LIVE- Mbyllet dita e katërt e protestës, tensione në disa qytete! Arrestime në Korçë e Vlorë, përplasje në Tiranë! Rama: Nuk do përkulemi. Policia: Po hetojmë grupet që nxitën akte terroriste

16 Tetor 2026 | 12:00

Kryeministri Edi Rama u bën thirrje qytetarëve të mos përkulen përballë dhunës, ndërsa refuzon të bëjë lëshime përballë protestave që kanë hyrë në ditën e katërt. Studentët dhe gjimnazistët vijojnë tubimet në Tiranë, Korçë, Vlorë dhe Lezhë, ku janë regjistruar përplasje me policinë dhe dëmtime të pronës publike. Në kryeqytet, protestuesit e arrestuar pas tubimit të 13 tetorit dalin para gjykatës për caktimin e masave të sigurisë, ndërsa Këshilli Ndërfetar apelon për paqe dhe dialog.

“Mos u përkulni përballë dhunës, durim, edhe kjo do të kalojë”, është mesazhi i kryeministrit Edi Rama në një moment kur protestat e studentëve dhe gjimnazistëve kanë hyrë në ditën e katërt dhe janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit.

Kreu i qeverisë ka kundërshtuar idenë e bërjes së lëshimeve në këmbim të qetësimit të situatës, duke mbajtur qëndrimin e tij përballë protestave dhe kërkesave për dorëheqjen e qeverisë.

Ndërkohë, situata në terren vijon të jetë e tensionuar. Në Tiranë, protestuesit e arrestuar pas tubimit të 13 tetorit po dalin para gjykatës për caktimin e masave të sigurisë. Në Korçë dhe Lezhë janë raportuar dëmtime të institucioneve dhe përplasje, ndërsa në Vlorë të rinjtë janë përplasur me policinë pas tentativës për të prishur murin e projektit të Muzeut Hebraik.

Këshilli Ndërfetar apel për paqe, drejtësi dhe dialog kombëtar

Krerët fetarë të Shqipërisë kanë dalë me një deklaratë të përbashkët lidhur me situatën e krijuar gjatë protestave studentore.

Këshilli Ndërfetar u bën thirrje palëve për paqe, drejtësi, përgjegjshmëri dhe dialog kombëtar, duke theksuar se të rinjtë duhet të dëgjohen dhe institucionet duhet të japin përgjigje në përputhje me ligjin.

Në deklaratë shprehet shqetësimi edhe për dëmtimin e bizneseve familjare dhe institucioneve arsimore, që sipas krerëve fetarë cenojnë të drejtën për dije dhe siguri.

Protestuesit e arrestuar dalin para gjykatës në Tiranë

Protestuesit e arrestuar pas tubimit të 13 tetorit kanë dalë këtë të premte para gjykatës për caktimin e masave të sigurisë.

Seanca ka nisur në orën 08:30 dhe po zhvillohet në grupe për shkak të kufizimit të ambienteve. Gjyqtare e çështjes është Amarilda Sulaj.

Në ambientet e gjykatës janë vendosur edhe forca policore të pajisura me skafandër dhe maska gazi, në gatishmëri për çdo përshkallëzim të mundshëm. Deri në momentin e raportimit, situata paraqitet e qetë.

Për protestuesit janë caktuar masa të ndryshme sigurie, përfshirë arrestin në shtëpi, detyrimin për t’u paraqitur dhe arrestin me burg.

Delina Ibrahimaj inspekton filialin e dëmtuar të Postës Shqiptare

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka inspektuar një filial të Postës Shqiptare në Tiranë, i cili u dëmtua gjatë protestave.

Ajo deklaroi se janë dëmtuar disa filiale, por siguroi se shërbimet për qytetarët dhe pensionistët do të vijojnë.

Ministrja vuri në dukje rëndësinë e këtyre zyrave për pensionistët, të cilët tërheqin aty pensionet dhe të ardhurat që u nevojiten për jetesën. Sipas saj, pavarësisht dëmtimeve të pronës publike dhe private, do të merren masat e nevojshme për të garantuar vijimësinë e shërbimeve.

Korçë, dy të arrestuar dhe 23 të proceduar pas protestës

Policia ka arrestuar dy persona dhe ka proceduar penalisht 23 të tjerë për incidentet e regjistruara gjatë protestës së së enjtes në Korçë.

Sipas policisë, gjatë tubimit janë dëmtuar godina e Bashkisë së Korçës, Drejtoria Arsimore, Universiteti “Fan S. Noli” dhe gjimnazi “Raqi Qirinxhi”. Dëmtime janë raportuar gjithashtu në kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistikën rrugore.

Policia deklaron se disa pjesëmarrës kanë kundërshtuar punonjësit e rendit dhe kanë përdorur sende të forta e zjarr për të dëmtuar institucionet dhe pronën publike.

Për orën 10:00 është paralajmëruar një tjetër protestë në Korçë. Në qytet janë shtuar forcat e policisë pranë institucioneve publike dhe gjimnazeve, pas incidenteve të një dite më parë, kur 25 persona u shoqëruan në polici dhe dy të rinj u arrestuan.

Lezhë, gjimnazistët bojkotojnë mësimin dhe thyejnë xhamat e shkollës

Të rinjtë dhe gjimnazistët kanë dalë në protestë në Lezhë, ku kanë bërë thirrje për bojkotimin e mësimit dhe bashkimin e nxënësve të tjerë në tubim.

Protestuesit janë drejtuar drejt gjimnazeve “Hydajet Lezha” dhe “Kolin Gjoka”, ku kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në protestë.

