Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ndodhet në Shtetet e Bashkuara për një vizitë zyrtare, e cila përqendrohet te forcimi i marrëdhënieve ushtarake, modernizimi i FSK-së dhe hapat e ardhshëm për zhvillimin e saj.
Të lidhura
None found
Gjatë vizitës, Jashari dhe delegacioni i FSK-së morën pjesë në panairin ndërkombëtar të industrisë së mbrojtjes “AUSA Annual Meeting & Exposition”, të mbajtur në Uashington.
Veprimtaria mblodhi mbi 700 ekspozues dhe delegacione nga më shumë se 100 shtete. Panairi u shërben prezantimit të teknologjive të reja ushtarake dhe ndarjes së përvojave në sektorin e mbrojtjes, ndërsa pjesëmarrja e FSK-së lidhet me përpjekjet për rritjen e kapaciteteve operacionale dhe avancimin e modernizimit të forcës.
Në Pentagon, komandanti i FSK-së u takua me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Luftës për Luftë Jokonvencionale, Colby C. Jenkins.
Gjatë diskutimeve u trajtuan tema të sigurisë, forcimi i bashkëpunimit dypalësh për operacionet speciale dhe çështje të tjera me interes të përbashkët. Në takim u konfirmua gjithashtu mbështetja e Shteteve të Bashkuara për planin e tranzicionit të FSK-së, profesionalizimin e saj dhe përgatitjen për kontribute më të mëdha në sigurinë ndërkombëtare.
Jashari zhvilloi bisedime edhe me përfaqësues të Gardës Kombëtare të Ajovës, të kryesuar nga gjeneral brigade Charles H. Lampe.
Gjatë këtij takimi u vlerësuan arritjet e bashkëpunimit mes FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, ndërsa u përcaktuan edhe prioritetet e planit dypalësh të bashkëpunimit për pesë vitet e ardhshme.
Vizita e delegacionit kosovar në SHBA zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për zgjerimin e partneritetit me institucionet amerikane të mbrojtjes dhe forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të FSK-së.






