtar, Bibliotekës Kombëtare. Është sulmuar edhe hapësira e jashtme e Xhamisë së Et’hem Beut, monument unikal kulture i kategorisë 1! Në Durrës janë shkatërruar vepra e instalacione të Bienales së Artit!
Një muze nuk është i një qeverie.
Një teatër nuk është i një partie.
Një monument kulture nuk është kundërshtari a shënjestra e askujt.
Këto janë pasuri publike kombëtare. Janë tempujt e artit, kulturës dhe kujtesës sonë kolektive. Janë vende ku shkohet për të mësuar historinë e festuar krijimtarinë.
Të dashur prindër, flisni me fëmijët tuaj!
Të protestosh nuk do të thotë të vandalizosh!
Qëndrimet politike mund të na ndajnë; përgjegjësia për ta mbrojtur historinë dhe kulturën duhet të na bashkojë!
Anarkia e kaosi duhet t’i japin vendin arsyes!”
Top Channel