Gjatë marshimit janë ndezur zjarre dhe janë hedhur kapsolla. Më pas, situata është përshkallëzuar, me shkuljen e sinjalistikës rrugore dhe kangjellave të trotuareve.

Gjimnazistët kanë hedhur gurë dhe sende të forta në drejtim të gjimnazit “Hydajet Lezha”, duke thyer xhamat e shkollës. Marshimi ka vijuar në disa rrugë të qytetit, ndërsa koshat e mbeturinave janë përdorur për të bllokuar qarkullimin.

Policia është vendosur në gatishmëri dhe ka krijuar një kordon pranë sheshit “Gjergj Kastrioti”, ku ndodhet edhe Bashkia e Lezhës.

Vlorë, përplasje pas tentativës për të prishur murin e projektit të Muzeut Hebraik

Protesta në Vlorë vijon mes tensioneve, pasi një grup të rinjsh kanë tentuar të prishin murin e projektit të Muzeut Hebraik.

Pas këtij veprimi janë regjistruar përplasje fizike mes protestuesve dhe forcave të policisë, me shtyrje dhe goditje mes palëve.

Policia po tenton të komunikojë me grupin organizator, ndërsa ka paralajmëruar protestuesit për shoqërime në komisariat.

Ndërkohë, bojkoti i mësimit në Universitetin e Vlorës vijon edhe këtë të premte. Një pjesë e studentëve janë mbledhur në auditore, në pritje të organizimit për protestën e ditës.

Korçë, koshat e mbeturinave digjen dhe hidhen në rrugë

Protesta në Korçë është shoqëruar me tensione, pasi disa protestues u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave dhe i kanë hedhur në rrugë.

Sipas pamjeve nga tubimi, studentët kanë hedhur gurë dhe sende të tjera në drejtim të forcave të rendit, duke sjellë përplasje me policinë.

Incidentet vijnë pas dëmtimeve të raportuara një ditë më parë në disa institucione publike dhe arsimore të qytetit.

67 Updates
21:35

Protestuesit zhvendosen para Kryeministrisë, policia tërhiqet nga bulevardi

Me thirrjet “Policia është me ne”, protestuesit janë zhvendosur drejt Kryeministrisë, pas tërheqjes së efektivëve të Policisë së Shtetit dhe autobotëve që qëndruan për më shumë se katër orë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Protestuesit e kanë mirëpritur hapësirën e krijuar për të marshuar drejt Kryeministrisë, ndërsa autoboti me ujë vijon të qëndrojë në krah të institucionit.

Me duartrokitje dhe thirrjet “Rama, jep dorëheqjen”, protestuesit janë pozicionuar tashmë përpara godinës së Kryeministrisë.

Zhvendosja vjen pas bisedimeve të zhvilluara në mënyrë paqësore mes protestuesve dhe efektivëve të policisë. Ndërkohë, uniformat blu kanë vendosur një kordon përpara institucionit, ndërsa deri në këto momente nuk raportohen incidente.

🔗 Shpërndaje
20:37

Protestuesit komunikojnë paqësisht me efektivët: Nuk e kemi me ju, na i bëni hallall për çdo gur…

Gjatë protestës së sotme, e cila vijon prej orëve të mëngjesit, është vënë re një moment i veçantë mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit.

Pavarësisht thirrjeve të forta të protestuesve në drejtim të efektivëve, në disa momente janë zhvilluar edhe biseda të drejtpërdrejta mes dy palëve, me komunikim të qetë dhe pa përplasje tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

Një prej protestuesve, i maskuar, i është drejtuar një efektivi të policisë, duke i thënë se zemërimi i tyre nuk është ndaj uniformave blu, por ndaj kryeministrit Edi Rama.

“Duam t’ju themi vetëm që nuk e kemi me ju. Na i bëni hallall për çdo gur. Çdo gur ndaj jush është ndaj Edi Ramës. As nuk ju njohim, as nuk e dimë se kush jeni. Ju kemi të gjithëve miq e shokë”, është shprehur protestuesi.

Ndërkohë, një tjetër protestues është parë duke komunikuar me një efektiv, të cilit i është drejtuar me këshillën që të heqë uniformën.

“Nëse e hiqni uniformën, do bëni më mirë. Mendimi im, ju bëni si të doni. Ju respektojmë”.

Këto momente janë shënuar mes tensioneve që kanë shoqëruar protestën, ku protestuesit vijojnë të qëndrojnë përballë forcave të policisë.

🔗 Shpërndaje
20:32

Zbuten tensionet, protestuesit rikthehen në bulevard

Pasi marshuan për rreth një orë e 30 minuta në rrugët e Tiranës, ku dogjën kosha mbeturinash, protestuesit janë rikthyer sërish në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Këtë herë, ndryshe nga përplasjet e mëparshme, situata është qetësuar mes protestuesve dhe policisë. Disa prej protestuesve kanë përqafuar efektivët dhe i kanë duartrokitur.

Në këto momente, protestuesit po bisedojnë me policët, ndërsa të dyja palët po komunikojnë në mënyrë paqësore.

Gjatë këtij momenti qetësie, protestuesit u kërkojnë efektivëve t’i lejojnë të lëvizin në drejtim të Kryeministrisë, duke u thënë se nuk e kanë me policinë.

Megjithatë, protestuesit vijojnë të brohorasin: “Rama, jepe dorëheqjen!”.

Një nga protestuesit tha për mikrofonin e Euronews: “Ne po hamë gaz, policët po hanë gurë, ndërsa politikanët mish.”

🔗 Shpërndaje
20:12

Raporti i Avokati i Popullit: Takuam 214 të ndaluar, 26 persona janë me shenja dhune. Disa të mitur janë marrë në pyetje pa psikolog

Avokati i Popullit, Endri Shabani, ka bërë publike gjetjet paraprake të monitorimit të zhvilluar nga Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës gjatë protestave të katër ditëve të fundit në disa qytete të Shqipërisë.

