Dita e katërt e protestave në Tiranë u shoqërua sërish me dhunë, shkatërrime dhe përplasje të ashpra me Policinë. Prej orës 11:00, protestuesit e maskuar marshuan nëpër rrugët e kryeqytetit, duke sulmuar me gurë efektivët dhe institucionet, djegur kosha e shkatërruar gjithçka që u del para.

Protestuesit i vunë flakën derës së Ministrisë së Ekonomisë, thyen dyer e dritare në Kryesinë e Kuvendit, ndërsa për rreth tri orë u përplasën me Policinë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke hedhur breshëri gurësh drejt efektivëve. Policia ndërhyri disa herë me ujë dhe gaz lotsjellës dhe aktualisht janë shpërndarë në rrugët e Tiranës.

Marshimi nisi rreth orës 11:00, ndërsa grumbullimi para Ministrisë së Arsimit ishte fillimisht më i qetë se në ditët e mëparshme. Por rreth orës 13:10 nisën përplasjet e para, me protestuesit që hodhën gurë drejt godinës dhe Policisë. Efektivët ndërhynë me gaz lotsjellës dhe ujë, ndërsa tensionet vijuan për rreth dy orë.

Më pas, protestuesit u zhvendosën te Ministria e Ekonomisë, ku sulmuan me gurë efektivët dhe i vunë flakën derës së godinës. Pas ndërhyrjes së Policisë, marshimi vijoi drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku u sulmua edhe Kryesia e Kuvendit. Protestuesit u ngjitën në dritaret e godinës, i thyen ato dhe goditën derën për ta shqyer, ndërsa Policia ndërhyri me gaz lotsjellës.

Përplasjet më të ashpra u zhvendosën më pas në Bulevard, pranë Kryeministrisë. Protestuesit sulmuan me breshëri gurësh efektivët, ndërsa Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë.

Rreth orës 19:00 protestuesit kanë nisur të shpërndahen dhe të marshojnë në disa zona të ndryshme të kryeqytetit. Ata tenruan sërish t'i afrohen kryeministrisë, por policia ka krijuar kordon duke mos i lejuar të vijnë pranë institucionit.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:31
Tensionohet situata pranë Parlamentit, protestuesit e maskuar hedhin gurë e flakadanë drejt efektivëve të Policisë

1792171944_dtifyo.JPG

Protesta e dhunshme në Tiranë po vijon për të katërtën ditë rresht. Sëfundmi protestuesit e maskuar janë pozicionuar pranë një qendre tregtare afër Parlamentit dhe po sulmojnë me gurë e sende të forta në drejtim të efektivëve të Policisë.

Protestuesit gjithashtu kanë bllokuar edhe rrugën, ndërkohë që në drejtim të efektivëve të Policisë janë hedhur edhe flakadanë.

Ora 19:29
Sërish tensione, protestuesit hedhin fishekzjarre drejt policisë te 'Bulevardi Dëshmorët e Kombit'

1792171737_protestatkunderqeverise.jpg

Protestuesit hedhin fishekzjarre drejt policisë te 'Bulevardi Dëshmorët e Kombit'.

Ora 19:15
Protesta e dhunshme në Vlorë, Policia shoqëron në komisariat disa prej pjesëmarrësve

1792170939_fiuyt.JPG

Disa protestues që morën pjesë në protestat e zhvilluara në Vlorë janë shoqëruar nga Policia.

Efektivët e uniformave blu kanë ndërhyrë duke i marrë disa prej tyre nga banesat dhe duke i shoqëruar në ambientet e Policisë së Vlorës.

Deri më tani nuk ka informacion të plotë mbi arsyet e shoqërimit dhe numrin e protestuesve të shoqëruar.

Shoqërimet vijnë pas protestave në qytetin e Vlorës, të cilat janë në vazhdën e protestave të zhvilluara për të katërtën ditë në Tiranë.

Ora 19:13
Protesta/ Protestuesit shpërndahen drejt rrugëve të Tiranës, djegin dy kosha mbeturinash! Hedhin edhe kapsolla

1792170954_protestatkunderqeverise.PNG

Një grup protestuesish janë duke marshuar drejt qendrës.

Ata kanë djegur edhe 2 kosha mbeturinash në mes të rrugës, teksa kanë hedhur edhe kapsolla.

Ora 19:02
Protesta/ Policia ndërhyn te Kryeministria, protestuesit shpërndahen nëpër rrugë

1792169784_protestatkunderqeverise.JPG

Pas ndërhyrjes së fundit të Policisë te Kryeministria, protestuesit janë shpërndarë në disa rrugë të kryeqytetit. Ata po lëvizin në drejtim të Tajvanit, Rrugës së Elbasanit dhe përgjatë Unazës drejt qendrës së Tiranës.

