Protesta e dhunshme që ka përfshirë prej 3 ditësh Tiranën është shtrirë mbrëmjen e së enjtes, 15 tetor, edhe në Qytetin Studenti, ku një grup protestuesish të maskuar kanë sulmuar konviktet me gurë dhe leva hekuri, duke thyer dyer e dritare të godinave ku strehohen studentet.
Nga pamjet e siguruara nga Report Tv shihet situata kaotike brenda konvikteve, ndërsa studentët shprehen të frikësuar nga sulmi.
“Në Qytetin Studenti, në konvikte, po i thyejnë të gjitha, kemi shumë frikë”, thotë një prej studenteve.
Për këtë episod ka reaguar edhe Policia e Tiranës, e cila konfirmon se një grup protestuesish të maskuar kanë sulmuar godinat e Qendrës Studentore, duke thyer xhamat dhe dyert.
“Një grup protestuesish të maskuar, në orët e mbrëmjes së datës 15.10.2026, kanë shkuar në Qendrën Studentore dhe kanë thyer xhamat dhe dyert e godinave të Qendrës Studentore në Qytet Studenti. Policia ka kryer të gjitha veprimet procedurale dhe vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet në reagimin e Policisë.