Në një deklaratë për mediat, Shabani bëri të ditur se në 72 orët e fundit janë kontaktuar 214 persona të privuar nga liria, ndërsa janë evidentuar ankesa për ushtrim dhune nga punonjës policie, mungesë të kujdesit mjekësor dhe shkelje të të drejtave të të miturve.

Më tej, ai ngriti gjithashtu shqetësime për kushtet në ambientet e shoqërimit dhe paraburgimit, duke kërkuar identifikimin e plotë të efektivëve të policisë dhe përmirësimin e menjëhershëm të kushteve të qëndrimit. Shabani shtoi se këto janë gjetje paraprake dhe se çdo rast po verifikohet veçmas.

🔗 Shpërndaje
19:56

Protestuesit u vënë flakën koshave të mbeturinave dhe një kioske te 9-katëshet

Pasi u shpërndanë nga bulevardi nga policia, protestuesit kanë vijuar lëvizjen në rrugët e Tiranës. Ata po u vënë flakën koshave të mbeturinave, ndërsa në këto momente, kur ora shënon 20:00, i kanë vënë flakën edhe një kioske në zonën e 9-katësheve në Tiranë.

Po ashtu, një zjarr i madh është ndezur në mes të rrugës, në zonën pas 15-katëshit, ku protestuesit u kanë vënë flakën disa sendeve.

🔗 Shpërndaje
19:37

Protestuesit marshojnë në rrugët e Tiranës, thyejnë xhamat dhe futen brenda një banke private

Pasi policia i shpërndau nga bulevardi, protestuesit kanë dalë në marshim në rrugët e Tiranës. Gjatë marshimit, ata janë ndalur në zonën e Ushtarit të Panjohur, ku disa prej tyre janë futur brenda një banke private, pasi kanë thyer xhamat.

Ndërkohë, protestuesit po gjuajnë me gurë në drejtim të efektivëve të policisë që ndodhen në zonë.

🔗 Shpërndaje
19:18

Boshatiset bulevardi, protestuesit nisin marshimin në rrugët e kryeqytetit, i vënë zjarrin koshave të mbeturinave

Pasi policia i shpërndau rreth orës 19:00 nga bulevardi, një pjesë e protestuesve kanë nisur një marshim në rrugët e qytetit. Ndërkohë, bulevardi është boshatisur dhe aty kanë mbetur forcat e policisë dhe një grup shumë i vogël me protestues.

Gjatë marshimit në rrugët e qytetit, disa prej protestuesve u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave.

🔗 Shpërndaje
19:16

20 persona të shoqëruar në Vlorë pas protestës, disa u morën nga banesat

Rreth 20 persona janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë në Vlorë, pas protestave të zhvilluara në qytet.

Sipas informacioneve paraprake, disa prej tyre janë marrë nga banesat dhe janë shoqëruar nga efektivët e Policisë.

Mësohet se personat e shoqëruar, mes tyre edhe studentë, dyshohet se janë përfshirë në veprime që lidhen me veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Bllokimi i segmenteve rrugore” dhe “Dëmtimi i pronës publike”.

Deri më tani, nuk ka informacion të mëtejshëm mbi masat që mund të merren ndaj personave të shoqëruar.

🔗 Shpërndaje
19:01

QSUT: 11 të lënduar nga protesta, mes tyre 3 të mitur, 3 efektivë dhe 2 kalimtarë

Qendra Spitalore Universitare Tiranë ka përditësuar të dhënat mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës deri në orën 18:45 .

Sipas njoftimit, në total janë paraqitur për ndihmë mjekësore 11 persona, mes tyre protestues, të mitur, efektivë policie si dhe kalimtarë.

Njoftimi i plotë:

Përditësim/ Të lënduarit protesta 16 tetor 2026, ora 18:45

SUT:

11 të lënduar

6 protestues, (mes tyre 3 të mitur),

3 efektivë

2 kalimtarë

Aktualisht në urgjencën e SUT ndodhen:

– 2 protestues, gjendje e mirë shëndetësore, duke u ekzaminuar.

* 1 efektiv policie, gjendje e mirë shëndetësore”

🔗 Shpërndaje
18:50

Aksion i dytë i policisë në bulevard, protestuesit shpërndahen në drejtime të ndryshme

Kur ora shënon 18:45, policia ka ndërmarrë një tjetër avancim ndaj protestuesve, duke i spostuar nga sheshi përballë ish-hotel “Dajtit”. Efektivët po i shpërndajnë me gaz lotsjellës dhe ujë, me qëllim lirimin e bulevardit, ndërsa turma është shpërndarë në drejtime të ndryshme.

🔗 Shpërndaje
18:29

Berisha thirrje për protestën e së shtunës: Nesër është një ditë shumë e rëndësishme, të solidarizohemi me studentët

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve, prindërve dhe bizneseve që të solidarizohen me studentët dhe gjimnazistët, në kuadër të protestës së paralajmëruar për ditën e shtunë në Tiranë.

Përmes një mesazhi, Berisha e cilësoi ditën e nesërme si të rëndësishme dhe u bëri apel shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit që të mbështesin të rinjtë, duke akuzuar Policinë për dhunë dhe keqtrajtim të protestuesve gjatë ditëve të fundit.

“U drejtohem sonte, para së gjithash si prind, si gjysh, si qytetar, por dhe ish-president e ish-kryeministër i këtij vendi. Të gjithë ju, prindërve, qytetarëve. Të gjithë anëtarëve të diasporës sonë kudo që janë. Të rinj e të rejave, në katër anët e vendit, nesër është një ditë shumë e rëndësishme, tejet e veçantë”, u shpreh Berisha.

