Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar: Protesta, e drejtë demokratike! Dhuna dhe vandalizmi janë të papranueshme
Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar ka dalë me një reagim lidhur me protestat e studentëve teksa ka dënuar aktet e dhunës, vandalizmit dhe shkatërrimit të pronës publike e private. Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar më reagim ka shprehur solidaritetin me sipërmarrësit, punonjësit dhe qytetarët e prekur.
“E drejta për të protestuar është e shenjtë në një shoqëri demokratike, por asnjë kauzë politike apo pakënaqësi qytetare nuk mund të shërbejë si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin. Protesta është shprehje e lirisë, ndërsa vandalizmi është cenim i rendit demokratik, i sigurisë dhe i të drejtave të qytetarëve”, thuhet në reagim.
Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar gjithashtu thekson se sulmet ndaj bizneseve nuk dëmtojnë vetëm pronën e sipërmarrësve. Sipas tyre ato rrezikojnë vendet e punës, mirëqenien e familjeve, marrëdhëniet ekonomike dhe besimin e investitorëve.
“Shkatërrimi i pronës publike është po ashtu shkatërrim i pasurisë së përbashkët, për të cilën paguajnë të gjithë qytetarët.
Si një organizim që angazhohet për bashkëpunimin dhe integrimin ekonomik të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, rajon dhe diasporë, Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar e konsideron sigurinë e sipërmarrjes dhe mbrojtjen e investimeve si çështje me rëndësi kombëtare.
Shqipëria ka nevojë për investime të reja, zhvillim ekonomik, vende pune dhe rikthim të kapitalit e përvojës së diasporës. Pamjet e dhunës dhe të shkatërrimit dëmtojnë imazhin e vendit, krijojnë pasiguri dhe cenojnë besimin e atyre që synojnë të investojnë e të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.
Asnjë përplasje politike nuk duhet të zhvillohet në kurriz të sipërmarrjes, të punonjësve dhe të ekonomisë kombëtare”, thuhet në njoftim.
Forumi u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse të garantojnë sigurinë e qytetarëve, mbrojtjen e pronës dhe vazhdimësinë e aktivitetit ekonomik. Në reagim theksohet se aktet e dhunës duhet të hetohen me paanshmëri dhe përgjegjësit të përballen me ligjin, duke respektuar plotësisht të drejtat e protestuesve paqësorë dhe parimin e proporcionalitetit në veprimet e autoriteteve.
“Njëkohësisht, u bëjmë thirrje forcave politike dhe organizatorëve të protestave të tregojnë përgjegjësi publike, të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe të distancohen qartë e pa ekuivok nga çdo formë dhune dhe vandalizmi.
Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar beson se zhvillimi, stabiliteti institucional, respektimi i pronës dhe sundimi i ligjit janë themelet mbi të cilat ndërtohet një ekonomi e qëndrueshme dhe një hapësirë ekonomike shqiptare më e bashkuar.
Shqipëria nuk ndërtohet duke e shkatërruar! Protesta është e drejtë demokratike. Dhuna dhe vandalizmi janë të papranueshëm. Siguria e qytetarëve, mbrojtja e pronës dhe liria e sipërmarrjes janë interesa që qëndrojnë mbi çdo përplasje politike”, thuhet në përfundim të reagimit.
Përplasje të forta mes protestuesve dhe policisë në Burrel, nisin shoqërimet e para (VIDEO)
Shoqata e Bankave: Mos dëmtoni bankat, janë infrastrukturë thelbësore për ekonominë
Dita e katërt e protestës studentore në Tiranë, “blindohet” Kryeministria! Saldohen dritaret e katit të parë (VIDEO)
- 10:31 Sekretarja e re e shtypit në Shtëpisë së Bardhë pranon se nuk ka kaluar provimin e avokatisë, ankesë ndaj saj në Kaliforni
- 10:25 Përplasje të forta mes protestuesve dhe policisë në Burrel, nisin shoqërimet e para (VIDEO)
- 10:15 Shoqata e Bankave: Mos dëmtoni bankat, janë infrastrukturë thelbësore për ekonominë
- 10:13 Dita e katërt e protestës studentore në Tiranë, “blindohet” Kryeministria! Saldohen dritaret e katit të parë (VIDEO)
- 10:04 344 kuti me lëndë piroteknike, arrestohet 24-vjeçari në Tiranë! Policia: Dyshohet se do t’iu shiteshin protestuesve
- 10:04 Nis protesta edhe në Shkodër, të rinjtë marshojnë drejt fakulteteve, bëjnë thirrje për bojkot