Gjykata e Tiranës ka vendosur sot masat e sigurisë për protestuesit e arrestuar gjatë ditës së parë të protestës (13 tetor).
Arrest në burg për një prej 18 protestuesve të arrestuar në ditën e parë të protestës (13 tetor), vendosi gjykata ditën e sotme. 6 janë lënë nën arrest shtëpie dhe 11 në detyrim paraqitjeje. Vihet re se mes protestuesve nën arrest shtëpie është dhe Klevi Metaj, 22-vjeçari që u kthye në hero në rrjet pasi u shfaq lidhur me pranga në kangjellat e Ministrisë së Arsimit dhe me fytyrë të gjakosur.
Seanca, me gjyqtare Amarilda Sulaj, nisi në orën 08:30 dhe u zhvillua në grupe. Brenda në gjykatë më herët erdhën edhe forca policore me skafandër e maskë gazi, për të qenë në çdo rast gati nëse ka përshkallëzim të situatës, e cila deri tani është e qetë.
Një pjesë e mirë prej protestuesve ishin të maskuar kur ndodhën sulmet. Më i riu që u arrestua është 23 vjeç, ndërsa të tjerët janë nga 27 deri në 59 vjeç. Mes tyre ka edhe persona të moshave 48, 52, 55 dhe 57 vjeç.
Ndaj të arrestuarve rëndojnë 8 vepra penale, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Dita e parë e protestës përkoi me sulmet ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Tiranës, te bizneset e bankomatet e shkatërruara, koshat e mbeturinave në flakë dhe përplasjet me Policinë, kryeqyteti u përfshi nga akte të dhunshme dhe vandalizmi.
Edhe në Korçë, protesta e 15 tetorit u shoqërua me akte dhune dhe shkatërrime. Policia arrestoi Frenki Leskajn, 21 vjeç, dhe Orgito Karabacën, 19 vjeç, ndërsa vuri nën hetim 23 persona të tjerë, mes tyre 15 të mitur.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajmi kryesor:
Protestat e dhunshme/ 152 të arrestuar dhe 324 nën hetim në 3 ditë, 127 u vunë në pranga vetëm në Tiranë! 23 u kapën në Durrës, 2 në Korçë (EMRAT﹢VIDEO)
Pas 12 orësh akte dhune, sulmesh ndaj institucioneve dhe shkatërrimit të pronës publike e private, Policia ka shoqëruar 180 protestues në Tiranë, të dyshuar si të përfshirë në aktet e dhunës gjatë protestës së djeshme (15 tetor).
Dita e tretë e protestave në Tiranë u shoqërua me shkatërrime masive në rrugët e kryeqytetit. Protestuesit, shumë prej tyre të maskuar, sulmuan me gurë dhe sende të forta efektivët e Policisë, ndërsa dëmtuan disa ministri, godinën e Bashkisë, institucione kulturore, banka dhe dhjetëra biznese private. Disa degë bankare u shkatërruan, ndërsa kioska e biznese të vogla u plaçkitën dhe iu vu flaka. Nuk u kursyen as stacionet e autobusëve, stolat, pemët dhe sinjalistika rrugore.
Protesta nisi në orën 09:00 të mëngjesit dhe vijoi deri në mbrëmje, me përplasje të vazhdueshme mes protestuesve dhe Policisë. Ndryshe nga një ditë më parë, forcat e rendit ndërhynë menjëherë për të penguar sulmet ndaj institucioneve kryesore, duke përdorur gaz lotsjellës, spraj dhe ujë. Nga aktet e dhunës mbetën të lënduar 40 persona, mes tyre 26 efektivë policie.




