Kapet me heroinë dhe kokainë pranë shkollës së mesme në Lushnje/ Arrestohet 31-vjeçari, sekuestrohet Audi 50 mijë euro

16/10/2026 09:20

Një 31-vjeçar është arrestuar në Kolonjë, pasi u kap me doza heroine dhe kokaine, të dyshuara se ishin për shitje. Arrestimi u krye në afërsi të një shkolle të mesme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Kontigjenti”, pas një hetimi njëmujor.

Sipas policisë, i riu, i arrestuar edhe më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, posedonte gjithashtu një automjet luksoz tip “Audi SQ8”, me vlerë rreth 50 mijë euro, që dyshohet se e kishte përfituar nga aktiviteti kriminal.

Njoftimi i policise

Finalizohet si rezultat i një hetimi njëmujor, operacioni i koduar “Kontigjenti”. Goditet një tjetër tentativë për të shitur droga të forta, në afërsi të shkollave të mesme.

Me doza Heroine dhe Kokaine me vete, gati për shitje, arrestohet në afërsi të një shkolle të mesme në Kolonjë, 31-vjeçari, i arrestuar dhe më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

31-vjeçari posedonte një automjet me vlerë 50 000 euro, i dyshuar produkt i veprimtarive në këtë fushë.

Sekuestrohen automjeti dhe sasitë e lëndëve narkotike Heroinë dhe Kokainë, ndarë në doza.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i një hetimi proaktiv, të kryer në koordinim me Prokurorinë, për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të një shtetasi, në fushën e narkotikëve, finalizuan operacionin e koduar “Kontigjenti”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë, në afërsi të një shkolle të mesme në Kolonjë, shtetasi M. S.(K.), 31 vjeç, banues në Kolonjë.

Gjatë kontrollit fizik, 31-vjeçarit iu gjetën doza të lëndëve të dyshuara narkotike Heroinë dhe Kokainë, gati për shitje. Më tej, gjatë kontrollit në banesën e tij, u konstatua se posedonte 1 automjet tip “Audi SQ8” me vlerë rreth 50 000 euro, të cilin dyshohet se e ka përfituar nga veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel