Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, së bashku me disa shoqata të biznesit, ka reaguar ndaj akteve të dhunës dhe vandalizmit gjatë protestave në kryeqytet, duke kërkuar mbrojtjen e pronës publike dhe private dhe marrjen e masave për parandalimin e incidenteve të tjera.
Në një deklaratë të përbashkët, organizatat e biznesit theksojnë se e drejta për protestë paqësore është themelore në një shoqëri demokratike, por asnjë pakënaqësi apo përplasje politike nuk mund të justifikojë dhunën dhe shkatërrimin e pronës.
Shoqatat shprehin shqetësim për sulmet ndaj institucioneve publike, bankave, qendrave tregtare dhe objekteve të biznesit, duke nënvizuar se pas çdo sipërmarrjeje qëndrojnë investime, vende pune dhe familje që sigurojnë të ardhurat e tyre nga aktiviteti ekonomik.
“Bizneset, punonjësit dhe pronat e tyre nuk mund të bëhen shënjestër e tensioneve politike”, thuhet në deklaratë, ku shtohet se dëmtimi i objekteve private prek jo vetëm pronarët, por edhe punonjësit, klientët dhe ekonominë e qytetit, ndërsa dëmet ndaj pronës publike rëndojnë mbi taksapaguesit.
Organizatat i bëjnë thirrje Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse të marrin masa konkrete për ruajtjen e rendit, mbrojtjen e qytetarëve dhe garantimin e sigurisë së pronës. Ato kërkojnë që ndërhyrjet policore të jenë profesionale, proporcionale dhe në përputhje me ligjin, ndërsa autorët e akteve të dhunës të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi individuale.
Në të njëjtën kohë, shoqatat u kërkojnë organizatorëve të protestave dhe forcave politike të distancohen qartë nga dhuna, të bëjnë thirrje për qetësi dhe të kontribuojnë në ruajtjen e karakterit paqësor të tubimeve.
Një tjetër kërkesë lidhet me dokumentimin e plotë të dëmeve dhe komunikimin e drejtpërdrejtë mes autoriteteve dhe bizneseve të prekura, në mënyrë që të mundësohen denoncimet dhe procedurat përkatëse.
“Qëndrimi ynë është i qartë dhe i pavarur nga çdo përkatësi politike: mbështesim lirinë e shprehjes, protestën paqësore, dialogun dhe zbatimin e ligjit. Kundërshtojmë pa asnjë rezervë dhunën dhe shkatërrimin, pavarësisht se nga kush kryhen”, theksohet në deklaratë.
Reagimi mban firmën e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Manifakturës Shqiptare, Shoqatës së Ndërtuesve, Shoqatës Shqiptare të Turizmit, Shoqatës së Industrisë së Përpunimit të Qumështit, Shoqatës së Industrisë Ushqimore Shqiptare, Shoqatës së Bimëve Medicinale dhe Shoqatës së Grave Profesioniste Afariste dhe Zejtare.