Ai akuzoi efektivët e Policisë për përdorim të dhunës ndaj studentëve dhe gjimnazistëve që kanë protestuar në Tiranë, duke pretenduar se gjatë këtyre ditëve janë keqtrajtuar dhe arrestuar qindra persona, mes tyre edhe të mitur.

Berisha ngriti gjithashtu akuza për përdorimin e gazit lotsjellës, granatave zhurmuese dhe mjeteve të tjera gjatë përballjeve mes protestuesve dhe Policisë.

“Nesër gjimnazistët dhe studentët e Tiranës kanë më shumë se kurrë nevojë për mbështetjen e çdo shqiptari në betejën e tyre epike. Në betejën e tyre të pamposhtur. Nesër mijëra e mijëra burra e gra, djem e vajza nga mbarë Europa vërshojnë drejt Tiranës. Ftoj çdo demokrat, çdo qytetar, çdo prind, ftoj të gjitha bizneset e vendit të solidarizohen në Tiranë me studentët”, deklaroi kreu i PD-së.

🔗 Shpërndaje
18:22

Ministri Demo: 156 të lënduar nga protestat në 4 ditë, mos lejoni fëmijët të përdoren në akte dhune

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar sërish lidhur me protestat dhe incidentet e dhunshme të regjistruara gjatë katër ditëve të fundit.

Përmes një deklarate, Demo ka bërë një bilanc duke bërë të ditur se 156 persona kanë mbetur të lënduar, mes tyre 97 efektivë policie, 45 protestues dhe 12 kalimtarë. Ministri u ndal veçanërisht te përfshirja të miturve në këto përleshje dhe thekson se katër të mitur janë në mesin e të lënduarve.

Ministri u bën thirrje prindërve që të mos lejojnë fëmijët në akte dhune. Ai i cilësoi ngjarjet si pjesë të një përpjekjeje për të marrë pushtetin përmes dhunës, ndërsa theksoi se, sipas tij, këto akte nuk do të ndalin rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Deklarata e plotë:

“Të nderuar qytetarë,

nga vala e dhunës që përfshiu kryeqytetin katër ditët e fundit,

156 qytetarë shqiptarë janë lënduar. 97 efektivë policie, të cilët kanë kryer detyrën e që në fund të ditës duan si të gjithë ne të jetojnë paqësisht në vendin tonë e në darkë të kthehen pranë familjeve.

45 protestues, të cilët po ashtu kanë aspiratat e tyre legjitime për të tashmen e të ardhmen në këtë vend, për ta e familjet e tyre, së bashku me 12 kalimtarë, të cilët ndoshta po shkonin drejt familjes apo punëve të tyre.

Të gjithëve, ju uroj shërim të shpejtë, dhe dua t’ju kujtoj se kemi më shumë arsye të bëhemi bashkë e të punojmë në të mirë të vendit e jo të përleshemi për llogari të dikujt që gështenjat e zjarrit të luftës politike kërkon t’i nxjerrë me duart e të tjerëve të verbuar nga urrejtja dhe flakët e ndasisë.

Më ka mbetur në mendje fjalët e një mjeku te Spitali i Traumës, i cili tha: “Kur vijnë këtu të gjithë janë të humbur, asnjë s’ka fituar.”

Mes të lënduarve ka patur edhe 4 të mitur dhe unë dua të ndalem pak këtu. Unë nuk besoj se ka prind në Shqipëri, pavarësisht bindjeve të tyre partiake, i cili gëzohet nëse sheh fëmijët e tij të mitur, me gurë apo mjete të tjera në duar, duke goditur punonjës policie, duke thyer xhamat e institucioneve publike, duke shkatërruar semaforë e sinjalistika, duke bastisur e djegur pronën private e publike.

Përdorimi i të miturve në akte thellësisht politike, e aq më tepër vënia në rrezik i jetëve të tyre për hir të luftës në pushtet është një poshtërsi, e cila nuk duhet të kalojë pa u vënë re e pa u përbuzur nga e gjithë shoqëria shqiptare.

Kam porositur vazhdimisht forcat e policisë që të tregojnë kujdes të veçantë me ta, por dua të bëj sërish një thirrje sërish për prindërit: Ju lutem, me dorë në zemër, mos lejoni që fëmijët tuaj të përdoren në luftën për pushtet të atyre që nuk njohin asnjë kufi as njerëzor e as moral!

Prandaj, kur themi se dhuna nuk ka të bëjë me studentët, nuk po bëjmë retorikë. Po refuzojmë të barazojmë studentët me ata që zgjedhin dhunën. Mes personave të arrestuar e proceduar për akte të dhunshme, numri i studentëve është jashtëzakonisht shumë i vogël dhe jam i bindur që ata nuk kanë fare lidhje me skenarin e dhunshëm politik.

Mund të kemi plot dallime dhe mund të ndahemi në shumë opinione, por ka një fakt që nuk e mohon dot askush, që ka respekt për të vërtetën. Kjo është një përpjekje e maskuar e atyre që pushtetin duan ta marrin me dhunë e që nuk paskan ndërmend të kursejnë as të miturit e as bizneset private të njerëzve, që s’kanë lidhje me betejën e tyre dhe që duan të ndalin rrugëtimin e Shqiperisë drejt Bashkimit Europian, duke e spostuar vendin nga tryeza e negociatave me BE-në tek rruga e së kaluarës nga kemi dalë me shumë përpjekje.

Dua t’ju garantoj se nuk do ja dalin! Shqipëria është nisur tashmë drejt destinacionit dhe askush e asgjë nuk do ta ndalë zhvillimin europian të vendit!”

