Policia bën bilancin e arrestimeve/ Dy të arrestuar, 23 të proceduar në Korçë, reprezalje dhe ndaj 15 të miturve

Policia bën bilancin e arrestimeve/ Dy të arrestuar, 23 të proceduar në Korçë, reprezalje dhe ndaj 15 të miturve

09:38, 16/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Policia e Korçës ka bërë bilancin e arrestimeve të të rinjve nga protesta e zhvilluar të enjten, 15 tetor në qytetin juglindor.

Përmes një njoftimi zyrtar, Policia thekson se gjatë tubimit të djeshëm, janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, ndërsa janë proceduar penalisht 23 të tjerë, shumica prej të cilëve të mitur.  

‘Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. L., 21 vjeç, banues në Voskop dhe O. K., 19 vjeç, banues në Bilisht, si dhe u proceduan penalisht 23 shtetas (15 prej tyre të mitur)’, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë Korçë.  

Njoftimi:

Korçë/Kundërshtuan punonjësit e Policisë, shkatërruan me sende të forta dhe me zjarr, godinat e institucioneve shtetërore dhe prona publike, gjatë tubimit të djeshëm, arrestohen në flagrancë 2 shtetas, procedohen penalisht 23 të tjerë.  

Gjatë tubimit të zhvilluar dje, në qytetin e Korçës, dhjetëra pjesëmarrës, disa prej tyre të maskuar, kanë ushtruar akte dhune, duke hedhur gurë, pllaka guri dhe sende të forta metalike drejt institucioneve shtetërore dhe pronave publike.    

Si pasojë e këtyre veprimeve të kundërligjshme, janë dëmtuar godinat e bashkisë Korçë, Drejtorisë Arsimore, universitetit "Fan. S. Noli" dhe gjimnazit "Raqi Qirinxhi", si dhe kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistika rrugore.        

Gjatë gjithë tubimit, punonjësit e Policisë të planëzuar me shërbim janë përballur me akte dhune dhe kundërshtimi, përmes hedhjes së gurëve dhe sendeve të forta nga grupe pjesëmarrësish të maskuar.  

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. L., 21 vjeç, banues në Voskop dhe O. K., 19 vjeç, banues në Bilisht, si dhe u proceduan penalisht 23 shtetas (15 prej tyre të mitur).  

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të datës 15.10.2026 dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në akte dhune ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe subjekteve private, gjatë kësaj date.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco