Këshilli Ndërfetar apel për paqe dhe dialog: Qytetarët të dëgjohen, por jo të djegin, kurse institucionet të përgjigjen

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë u bën thirrje qytetarëve dhe institucioneve për dialog, përgjegjësi dhe respektim të ligjit, duke theksuar se shqetësimet e qytetarëve dhe të studentëve meritojnë të dëgjohen me seriozitet. Në një mesazh drejtuar shoqërisë shqiptare, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë thekson rëndësinë e ruajtjes së paqes, garantimit të drejtësisë dhe respektimit të dinjitetit njerëzor, në një kohë kur vendi ka nevojë për më shumë dialog dhe më pak përplasje. Përfaqësuesit e komuniteteve fetare zyrtare në Shqipëri nënvizojnë se paqja nuk duhet të nënkuptojë heshtje përballë padrejtësisë, ndërsa drejtësia nuk mund të ndërtohet përmes dhunës. Sipas tyre, institucionet kanë përgjegjësinë të japin përgjigje konkrete, transparente dhe në përputhje me ligjin.

Deklarata e plotë

Paqja është përgjegjësi e përbashkët. Drejtësia është detyrim. Respekti për njeriun është themeli që na bashkon. E ardhmja e Shqipërisë është në duart e brezave që po rrisim sot, ndaj kemi detyrimin t’u lëmë një vend ku drejtësia frymëzon shpresë dhe bashkëjetesa bëhet vlerë e trashëguar. Shqetësimet e qytetarëve dhe të studentëve meritojnë të dëgjohen me seriozitet, ndërsa institucionet kanë përgjegjësinë të japin përgjigje konkrete, transparente dhe në përputhje me ligjin.

Swiss Digital Desktop Reklama

Si përfaqësues të komuniteteve fetare zyrtare në Shqipëri, besojmë se paqja nuk nënkupton heshtje përballë padrejtësisë, drejtësia nuk mund të ndërtohet përmes dhunës dhe autoriteti nuk mund të ushtrohet pa përgjegjësi. Traditat tona fetare na bashkojnë në mbrojtjen e jetës, dinjitetit njerëzor, mëshirës, drejtësisë dhe respektit për tjetrin, pavarësisht bindjeve apo qëndrimeve që përfaqësojmë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Këshilli Ndërfetar rikujton se e drejta për të protestuar paqësisht është një vlerë themelore demokratike, ndërsa dhuna, shkatërrimi i pronës dhe cenimi i të drejtave të të tjerëve nuk mund të justifikohen nga asnjë pakënaqësi apo qëllim.

Dëmtimi i një biznesi familjar prek drejtpërdrejt jetesën e një familjeje; cenimi i një institucioni arsimor prek të drejtën për dije dhe siguri; ndërsa mosrespektimi i një përfaqësie diplomatike dhe i simboleve të saj cenon parimet e respektit të ndërsjellë dhe të bashkëjetesës ndërkombëtare.

Mendojmë se në këto momente, vendi ka nevojë për më pak akuza dhe më shumë dëgjim, për më pak përplasje dhe më shumë përgjegjësi, për më pak ndarje dhe më shumë dialog. Asnjë palë nuk duhet ta shohë tjetrën si armike, por si pjesë të së njëjtës shoqëri, me të drejta, detyrime dhe përgjegjësi të përbashkëta.

Apeli ynë është për të gjithë: qytetarët të dëgjohen, institucionet të përgjigjen, drejtësia të garantohet, ligji të respektohet dhe paqja të mbrohet. E ardhmja e Shqipërisë nuk ndërtohet mbi frikën, shkatërrimin dhe përçarjen, por mbi dinjitetin, besimin e ndërsjellë dhe vullnetin për të gjetur zgjidhje paqësore.

Me përulësi i drejtohemi të gjitha palëve të zgjedhin dialogun mbi konfliktin dhe përgjegjësinë mbi përshkallëzimin, duke vendosur mbi çdo interes të ngushtë të mirën e përbashkët, sigurinë e qytetarëve dhe paqen shoqërore.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A jeni dakort me djegiet e bizneseve që po bëjnë protestuesit?