🔗 Shpërndaje
17:41

Elisa Spiropali letër Ramës për protestën: Jep zgjidhje politike, dil përballë qytetarëve!

Deputetja e Partisë Socialiste Elisa Spiropali ka reaguar lidhur me protestën që po mbahet prej 4 ditësh në Tiranë. Përmes një letre të gjatë drejtuar kryeministrit Edi Rama të publikuar në faqen e vet në Facebook Spiropali i kërkon kryeministrit zgjidhje politike për protestat, duke përfshirë edhe mundësinë e zgjedhjeve të reja.

“Mos u fshih pas shumicës, institucioneve, apo numrit të mandateve. Prano se besimi nuk rikthehet me fjalë, por me përgjegjësi dhe veprime”, shkruan ajo.

Spiropali kërkon ndryshime edhe brenda PS-së: “Udhëhiqe procesin e ndryshimeve, mos përforco mitin e pazëvëndësueshmërisë”.

“As rotacioni politik nuk duhet të jetë tabu. As zgjedhjet e reja nuk duhet të shihen si kërcënim, nëse ato bëhen pjesë e një zgjidhjeje demokratike”, thekson ajo.

🔗 Shpërndaje
17:37

Efektivët nisin shpërndarjen e protestuesve, turma zhvendoset përballë ish-hotel “Dajtit”

Pasi qëndruan për rreth 1 orë e 30 minuta nën sulmin e protestuesve me gurë dhe sende të forta në sheshin para Kryeministrisë, efektivët e policisë kanë nisur shpërndarjen e tyre. Protestuesit janë larguar, duke u vendosur përballë ish-hotel “Dajtit”, ndërsa efektivët janë pozicionuar te ura e madhe e Lanës, pranë Piramidës.

🔗 Shpërndaje
17:32

‘Protestuesit me strategji tjetër’, gazetari zbulon detajet: Të përgatitur për rezistencë

Në ditën e katërt të protestës në Tiranë, protestuesit janë zhvendosur pothuajse të gjithë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë.

Gazetari Eni Ferhati raportoi se, edhe pse në numër më të vogël, protestuesit që po qëndrojnë përballë togave të policisë janë të gjithë të pajisur me maska kundër gazit lotsjellës dhe po shfaqin rezistencë, pavarësisht se policia po vijon të hedhë shumë gaz lotsjellës dhe ujë në drejtim të tyre.

‘Protestuesit sot kanë ardhur me një strategji tjetër, pasi të gjithë personat që po kryejnë veprime të dhunshme ndaj policisë janë të pajisur me maska kundër gazit. Kështu, hedhja masive e gazit nga policia nuk po i largon ata nga vendi ku po qëndrojnë.

Mesa duket, ky grup është i vendosur të qëndrojë për të bërë rezistencë. Pak para se policia të ndërhynte, një grup kreu akte dhune te Kullat Binjake’, tha gazetari.

🔗 Shpërndaje
17:22

Vijojnë tensionet në bulevard, protestuesit qëllojnë makinën ujëhedhëse, policia përgjigjet me ujë dhe gaz lotsjellës

Vijojnë tensionet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë, ku protestuesit janë vendosur që prej orës 16:00, ndërsa përballë tyre qëndrojnë efektivët e policisë. Prej rreth 1 ore e 15 minutash vijon përballja në distancë mes tyre, me protestuesit që godasin me pllaka dhe sende të tjera makinën ujëhedhëse të policisë, ndërsa efektivët u përgjigjen me ujë dhe gaz lotsjellës.

🔗 Shpërndaje
17:13

QSUT për gjendjen e të lënduarve nga protesta: 5 persona janë paraqitur në spital, mes tyre 2 të mitur

Qendra Spitalore Universitare Tiranë ka publikuar një njoftim të ri lidhur me gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës së sotme.

Sipas njoftimit, deri në orën 17:00, në spital janë paraqitur një efektiv policie, dy të mitur të moshës 16 dhe 17 vjeç, një protestues dhe një kalimtar.

Njoftimi i plotë:

Përditësim mbi gjendjen shëndetësore të të lënduarve ora 17:00

Në SUT janë paraqitur:

– Një efektiv policie, mori trajtim dhe u largua

– Dy të mitur (16 dhe 17 vjeç)/ Njëri mori trajtim dhe u largua, tjetri po ekzaminohet.

– ⁠Një protestues/ gjendja shëndetësore e mirë.

– ⁠Një kalimtar/ gjendja shëndetësore e mirë

🔗 Shpërndaje
16:36

Tensione para Kryeministrisë, protestuesit hedhin kapsolla e fishekzjarrë, policia përgjigjet me ujë dhe gaz lotsjellës

Vijojnë tensionet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, teksa protestuesit janë vendosur pasditen e kësaj të premteje në sheshin para Kryeministrisë. Disa prej tyre kanë hedhur kapsolla dhe fishekzjarrë, ndërsa policia është kundërpërgjigjur me autobotet me ujë dhe gaz lotsjellës duke i larguar ata.

🔗 Shpërndaje
16:36

Pezullimi i dy efektivëve nga protesta, Demo: Çdo shkelje e konstatuar do të marrë përgjigjen e merituar sipas ligjit

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar lidhur me incidentet e regjistruara gjatë protestave të zhvilluara prej katër ditësh në disa qytete të Shqipërisë, kryesisht në Tiranë.

Përmes një deklarate, Demo bëri të ditur se ka kërkuar verifikimin e dy rasteve të dyshuara të tejkalimit të kompetencave nga efektivët e Policisë së Shtetit, ndërsa konfirmoi pezullimin e dy punonjësve.

