Disa persona janë shoqëruar nga policia në kuadër të hetimeve për shpërthimin me lëndë plasëse në automjetin e efektivit të Policisë së Kriminalistikës, Ardian Baçina, në Shkodër.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 21:00, në lagjen Kiras, e njohur ndryshe si zona e ish-Poçerisë. Shpërthimi shkaktoi dëme në automjetin e efektivit, si dhe në derën hyrëse të banesës së tij.
Sipas të dhënave paraprake, dy persona janë afruar në këmbë dhe kanë vendosur lëndën plasëse në automjet, përpara se të largoheshin nga vendi i ngjarjes.
Grupi hetimor po administron pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, me qëllim identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të shpërthimit.
Deri më tani nuk raportohet për një pistë konkrete që çon te autorët. Sipas dëshmisë së efektivit, ai nuk ka konflikte private, ndaj hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që ngjarja të ketë lidhje me detyrën e tij.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të përfshirë dhe përcaktimin e motivit të vendosjes së lëndës plasëse.













