Një nga bizneset në Tiranë ka boshatisur vitrinat për të shmangur dëmet në produkte nga sulmet e protestuesve që priten të vijojnë edhe përgjatë së premtes. Ndërkohë, të tjera biznese i janë bashkuar mbulimit të fasadave dhe mbylljes së qepenëve duke e shoqëruar shkrimin mbi to “Mbështesim protestën.”
Të mbyllura po ashtu janë edhe degët e bankave pranë qendrës, që u kanë kërkuar qytetarëve t’i marrin shërbimet online.
Transporti publik, i cili një ditë më parë u pezullua, është kthyer disi në normalitet, por me itinerar të ndryshuar. Për shembull, linja Kinostudio-Kombinat devijon te Stacioni i Trenit, kalon te “Zogu i Zi” e më pas te “21 Dhjetori.”
Ndikimi i protestës është ndier edhe te agjencitë turistike që kanë pohuar jashtë kamerave se kanë pësuar anulime të shumta të rezervimeve për shkak të pasigurisë.
Lajmi kryesor:
Protestat/ Ibrahimaj: U sulmuan 15 filiale bankash, depozitat janë të sigurta! Bizneset ulin qepenët: Ju mbështesim, mos na dëmtoni








