Java e 7-të e Abissnet Superiores hapet sot me sfidën Dinamo-Teuta. Një përballje kryesuesish, vendi i parë me të tretin, ndaj dhe pritet një 90-minutësh i luftuar në stadiumin “Elbasan Arena”, prej orës 18:30.
Dinamo e vendit të 3-të vjen në këtë ndeshje pas humbjes me Vllazninë dhe nuk do të humbasë më terren në renditje.
Skuadra e trajnerit Daja ka një mundësi të mirë për të shkurtuar diferencën prej 4 pikësh me durrsakët kryesues dhe për të certifikuar pretendimet e saj për titullin kampion.
Kapiteni Dita dhe Hoxhallari pritet të jenë mungesat e bluve në këtë ndeshje.
Teuta në anën tjetër vjen në një moment shumë të mirë, pas 5 fitoresh radhazi. Edhe pse kjo skuadër ka bërë shumë ndryshime në grupin e lojtarëve, duket se trajneri Tetova ka ditur t’i sistemojë gjërat shpejt për ta bërë efikase. Ndeshja e sotme është një provë e rëndësishme për “Djemtë e detit”.
Ndeshjet e tjera të kësaj jave luhen të shtunën dhe të dielën.