Ora 18:56
Protesta në Tiranë, 11 të lënduar mes tyre 3 të mitur! Ministria e Shëndetësisë jep të dhënat e fundit

1792079866_spitaliitraumes.jpg

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar bilancin e të lënduarve nga protesta e 16 tetorit në Tiranë. Sipas të dhënave të përditësuara në orën 18:45, në Spitalin Universitar të Traumës janë trajtuar 11 persona, mes tyre 3 të mitur.

Nga të lënduarit, 6 janë protestues, përfshirë 3 të mitur, 3 janë efektivë policie dhe 2 janë kalimtarë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në momentin e përditësimit në urgjencën e Spitalit të Traumës ndodheshin ende 2 protestues, në gjendje të mirë shëndetësore dhe duke iu nënshtruar ekzaminimeve, si dhe një efektiv policie, gjithashtu në gjendje të mirë shëndetësore.

Ora 18:55
Dhunë e plaçkitje në Tiranë, protestuesit shkatërrojnë semaforët në bulevardin Dëshmorët e Kombit

1792169742_dtyifyupo.JPG

Aktet vandale të protestuesve të dhunshëm në Tiranë po vijojnë për të katërtën ditë.

Mes valës së plaçkitjeve të kryera nga ta gjatë orëve të fundit, pre e shkatërrimit kanë rënë edhe semaforët në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Ora 18:51
Përshkallëzohet protesta/ Protestueses i bie bombola e gazit në kokë, lëndohet e reja

1792169736_gocaelenduar.jpg

Një protestuese i ka rënë bombola e gazit në kokë, në mesin e tensioneve të protestës.

E reja ka pësuar lëndime.

Ora 18:45
Bulevardi Dëshmorët e Kombit në 'arenë lufte', protestuesit me maska u hedhin mbrapsht gazin lotsjellës efektivëve

1792169278_gazlotsjelles.jpg

Bulevardi Dëshmorët e Kombit është khyer në 'arenë lufte'. 

 Protestuesit me maska u hedhin mbarpsht gazin lotsjellës efektivëve.

Ora 18:37
Protestuesit e maskuar bllokojnë rrugën me koshat e mbeturinave në Tiranë

 

Sërish tenisone në protestën që po zhvillohet në Tiranë.

Një grup protestuesish të maskuar kanë bllokuar rrugën me koshat e mbeturinave, ndërsa dëgjohen të brohorasin njëzëri.

Ora 18:20
Protesta vijon në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit', protestuesit qëllojnë me gurë, policia përgjigjet me ujë e gaz lotsjellës

 

Ndërsa në Tiranë po bie nata, përplasjet mes protestuesve dhe policisë vijojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Protestuesit dhe forcat e rendit janë pozicionuar përballë njëri-tjetrit, në dy anët e bulevardit. Në mes është selia e kryeministrisë. Grupe protestuesish të maskuar e të shpërndarë në turma lëvizëse po hedhin vazhdimisht gurë drejt efektivëve, ndërsa policia, e vendosur në pozicion mbrojtës, përgjigjet me ujë dhe gaz lotsjellës.

Bulevardi duket i ndarë në dy pjesë, me protestuesit në njërën anë dhe policinë në tjetrën, ndërsa tymi ka mbuluar zonën. 

Ora 18:11
Përshkallëzohen përplasjet në tubimin e dhunshëm, efektivët e Policisë shoqërojnë me forcë protestuesin në bulevard

 

Përplasjet mes protestuesve të dhunshëm dhe efektivëve të Policisë janë përshkallëzuar ditën e sotme.

Në një moment, në bulevardin Dëshmorët e Kombit, disa efektivë Policie kanë shoqëruar me forcë një protestues.

Ora 17:46
Protesta në Tiranë, mijëra gurë të hedhur drejt policisë mbulojnë asfaltin! Ja si duket bulevardi 'Dëshmorët e Kombit'

Këtë të premte bulevardi “Dëshmorët e Kombit”u mbush me mijëra gurë nga pllakat e thyera, që protestuesit i përdorën për të qëlluar drejt policisë gjatë ditës së tretë të protestës që ka tronditur kryeqytetin. 

