Debutimi i Egnatias në Kupat e Evropës, në një ndeshje të mbushur me shumë peripeci për shkak të protestave që po zhvillohen në Tiranë, është mbyllur në barazim. Kampionët e Shqipërisë në ndeshjen e parë të grupit në Conference League barazuan 1-1 kundër Midtjylland.

Ildi Gruda kaloi Egnatian në avantazh në minutën e 26-të me një goditje me kokë, por danezët reaguan shpejt, duke barazuar me Cho Gue-sung në minutën e 32-të.

Pavarësisht rasteve të krijuara nga të dyja skuadrat, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund. Egnatia siguroi kështu pikën e parë në këtë aventurë historike europiane.

Edhe pse mund të kishin fituar, referuar faktit që realizuan të parët, por edhe rastet e krijuara në vijim, te Egnatia ishin të kënaqur me pikën e fituar.

“Ishte kënaqësi, unë e shijova ndeshjen. Stadiumi ka pasur shumë pak njerëz, dhe ndoshta oshtin zëri im.

E dinim që ishte kundërshtar i fortë, e respektonin, nuk e kishim frikë. Çdo gjë që punuam rezultoi e saktë, më vjen keq për golin e parë, sepse e kishim punuar. Duhet të pranojmë eksperiencën e tyre Europiane. Nuk di nga t’ia filloj për të lavdëruar çunat. Më pëlqen që nuk vuajtëm fizikisht. Me raste mund të jemi të barabartë, me zotërim ata janë më të fortë se ne. Shifrat nuk tregojnë realisht nivelin tonë.

Nuk e përcaktojnë dot nivelin tonë as ata, ekip me buxhet të madh dhe me histori. Ne treguam se kush jemi. Sa mirë dimë të luajmë edhe futboll. Ata kanë eksperiencë shumë të madhe Europiane, ne jemi në hapin e parë, e rëndësishme është që nuk gabuam. Vetëm 1 humbje kemi, kjo më bën të jem optimist dhe ta shikoj gotën gjithmonë plotë,”-u shpreh trajneri Dede pas ndeshjes.

Ndeshja Egnatia-Midtjyland fillimisht ishte parashikuar të zhvillohet të enjten në Air Albania, por vetëm pak orë para sfidës UEFA pranoi të zhvendoste në ‘Elbasan Arena’ për shkak të pasigurisë në kryeqytet.

Sfida e radhës në Conference League për Egnatian do të jetë në transfertën daneze kundër Aarhus më 22 tetor.