Ministri theksoi se çdo shkelje e ligjit do të hetohet dhe ndëshkohet, duke kërkuar njëkohësisht që reagimi i policisë të jetë në përputhje me ligjin.

Deklarata e plotë:

Jam njohur sot me dy raste të tejkalimit të kompetencave nga ana e forcave të Policisë, nëpërmjet pamjeve, të cilat janë bërë publike edhe në media apo rrjetet sociale. Menjëherë kam kërkuar nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, marrjen e masave duke u referuar verifikimeve të domosdoshme.

Falënderoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për masat e pezullimit të 2 punonjësve në fjalë.

Policia e Shtetit për 3 ditë rresht është gjendur përballë një situate të vështirë, ku forca të errëta kanë përdorur militantë, mercenarë dhe, çfarë është më e keqja, minorenë, duke i nxitur ata drejt akteve të dhunës ekstreme ndaj Policisë, institucioneve dhe bizneseve e pronës private.

Kam kërkuar përgjatë gjithë kohës, që përgjigjja e Policisë të ishte proporcionale dhe të mos tejkalonte asnjëherë caqet e vendosura nga ligji, ashtu siç kam kërkuar hetim dhe ndëshkim për çdo dhunues e shkelës të ligjit. Por ligji absolutisht do të jetë i barabartë për të gjithë, si për ata që, të motivuar politikisht, dhunojnë me synimin për të krijuar kaos në Shqipëri, ashtu edhe për uniformat të cilat tejkalojnë kompetencat e ligjit.

Profesionalizmi i Policisë së Shtetit matet jo vetëm me aftësinë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, por edhe me respektimin e ligjit dhe dinjitetit të çdo qytetari. Për këtë kam qenë dhe jam shumë i qartë dhe çdo shkelje e konstatuar do të marrë përgjigjen e merituar në përputhje me ligjin.

Dua sot të bëj edhe një apel mbi të gjitha për prindërit e atyre minorenëve, të cilët marrin pjesë në aktet e dhunshme. Flisni me fëmijët, mos i lejoni ata të përdoren nga politika e mbrapshtë dhe as të rriten duke u edukuar se rruga për të fituar kalon nëpërmjet dhunës!

Edhe njëherë, dua të siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se shteti i së drejtës do të triumfojë dhe siguria dhe rendi publik do të garantohen!

🔗 Shpërndaje
16:31

Aktet e dhunës ndaj protestuesve, pezullohen nga detyra 2 efektivë

Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin Nr. 3 në Tiranë, pas publikimit të videove në rrjetet sociale, ku ata shfaqen duke tejkaluar kompetencat gjatë ndërhyrjes në një tubim. Për rastin është urdhëruar edhe nisja e hetimit disiplinor.

Sipas reagimit zyrtar të Policisë së Shtetit, vendimi është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, menjëherë pas publikimit të pamjeve që, sipas institucionit, tregojnë tejkalim të detyrës dhe shkelje të parimit të proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në tubimin e zhvilluar në Tiranë.

Dy punonjësit e pezulluar janë identifikuar me inicialet E. P. dhe T. Ç., të cilët shërbenin në Patrullën e Përgjithshme, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë.

Krahas pezullimit të menjëhershëm, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale të nisë hetimin disiplinor për të dy efektivët, me qëllim shqyrtimin e veprimeve të tyre gjatë ndërhyrjes.

🔗 Shpërndaje
16:17

Përplasje pranë Kryesisë së Kuvendit, policia përdor gaz lotsjellës

Dy makina ujëhedhëse janë vënë në punë midis Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Ndërkohë, një i ri është ngjitur në dritaren e zyrës në katin e parë të Kryesisë së Kuvendit, duke tentuat të thyejë ambientin dhe dritaren.

Një pjesë e protestuesve tërhiqen në momentin kur hidhet gazi lotsjellës, por nga ana tjetër ka ende protestues të cilët qëndrojnë përtej gazit apo hedhjes së ujit në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.

Kanë qenë të shumta herët ku është tentuar për t’i vënë flakën godinave dhe institucioneve pavarësisht numrit të lartë të efektivëve të cilët përpiqen ti shpërndfajnë këta të fundit.

Si protestuesit ashtu edhe trupa e policisë janë të shpërndarë në disa grupe.

🔗 Shpërndaje
15:45

Protesta zhvendoset drejt bulevardit, protestuesit djegin derën e Ministrisë së Ekonomisë

Kur ora shënon 15:45, protestuesit janë larguar nga ambientet përpara Ministrisë së Arsimit dhe janë drejtuar drejt bulevardit. Gjatë marshimit, ata i kanë vënë flakën njërës prej dyerve të Ministrisë së Ekonomisë.

🔗 Shpërndaje
15:18

Protestuesit zhvendosen drejt Kryeministrisë, FNSH dhe Shqiponjat barrikadë para godinës

Protestuesit janë larguar nga ambientet përpara Ministrisë së Arsimit dhe janë drejtuar drejt bulevardit. Gjatë marshimit, ata i kanë vënë flakën njërës prej dyerve të Ministrisë së Ekonomisë.

Më tej protestuesit janë zhvendosur drejt Kryeministrisë aty ku policia ka krijuar një kordon për të mos lejuar afrimin e tyre.

🔗 Shpërndaje
15:06

127 të arrestuar në Tiranë, drejtori i Rendit: Janë identifikuar kanale komunikimi që bëjnë thirrje për akte terroriste

Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike Dhimitraq Ziu, në një deklaratë publike te premten deklaroi se deri tani, në Tiranë janë arrestuar 127 persona, ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë 244 të tjerë.

Drejtuesi i lartë i policisë tha gjithashtu ‘se nga strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit janë identifikuar disa kanale dhe grupe komunikimi, nëpërmjet të cilave janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje të drejtpërdrejtë kriminale’ dhe ‘thirrje për kryerje të akteve ekstreme dhe terroriste’.

‘Deri në këto momente: -në Tiranë, janë arrestuar 127 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 244 shtetas, për ushtrim të dhunës ndaj punonjësve të Policisë, dëmtim të institucioneve shtetërore, shkatërrim të pronës publike dhe private, si dhe të bankomateve, kamerave, automjeteve dhe rrethimeve metalike;
-në Durrës, janë arrestuar në flagrancë 23 shtetas dhe janë proceduar penalisht 12 të tjerë, për kundërshtim dhe goditje me sende të forta të punonjësve të Policisë, si dhe për shkatërrimin me sende të forta dhe me zjarr të institucioneve shtetërore, pronave publike dhe private;

-në Korçë, janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 23 shtetas, për kundërshtim dhe dhunë ndaj punonjësve të Policisë dhe për shkatërrimin, me sende të forta dhe me zjarr, të godinave të institucioneve shtetërore dhe të pronave publike;
-në Vlorë, janë proceduar në gjendje të lirë 20 shtetas, për pengimin e zhvillimit të procesit mësimor në disa shkolla të qytetit, kundërshtim të punonjësve të Policisë, goditje me sende të forta të fasadës së një institucioni, si dhe dëmtimin e pronës publike.

-në Shkodër, janë proceduar në gjendje të lirë 9 shtetas, për kundërshtim dhe goditje me sende të forta të punonjësve të Policisë, si dhe për shkatërrimin me sende të forta dhe me zjarr të godinave të institucioneve shtetërore dhe të pronave publike dhe private. Gjatë protestës u plagos rëndë një oficer i Policisë së Rendit, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, për ndihmë mjekësore. Autori i plagosjes është identifikuar, por për shkak të moshës nuk është arrestuar.

-në Elbasan, janë proceduar në gjendje të lirë 6 shtetas, për dëmtimin e xhamave të godinës së një institucioni shtetëror, të sinjalistikës rrugore dhe të tabelave të reklamave, dhe pronës publike;

-në Kukës janë proceduar në gjendje të lirë 10 shtetas, për dëmtimin të sinjalistikës rrugore, tabelave dhe reklamave.

Ndërkohë, nga dhuna e ushtruar mbi punonjësit e Policisë, në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Kukës, janë dëmtuar deri tani 120 punonjës policie.

Përveç ngjarjeve në terren, strukturat e specializuara të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit kanë marrë në shqyrtim të menjëhershëm hapësirën virtuale, ku gjatë monitorimeve intensive, janë identifikuar disa kanale dhe grupe komunikimi, nëpërmjet të cilave janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje të drejtpërdrejtë kriminale, ndër to, thirrje për kryerje të akteve ekstreme dhe terroriste, si dhe kërcënime direkte kundër jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit.

Lidhur me këtë situatë është regjistruar menjëherë procedimi penal përkatës për veprat e lidhura me këto veprime kriminale tejet të rrezikshme, dhe po bashkëpunojmë ngushtësisht me agjencitë partnere ndërkombëtare për zbulimin e adresave IP, identifikimin e administratorëve të këtyre kanaleve dhe të çdo përdoruesi që bën thirrje për dhunë dhe akte terroriste.

Përdorimi i rrjeteve sociale nëpërmjet llogarive anonime nuk duhet dhe nuk do të lejohet t’i shërbejë rrymave apo shtetasve me prirje terroriste, ekstremiste dhe të dhunshme, brenda dhe jashtë vendit, të cilët janë aktualisht në një proces hetimor tejet të detajuar dhe konfidencial, për të vlerësuar qëllimet dhe veprimet e tyre destabilizuese, si dhe të rrezikshme për shoqërinë dhe të ardhmen e vendit.

Gjithashtu, Policia e Shtetit shpreh keqardhjen për përhapjen e lajmeve të pavërteta dhe dashakeqe që synojnë të shfrytëzojë ndjenjat nacionaliste për të krijuar klimë konfliktuale dhe për të cenuar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.

Drejtuesi i lartë i policisë Dhimitraq Ziu tha në një deklaratë për mediat se 127 persona janë arrestuar nga policia gjatë 4 ditëve të protestës në Tiranë me akuzat e shkatërrrimit të pronës dhe kundërshtim të policisë’, tha Ziu.

🔗 Shpërndaje
14:47

Protesta e studentëve në Tiranë, policia: 56 të arrestuar dhe 97 të proceduar

Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me shoqërimet e protestuesve gjatë protestës të së enjtes. Mësohet se policia ka arrestuar 56 persona dhe ka proceduar 97 të tjerë. Në njoftim, bëhet me dije se protestuesit kanë ushtruar akte dhune, duke hedhur gurë, sende të forta dhe lëndë piroteknike në drejtim të punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore e private.

Si pasojë e akteve të dhunës, janë dëmtuar 24 punonjës të Policisë, të cilët kanë marrë ndihmën mjekësore. Policia bën me dije se po vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjeve, si dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këto tensione.

Njoftimi i plotë:

Tiranë/Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta punonjësit e Policisë, dëmtuan godina institucionesh shtetërore, biznese, banka, sinjalistikë rrugore dhe prona publike e private, si dhe dogjën automjete policie gjatë tubimit të djeshëm, arrestohen 56 shtetas, procedohen penalisht 97 të tjerë.

Gjatë tubimit të zhvilluar dje, disa pjesëmarrës kanë ushtruar akte dhune, duke hedhur gurë, sende të forta dhe lëndë piroteknike në drejtim të punonjësve të Policisë dhe godinave të institucioneve shtetërore.