 

Ora 17:32
Dhunë e kaos para Kryeministrisë, protestuesit e maskuar sulm me pllaka trotuari e sende të forta policëve! Efektivët u përgjigjen me ujë e gaz lotsjellës

Protestuesit kanë përshkallëzuar aktet e dhunës në bulevardin Dëshmorët e Kombit, para godinës së Kryeministrisë.

Persona të maskuar kanë sulmuar me pllaka trotuari dhe sende të forta efektivët e Policisë, që janë pozicionuar në mbrojtje të institucioneve.

Nga ana tjetër, 'Blutë' u janë përgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës. 2 makina ujëhedhëse janë pozicionuar para godinës së Kryeministrisë.

Ora 17:18
Mes kaosit dhe akteve vandale para Kryeminstrisë, shpërndahet bukë e alkool etilik (VIDEO)

 

Protesta para Kryeministrisë ka përshkallëzuar në akte vandale.

Por mes tensioneve të protestës në një stol aty pranë ka vendosur disa bukë dhe alkool etilik për të gjithë ata që mund të duan të ushqehen apo kanë ndonjë problem shëndetësor.

Ora 17:09
Protestuesit e maskuar i japin direktiva njëri-tjetrit pasi sulmojnë me gurë te Kryeministria: Tërhiquni çuna, afrohuni këtej (VIDEO)

 

Është përshkallëzuar situata te Kryeministria. Ndërsa protestuesit e maskuar kanë sulmuar me gurë, disa të tjerë dëgjohen të thonë që tani të tërhiqen.

“Tërhiquni çuna, afrohuni këtej të gjithë. Mos gjuani këtej se hedhin gazlotsjellës”, dëgjohet të thotë dikush.

Ora 17:07
Protesta në Tiranë, 5 persona marrin ndihmën mjekësore te Trauma! Mes tyre një efektiv policie dhe dy të mitur

1792163661_IMG4791.webp

Pesë persona janë paraqitur për ndihmë mjekësore në Spitalin Universitar të Traumës, gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë.

Sipas përditësimit të orës 17:00 mbi gjendjen shëndetësore të të lënduarve, mes tyre janë një efektiv policie, dy të mitur të moshës 16 dhe 17 vjeç, një protestues dhe një kalimtar.

Efektivi i policisë ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe është larguar nga spitali. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me njërin prej dy të miturve, ndërsa tjetri vijon të jetë nën ekzaminim.

Ndërkohë, protestuesi dhe kalimtari paraqiten me gjendje të mirë shëndetësore.

Ora 16:24
Protesta/ Protestuesit breshëri gurësh efektivëve te Kryeministria, policia përgjigjet me gaz lotsjellës (VIDEO)

 

Protestuesit kanë sulmuar ashpër me gurë efektivët e policisë përballe Kryeministrisë. Policia përgjigjet me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Ora 16:10
Protestuesit sulm Kryesisë së Kuvendit, thyejnë dritaret dhe derën! Policia hedh gaz lotsjellës (VIDEO)

 

Protestuesit janë vendosur në bulevardin Dëshmorët e Kombit, ku kanë thyer dyert dhe dritaret e Kryesisë së Kuvendit. Policia ka reaguar menjëherë me gaz lotsjellës.

Ora 16:04
Protestuesi para Kryeministrisë: Jemi kundër kësaj qeverisje, kanë shkatërruar reformën në drejtësi (VIDEO)

 

Para kryeministrisë ku edhe janë zhvendosur protestuesit, njëri prej tyre tha se janë kundër kësaj qeverie. Sipas tyre kryeministri Edi Rama ka shkatërruar reformën në drejtësi

“Kanë shkatërruar ekonominë e vendit. Jemi kundër qeverisjes. Jemi kundër kësaj qeverisje antinjerëzore. S'ka arsim, s'ka shëndetësi. S'duam shkatërrim, duam të jemi bashkë. Rama ka shkatërruar reformën në drejtësi”, tha protestuesi.

“Arresto por mos dhuno, mos tregoni forcën me shkopin e gomës”, tha një protestuese tjetër.

Ora 16:03
Plaçkitje e akte vandalizmi, Report Tv siguron pamje nga shoqërimi i protestuesve të dhunshëm në Tiranë

 

Report Tv ka siguruar pamje nga momentet e shoqërimit drejt komisariateve të disa protestuesve të dhunshëm në Tiranë.

Gjatë këtyre ditëve të protestave, Policia e Shtetit ka arrestuar gjithsej në të gjithë vendin 152 persona, ndërsa 324 të tjerë janë vënë nën hetim në gjendje të lirë.

Bilanci më i lartë i arrestimeve është regjistruar në kryeqytet, ku protestat janë shoqëruar me akte dhune dhe vandalizmi.

Ora 15:48
Akte vandale në kryeqytet, protestues të maskuar i vënë flakën derës së Ministrisë së Ekonomisë

 

S'kanë të ndalur aktet vandale të protestuesve në Tiranë. Një grup me maska i kanë thyer dhe i kanë vënë flakën derës së Ministrisë së Ekonomisë.

Fatmirësisht flakët u shuan në kohë, pa arritur që të marrin përmasa më të mëdha.

Ora 15:41
Protestuesit shqyejnë derën e Ministrisë së Ekonomisë, futen brenda godinës!

 

Protestuesit kanë thyer derën e godinës së Ministrisë së Ekonomisë në Tiranë.

Një pjesë e tyre janë futur brenda, ndërkohë që planifikohet që t'i vihet flaka godinës.

Ora 15:29
Protesta në Tiranë, protestuesit marshim drejt Ministrisë së Ekonomisë! Hedhin gurë drejt policisë (VIDEO)

 

Protestuesit kanë vijuar marshimin drejt Ministrisë së Ekonomisë.

Një grup protestuesish kanë hedhur gurë drejt policisë.

Ora 15:25
Sulmohet gazetari i Report TV gjatë protestës në Gjirokastër, një protestues i thyen telefonin teksa raportonte para komisariatit (VIDEO)

Gazetari i Report TV, Piro Nase, është sulmuar gjatë raportimit nga protesta përpara komisariatit të Gjirokastrës. Një protestues i mitur e i maskuar i ka thyer telefonin gazetarit, duke i kërkuar të mos e xhironte.

Ngjarja ka ndodhur në një moment tensioni, ndërsa dhjetëra protestues, kryesisht nxënës, ishin grumbulluar përpara komisariatit, ku policia kishte nisur shoqërimet.

"Deri para 20 minutash ishte një moment tensioni ku një grup të rinjsh erdhën nga lagjia 18 shtatori në drejtim të Komisariatit për të protestuar, pasi disa prej tyre në lagje kishin dëmtuar tabela sinjalizuese. Unë kam tentuar të marr një intervistë të rinjve. Aty ishte një episod që e shmanga. Nuk donin të identifikoheshin kur unë i pyeta nga cila shkollë vinin. Reagimi ishte emotiv i një djali shumë të ri në moshë që reagoi duke dëmtuar celularin. Në këtë moment ndërhyri policia që pengoi një përplasje frontale. Gati 5 të rinj janë shoqëruar ku janë marrë në pyetje në prezencë të psikologes. Shumica e tyre janë lënë të lirë” tha Nase.

Ora 15:05
Protestuesi 23-vjeçar i kërkon policisë të heqin autobotin: Nuk kemi gjë me ju, por me qeverinë (VIDEO)

 

Në mes të kaosit një protestues i thotë Policisë që nuk kanë gjë me ta por me qeverinë. Ndërkohë për Report Tv 23-vjeçari thotë se ka dalë këtu për të ardhmen.

"Hiqe autobotin se nuk kemi gjë me ju. Motra ime është 13 vjeç po luftoj për të ardhmen e saj, jam 23-vjeç. Policia e shtetit nuk ka faj, Edi Rama e ka fajin. Pushteti nuk mbahet me dhunë. Çfarë do bëjmë o shefi. Këtu do të jemi çdo ditë. para 7 vitesh më kanë lënë pa shtëpi. Kam qenë me ilaçe për shkak të depresionit. Është shumë e keqe situata. Këtu është luftë se duan të hanë derrat", thotë ai.

Ora 14:58
Sulmet me gurë drejt policëve, hidhet sërish ujë dhe gaz lotsjellës te Ministria e Arsimit (VIDEO)

 

Policia ka hedhur ujë dhe gaz lotsjellës te Ministria e Arsimit për shpërndarjen e protestuesve.

Ora 14:35
Episod përplasjesh, policia tenton të shpërndajë protestuesit me ujë me presion, intensifikohen sulmet me gurë (VIDEO)

 

Policia po hedh ujë me presion për të sprapsur protestuesit, ndërsa këta të fundit po hedhin gurë të shumtë drejt efektivëve.

Ora 14:27
Protestuesit shkulin pllakat dhe i thyejnë, sulmojnë me gurë efektivët dhe Ministrinë e Arsimit (VIDEO)

 

Protestues të maskuar vijojnë të shkulin pllaka nga trotuaret dhe më pas t’i thyejnë për t’i gjuajtur drejt efektivëve ose Ministrisë së Arsimit. Hera-herës, përplasja mes palëve tensionohet dhe policia hedh ujë për t’i shpërndarë.

Ora 14:22
Protestuesit lënë koshin e mbeturinave te dera e Ministrisë së Arsimit (VIDEO)

 

Protestuesit kanë marrë një kosh mbeturinash të cilin e kanë tërhequr zvarrë nëpër “Rrugën e Durrësit” për ta vendosur në hyrjen e Ministrisë së Arsimit.

Ora 14:12
Protestuesit në Elbasan dëmtojnë shtyllat e ndriçimit rrugor, semaforë të copëtuar, tabela dhe kosha mbeturinash në rrugë! (VIDEO)

 

Pamjet e siguruara nga Report TV nga protesta në Elbasan tregojnë dëmtime në rrugë dhe tabela të prishura.

Disa protestues shihen duke dëmtuar semaforët dhe shtyllat e ndriçimit rrugor.

Ggjithashtu shihen kosha mbeturinash të vendosur në mes të rrugës ku në vendngjarje ndodhet edhe zjarrfikësja. Protestës i janë bashkuar gjimnazistët e Prrenjasit. Ata kanë marshuar nëpër rrugët e qytetit duke shpethyer edhe materiale te vogla pirroteknike.

Ora 13:52
Vijojnë sulmet me gurë te Ministria e Arsimit, policia hedh ujë! Të tjera shoqërime, vajzat thirrje turmës të ndalojë goditjet (VIDEO)

 

Vijojnë sulmet te Ministria e Arsimit mes protestuesve të maskuar që qëllojnë me gurë drejt policisë. Në përgjigje, policia ka hedhur ujë dhe ka shoqëruar disa protestues.

Një grup vajzash ka krijuar një rresht dhe po i kërkojnë turmës të mos gjuajë më.

Ora 13:48
Protesta në Vlorë zhvendoset te selia e PS-së, protestuesit çajnë kordonin e policisë! Një vajzë humb ndjenjat, dërgohet me ambulancë në spital (VIDEO)

 

Disa prej protestuesve në Vlorë kanë çarë kordonin e policisë dhe kanë hyrë brenda selisë së Partisë Socialiste në qytetin bregdetar

Gjatë protestës, si pasojë e shtyrjeve, një vajzë e re ka humbur ndjenjat dhe është shoqëruar me urgjencë me ambulancw drejt Spitalit Rajonal të Vlorës.

Ndërkohë, protestuesit janë zhvendosur më pas pranë gjimnazit “Ali Demi”, që ka qenë ndalesa e fundit e tubimit. Aty kanë vijuar të shprehin kërkesat e tyre, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Ora 13:43
Protesta në Durrës, protestuesit grumbullohen para Drejtorisë së Policisë! Kërkojnë lirimin e të ndaluarve (VIDEO)

 

Rreth 20-30 persona janë grumbulluar përpara Drejtorisë së Policisë në Durrës, ku kërkojnë lirimin e personave të ndaluar.

Grupi qëndron përpara ambienteve të policisë, duke kërkuar që të ndaluarit të lirohen ndërkohë që forcat e rendit kanë rrethuar godinën. 

Ora 13:40
Protestuesit për Report Tv: Duam kushte në shkollë, të mos detyrohemi të emigrojmë! Të na dëgjohet fjala, Rama të dorëhiqet

 

Një protestues i maskuar tha për Report Tv se gjithçka kërkojnë është kushte më të mira në shkollë, mundësi për punësim pas diplomimit dhe strehim. I riu, i cili ishte i maskuar tha se protesta paqësore s’ka pasur asnjë efekt, ndërsa shprehu mbështetje edhe për protestën e dhunshme të 4 ditëve të fundit, ndonëse kundër sulmit të bizneseve.

“Po protestojmë për kushtet e shkollës, pasi të mbarojmë shkollën është e pamundur për të gjetur punë. Është e pamundur të blesh një shtëpi në këtë ekonomi, as garsoniere s’blen dot. Këto janë maja e ajsbergut. Edhe kur pyet profesorët si t’ia bëj për të gjetur punë, thonë është e pamundur. Protestat i shoh të arsyeshme, jam kundër prishjes së bizneseve private. Janë diku te 4 muaj e pak që dalim në protestë dhe nuk kanë bërë asgjë kur kemi protestuar paqësisht”, tha protestuesi.

Një protestuese tha se ka “101 arsye për të protestuar”, por solli në vëmendje emigrimin. Ajo nënvizoi se gjithçka kërkojnë është të dëgjohen, teksa bëri thirrje për rezistencë dhe jo panik e lajme të rreme.

“Protesta ka 101 arsye, do përmend veç një. Çdokush që është kundër protestës nuk ka pasur askënd jashtë shtetit, askënd emigrant, nuk është rritur pa një prind në shtëpi për të jetuar një jetë më të mirë. Pse duhet të shkojmë jashtë shtetit kur duam të bëjmë Shqipërinë më të mirë? Po kërkojmë kushte, të ushqehemi, qiraja mos të jetë sa kemi rrogën dhe të na dëgjohet një herë fjala. Ky kaos nuk duhet të ishte bërë. Që ditën e parë të protestës duhet të ishim dëgjuar. Mos hiqni dorë, mos përhapni panik, mos përhapni lajme false”, tha protestuesja.

Thirrja kryesore e disa protestuesve të tjerë të maskuar ishte dorëheqja e Ramës.

Ora 13:36
Sulme me gurë efektivëve, tensionohet sërish situata mes protestuesve e policisë, disa të shoqëruar (VIDEO)

 

Një tjetër episod përplasjeje mes protestuesve dhe policisë, e cila është qëlluar me gurë nga pala tjetër. Menjëherë ka nisur hedhja e gazit lotsjellës, si dhe shoqërimet.

Ora 13:28
Vijon përplasja para Ministrisë së Arsimit, protestuesit gurë efektivëve, hidhet sërish gaz lotsjellës (VIDEO)

 

Vijon përplasja para Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit po sulmojnë me gurë efektivët e Policisë, ndërsa forcat e rendit kanë përdorur sërish gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.

Ora 13:12
Protestuesit me maska sulm me gurë efektivëve, Policia i shpërndan me ujë e gaz lotsjellës (VIDEO)

 

Protestuesit sulmuan me gurë efektivët para Ministrisë së Arsimit. I menjëhershëm ishte reagimi i bluve që ndërhynë duke i shpërndarë me ujë dhe gaz lotësjellës. 

Ora 13:07
Protesta në Durrës, policia shoqëron disa protestues! U kapën me shishe molotovi në makinë (VIDEO)

 

Disa protestues të rinj të universitetit “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit janë shoqëruar në polici pas një përballjeje me efektivët në ambientet e jashtme të universitetit.

Sipas raportimeve ata donin të organizoheshin e të vinin në qendër të Durrësit ku u janë kapur me shishe molotovi në makinë. 

Ora 13:02
Protestat e dhunshme në Tiranë, mbyllet Ambasada e Izraelit: Po veprojmë njësoj si bizneset në zonat e tubimeve

1792148776_flamuriiizraelit.jpg

 Ambasada e Izraelit në Tiranë njoftoi mbylljen e saj të përkohshme. Çështjet konsullore urgjente thotë selia diplomatike e Tel Avivit, do të mund të vlerësohen në numrin telefonik emergjent të Ambasadës.

Godina e ambasadës izraelite ndodhet në një nga zonat ku protestuesit kalojnë më shpesh gjatë lëvizjeve të tyre nëpër Tiranë, përballë Katedrales ortodokse në kryeqytet në aksin rrugor që lidh qendrën më zonën e ish bllokut.

"Për shkak të zhvillimeve të fundit, Ambasada e Izraelit në Tiranë është aktualisht e mbyllur. Rihapja e Ambasadës do të varet nga mënyra se si do të zhvillohet situata. Për çështje urgjente konsullore, ju lutemi të kontaktoni numrin e telefonit të emergjencës së Ambasadës. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe do t’ju informojmë për çdo zhvillim të mëtejshëm, sipas nevojës. Ambasada e Izraelit në Tiranë", thuhet në njoftim.

Në një tjetër njoftim, Ambasada e Izraelit thekson se për mbylljen e saj po veprohet ngjashëm siç kanë vepruar bizneset e tjera në zonat e protestave, që kanë ulur qepenat.

"Dëshirojmë të sqarojmë se, ngjashëm me bizneset e tjera që u mbyllën për disa orë në zonat e protestës, edhe ambasada u mbyll më herët sot. Ambasada po vepron si zakonisht dhe po ofron shërbimin e kërkuar për ata që kanë nevojë", thuhet në reagimin e Ambasadës së Izraelit në Tiranë.

Ora 12:51
Pas marshimit, protestuesit u rikthehen sulmeve, gurë drejt Ministrisë së Arsimit (VIDEO)

 

Protestuesit po godasin me gurë Ministrinë e Arsimit, ku janë rikthyer pas një marshimi nëpër kryeqytet. Ata u bëjnë thirrje qytetarëve të tjerë të bashkohen me ta. Herë pas here thërrasin edhe “Lironi çunat”, ndërsa më herët, kur policia sprapsi autobotin me ujë, thanë “policia është me ne.”

Një prej tyre hodhi edhe gurë drejt efektivëve, por ndërhynë të tjerë për ta ndalur.

Ora 12:46
Kaos në Vlorë, protestuesit zhvendosin protestën te selia e PS-së! Hedhin gurë e kapsolla drejt policisë (VIDEO)

 

Situatë kaotike në rrugët e Vlorës. Pas përplasjeve me policinë përpara Bashkisë, studentët kanë zhvendosur protestën drejt selisë së Partisë Socialiste në qytet, ku vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë.

Policia ka formuar një gardh përpara protestuesve, ndërsa këta të fundit po hedhin gurë, kapsolla dhe sende të tjera të forta.

Ora 12:41
FOTOLAJM/ Deputeti i PD, Xhelal Mziu në protestë

1792147315_kytipi.jpeg

Deputeti Xhelal Mziu i është bashkuar protestës në Tiranë duke i pritur në hyrje të ‘Rrugës së Durrësit’ protestuesit që tanimë kanë nisur marshimin drejt saj, për te Ministria e Arsimit.

Ora 12:37
Protestues të maskuar thyejnë kamerat e sigurisë me shufra hekuri (VIDEO)

 

Në ‘Rrugën e Kavajës’ ku protestuesit po kalojnë tani, ka disa incidente sporadike me shkuljen e kangjellave dhe vendosjen e koshave të mbeturinave në rrugë. Një grup protestuesish të maskuar kanë hipur në shtylla për të thyer kamerat e sigurisë me hekura.

Ora 12:34
Protesta në Lezhë, protestuesit qëllojnë policinë me gurë! Plagoset në kokë një vajzë, largohet e gjakosur (VIDEO)

 

Gurë të shumtë kanë hedhur protestuesit kundër policisë në Lezhë. Një vajzë është plagosur në kokë nga goditja ndërkohë që shihet e gjakosur teksa shoqërohet jashtë protestës. 

Ora 12:31
Tensionohet situata në Lezhë, lëndohet protestuesi, turmat sulmojnë policinë (VIDEO)

Situatë e tensionuar raportohet në Lezhë gjatë protestës së sotme ku një protestues është lënduar dhe është shtrirë në tokë, ndërkohë që turmat sulmojnë forcat e rendit. 

Gjakrat janë të ndezura në protestë ndërkohë që vërehet një prani e shtuar e policisë.

Ora 12:30
Dibër, protestuesit përmbysin koshat e mbeturinave në mes të rrugës! Sulmojnë furgonin e uniformave blu (VIDEO)

 

Protesta është zhvilluar edhe në Peshkopi të Dibrës, ku sipas pamejeve protestuesit kanë përmbysur koshat e mbeturinave në rrugë. 

Ata janë përplasur me policinë të cilët kanë nisur me shoqërimin e disa prej tyre ku shihet se është goditur edhe një furgon i uniformave blu.

Ora 12:24
Protestuesit shkulin kangjellat në rrugë pranë ’21 Dhjetorit’ e ‘Rrugës së Kavajës’ (VIDEO)

 

Ndërsa protestuesit i afroheshin “21 Dhjetorit” duke marshuar, u regjistrua një tjetër incident me disa të maskuar që po përpiqeshin të shkulnin kangjellat në rrugë.

Të njëjtin veprim e kryen edhe në ‘Rrugën e Kavajës’ ku po vijojnë marshimin drejt qendrës.

Ora 12:22
Protestuesit djegin të tjerë kosha mbeturinash para Fakultetit të Inxhinerisë

Në afërsi të Fakultetit të Inxhinierisë te rruga “Muhamet Gjollesha”, protestuesit kanë djegur disa kosha të tjerë mbeturinash.

Më herët, qëlluan me gurë edhe llamarinat mbrojtëse të një objekti bosh.

Ora 12:14
Protestuesit në Tropojë hedhin gurë drejt Bashkisë dhe Pallatit të Kulturës

1792145838_tropoje.JPG

Protesta ka filluar edhe në Tropojë ku disa të rinj kanë dalë në rrugët e qytetit të Bajram Currit.

Gjimnazistë të qytetit janë mbledhur në sheshin kryesor, ku gjatë protestës kanë hedhur gurë në drejtim të ndërtesës së Bashkisë Tropojë dhe Pallatit të Kulturës, si dhe djegin kosha tek inxhinieria.

