Lajmi i fundit

Dita e 3-të e protestës, studentët kërkojnë dorëheqjen e Ramës në mbarë Shqipërinë

TV publik gjerman ARD: Të rinjtë ngrihen kundër korrupsionit qeveritar, kërkohet largimi i Ramës

TV publik gjerman ARD: Të rinjtë ngrihen kundër korrupsionit qeveritar, kërkohet largimi i Ramës

18:29, 15/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Televizioni publik gjerman, ARD, në edicionin qendror të lajmeve Tagesschau vazhdon t’i kushtojë vëmendje revoltës studentore në Shqipëri.

“Shqipëria ende nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, por është vend kandidat për anëtarësim. Prej disa ditësh, të rinjtë po protestojnë kundër problemeve në sistemin arsimor. Ata e akuzojnë gjithashtu qeverinë e kryeministrit Rama për korrupsion. Shkak për demonstratat u bë një projekt i pasurive të paluajtshme në një zonë të mbrojtur natyrore në Adriatik, ku jetojnë flamingot. Për këtë arsye, ato njihen edhe si protestat e Flamingove. Ndërkohë, demonstratat po përshkallëzohen në dhunë,” raporton televizioni kryesor gjerman. Më poshtë kronika e këtij televizioni.

“Është dita e tretë radhazi që në Tiranë, kryesisht të rinjtë, protestojnë kundër qeverisë shqiptare, shumë prej tyre edhe në mënyrë të dhunshme. Zemërimi i tyre drejtohet kundër korrupsionit, kushteve të këqija të studimit, kostove të larta të arsimimit dhe mungesës së perspektivës për të ardhmen.

Kiara shprehet: “Jam në vitin e dytë të studimeve për stomatologji dhe kam frikë se më vonë nuk do të mund të punoj në profesionin tim. Këtu mund të gjesh një punë vetëm nëse njeh dikë që, nga ana e tij, njeh dikë tjetër”.

Edhe sot, protestuesit po ngrenë barrikada në kryeqytetin shqiptar dhe po sulmojnë forcat e sigurisë me gurë. Deri më tani, raportohet se janë plagosur rreth 100 efektivë policie dhe janë arrestuar më shumë se 100 demonstrues.

Protestat e rregullta kanë nisur që në fund të majit. Në atë kohë u bë e ditur se qeveria shqiptare synonte të realizonte një projekt të pasurive të paluajtshme në një zonë të mbrojtur natyrore. Pas projektit qëndron Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump. Që atëherë, nën emrin “Revolucioni i Flamingove”, protestat zhvillohen çdo ditë, deri tani kryesisht në mënyrë paqësore.

Dje, situata u përshkallëzua gjatë protestave të fundit: ndërtesa qeveritare dhe dyqane në Tiranë u përfshinë nga flakët. Sot në mëngjes, kryeministri shqiptar doli vetë për të parë nga afër situatën. Sipas Edi Ramës, opozita dëshiron të pengojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Edi Rama: “Janë orë të vështira, por orë që do t’i përballojmë të gjithë së bashku, sepse Shqipëria do të vazhdojë të ngrihet. Shqipëria do të vazhdojë rrugën e saj drejt Evropës për të gjithë studentët dhe studentet e saj.”

Demonstruesit kërkojnë dorëheqjen e kreut të qeverisë, por ai synon të qëndrojë në detyrë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco