Kapet me kokainë pranë shkollës ‘Pavarësia’ në Vlorë, arrestohet 17-vjeçari që kundërshtoi policinë

16/10/2026 09:38

Një 17-vjeçar është arrestuar në Vlorë pasi u kap me doza kokaine pranë një shkolle në lagjen “Pavarësia”, të cilat dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen.

Sipas Policisë, i mituri kundërshtoi efektivët gjatë ndalimit. Arrestimi u krye në kuadër të operacionit “Shkolla të pastra”, që synon parandalimin dhe goditjen e shitjes së lëndëve narkotike pranë institucioneve arsimore.

Njoftimi i Policise

Vlorë/Vijon operacioni i koduar “Shkolla të pastra”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të institucioneve arsimore.

U kap në flagrancë afër një shkolle, me doza kokaine që dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen, dhe kundërshtoi punonjësit e Policisë, gjatë ndalimit, arrestohet 17-vjeçari.

Sekuestrohen dozat e lëndës narkotike.

Në vijim të kontrolleve të shtuara në kuadër të operacionit policor “Shkolla të pastra” dhe si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Vlorë ka finalizuar një tjetër fazë të këtij operacioni, gjatë së cilës u arrestua në flagrancë një 17-vjeçar, banues në Vlorë.

Ky shtetas, në momentin e ndalimit afër një shkolle, në lagjen “Pavarësia”, ka kundërshtuar punonjësit e Policisë. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën doza lënde të dyshuar narkotike Kokainë, të cilat dyshohet se ai i posedonte me qëllim shitjen.

Në përfundim të veprimeve, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

DVP Vlorë vijon kontrollet dhe veprimet hetimore në kuadër të operacionit “Shkolla të pastra”, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale që lidhen me narkotikët, veçanërisht në mjediset pranë institucioneve arsimore.

Top Channel