Më pas, ata kanë marshuar në rrugët e qytetit.

Ora 12:07
Protestues të maskuar bllokojnë ‘Rrugën e Durrësit’ me kosha mbeturinash, të tjerët marshojnë (VIDEO)

 

Një numër i vogël të rinjsh të maskuar që po marshojnë në “Rrugën e Durrësit”, janë shkëputur nga të tjerët për të bllokuar aksin me kosha mbeturinash që më pas i djegin.

Lajmi në përditësim...

Ora 12:05
FOTOLAJM/ Protestues me zinxhirë e dryna në duar në rrugët e Tiranës

1792145166_fototisa.png

Në ditën e katërt të protestave në Tiranë, disa protestues janë shfaqur në rrugët e kryeqytetit me zinxhirë metalikë dhe dryna në duar.

Ora 11:53
Policia spraps autobotin e ujit, u liron rrugën protestuesve! Shmangen incidentet, vijon marshimi në ‘Rrugën e Durrësit’ (VIDEO)

 

Policia po përpiqet të zbusë situatën me protestuesit te “Rruga e Durrësit” ku ata janë pozicionuar te Ministria e Arsimit. Efektivët po largojnë autobotin me ujë dhe deri më tani nuk regjistrohet ndonjë sulm nga protestuesit.

Disa prej tyre kishin gurë në duar, por nuk i kanë hedhur, madje i kanë tërhequr vëmendjen njërit që ka goditur një tabelë reklamash.

Protestuesit vijojnë të marshojnë në “Rrugën e Durrësit”, por itinerari i qartë s’dihet ende.

Ora 11:33
Protestuesit ulen në rrugë, e bllokojnë edhe me kosha mbeturinash (VIDEO)

 

Protestuesit ndodhen te Ministria e Ekonomisë, ku kanë vazhduar të nxjerrin në rrugë koshat e djegur në ditët e mëparshme duke krijuar bllokada. Ata edhe janë ulur në rrugë, por më pas i janë rikthyer marshimit.

“Qeveria e krimit”, thërrasin ata.

Ora 11:08
Protesta/ Forcat Operacionale nisin me shoqërimet, protestuesit e maskuar marshim drejt Ministrisë së Arsimit (VIDEO)

Forcat Operacionale kanë nisur me shoqërimet e protestuesve që orët e para të mëngjesit. Një grup protestuesish po marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit.

Ora 10:56
Burrel, protestuesit pengojnë policinë të shoqërojnë protestuesit, dëmtojnë dëmtojnë derën e furgonit (VIDEO)

 

Edhe protestuesit në Burrel kanë vijuar me bojkotin e mësimit dhe po djegin degë pemësh e sende të tjera në rrugë. Ndërkohë policia ka nisur me shoqërimin e njërit prej tyre.

Gjatë përplasjeve, disa prej tyre kanë thyer derën e një furgoni të policisë, duke kërkuar lirimin e protestuesit të shoqëruar.

Sipas raportimeve, nxënësit e gjimnazit “Pjetër Budi” janë mbajtur brenda ambienteve të shkollës, për të mos iu bashkuar protestës së zhvilluar nga nxënësit e gjimnazit “28 Nëntori”.

Ora 10:21
Protesta në Elbasan, digjen kosha mbeturinash në rrugë (VIDEO)

 

Në Elbasan, ka nisur protesta me marshim në rrugët e qytetit. Kanë nisur edhe incidentet e para, me djegie të koshave të mbeturinave në rrugë. Zjarrfikësja ka ndërhyrë për shuarjen e flakëve.

Në qendrën e qytetit pak më parë ndodhej edhe kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, i cili bisedoi me protestuesit.

Ora 08:43
Protesta/ Gjimnazistët në Lezhë bojkotojnë mësimin, thyejnë xhamat e 3 shkollave! Përplasen me policinë, lëndohet një i mitur (VIDEO)

Në Lezhë, një grup nxënësish bojkotuan mësimin dhe dolën në rrugët e qytetit. Ata thyen xhamat e shkollave “Hydajet Lezha”, “Kolin Gjoka” dhe shkollës jo publike “Rragaçionistët”. Po ashtu, janë dëmtuar kangjella dhe tabela përgjatë rrugëve. Policia ka shoqëruar një person.

Ndërkohë protestuesit kanë qëlluar me gurë efektivët e policisë, ku aksidentalisht ka mbetur i lënduar një i mitur.