Aktualitet

Protesta në Korçë/ 2 të arrestuar e 23 të proceduar penalisht, mes tyre 15 të mitur!

Dy të arrestuar dhe 23 të proceduar penalisht pas akteve të dhunës të një dite më parë në qytetin e Korçës.

Sipas Policisë, gjatë protestës së djeshme, dhjetëra pjesëmarrës, disa prej tyre të maskuar, hodhën gurë, pllaka e sende të forta metalike drejt institucioneve shtetërore dhe pronave publike, duke shkaktuar dëme materiale.

U dëmtuan godinat e Bashkisë Korçë, Drejtorisë Arsimore, universitetit “Fan S.Noli” dhe gjimnazit “Raqi Qirinxhi”. Dëmtime edhe në kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave e në sinjalistikën rrugore.

U arrestuan në flagrancë F.L., 21 vjeç, banues në Voskop dhe O.K., 19 vjeç, banues në Bilisht.

Mes 23 personave të proceduar penalisht, 15 janë të mitur.

Gjatë ditës së djeshme nxënës e studentë në Korçë u ngritën në protesta, në mbështetje të protestave në Tiranë.