Gjithashtu, kanë shkatërruar dhe dëmtuar biznese, banka, sinjalistikë rrugore, godina institucionesh shtetërore dhe prona të tjera publike e private, si dhe kanë djegur automjete të Policisë.

Gjatë këtyre akteve të dhunshme, janë kundërshtuar dhe goditur me sende të forta punonjësit e Policisë së Shtetit, gjatë ushtrimit të detyrës.

Si pasojë e akteve të dhunës, janë dëmtuar 24 punonjës të Policisë, të cilët kanë marrë ndihmën mjekësore.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, në drejtimin e Prokurorisë, u arrestuan 56 shtetas dhe nisi procedimi penal për 97 shtetas të tjerë, të dyshuar si të përfshirë në veprimet e kundërligjshme gjatë tubimit.

Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan shtetasit: N. V., 23 vjeç; L. A., 24 vjeç; E. M., 32 vjeç; D. T., 21 vjeç; E. N., 21 vjeç; Xh. K., 22 vjeç; E. Sh., 22 vjeç; M. N., 21 vjeç; H. D., 22 vjeç; F. D., 32 vjeç; L. M., 37 vjeç; E. D., 22 vjeç; I. K., 20 vjeç; E. D., 25 vjeç; E. Q., 20 vjeç; S. D., 24 vjeç; F. M., 25 vjeç; I. G., 36 vjeç; Xh. K., 22 vjeç; M. K., 20 vjeç; K. K 39 vjeç,P. K., 21 vjeç; F. T., 18 vjeç; L. V., 32 vjeç; A. S., 19 vjeç; M. A., 32 vjeç; R. Ç., 19 vjeç; I. D., 26 vjeç; B. B., 19 vjeç; E. M., 20 vjeç; A. L., 22 vjeç; F. Gj., 21 vjeç; K. G., 20 vjeç; P. G., 23 vjeç; Z. S., 43 vjeç; L. C., 22 vjeç;  E. P., 18 vjeç; D. Sh., 19 vjeç; A. B., 20 vjeç; G. M., 29 vjeç si dhe 16 shtetas të mitur të moshave 15-17 vjeç.

Policia vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjeve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

🔗 Shpërndaje
14:44

BBC: Protestat në Shqipëri shndërrohen në të dhunshme, çfarë dimë ne

Protestuesit dhe policia anti-trazira janë përleshur në qytetet kryesore të Shqipërisë, në skena të papara prej kohësh.

Ndërtesat qeveritare janë sulmuar, si dhe disa biznese private.

Pra, çfarë po ndodh?

Sa të mëdha dhe të pazakonta janë këto protesta?

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, ka parë muaj të tërë protestash nga lëvizja antiqeveritare “Flamingo”, por ajo që filloi të martën e kësaj jave ishte në një shkallë tjetër.

Dhe përplasjet janë shtrirë përtej Tiranës – duke përfshirë qytetet kryesore Durrës, Shkodër, Korçë dhe Vlorë.

Demonstratat e reja u njoftuan si një lëvizje studentore, duke kërkuar në dukje veprime nga qeveria për të ndihmuar me koston e lartë të tarifave të arsimit dhe librave – dhe koston më të lartë të jetesës.

Shkollat ​​e mesme u bashkuan, duke rritur numrin e nxënësve.

Shumë shpejt, protestuesit e maskuar hodhën gurë drejt policisë, e cila u përgjigj me topa uji, gaz lotsjellës dhe shkopinj gome.

Shumë u tërbuan nga skenat e një të riu që po rrëmbehej, me këmbën e thyer që i varej nga agonia.

U shprehën ndjesë, por nuk arritën ta qetësonin situatën.

Një kat i ministrisë së arsimit u vu në flakë, bashkë me institucione të tjera qeveritare.

Çdo mbrëmje, gjatë gjithë verës për rreth 140 ditë me radhë, shqiptarët në qendër të Tiranës mbanin në duar fotografi të një flamingoje rozë, duke i bërë thirrje kryeministrit Edi Rama – tani në mandatin e tij të katërt – të jepte dorëheqjen.

Protestat filluan për shkak të një projekti mega-turistik në bregdetin e Adriatikut të lidhur me dhëndrin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Jared Kushner. Demonstruesit thanë se shpendi do të zhdukej në një ishull pranë qytetit bregdetar të Vlorës, nëse planet për një zhvillim luksoz do të vazhdonin.

Zemërimi i publikut vjen ndërsa akuzat për korrupsion midis ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë bëhen më të forta.

Një zëvendëskryeministër është larguar nga vendi, ndërsa një tjetër është urdhëruar të japë dorëheqjen ndërsa hetimet vazhdojnë.

Pra, a është radikalizuar lëvizja Flamingo?

Protestuesit flamingo thonë se nuk kanë lidhje me asnjë parti politike – një nga sloganet e tyre është “Rama në burg, Berisha në burg”. Ndërsa Rama është kryeministër, Sali Berisha është udhëheqësi kryesor i opozitës në Shqipëri – si dhe ish-kryeministër dhe president.

Në to merrnin pjesë të rinj e të moshuar, prindër me fëmijë dhe ndonjëherë gjyshërit e tyre. Disa nga pjesëmarrësit krenoheshin që pastronin çdo natë.

Por pas muajsh dhe një vere jashtëzakonisht të nxehtë, numri i tyre u zvogëlua – pa asnjë shenjë se qeveria po i plotësonte kërkesat e tyre.

Lëvizja aktuale duket shumë më e dhunshme. Dhjetëra policë janë lënduar dhe sytë e Evropës tani po shikojnë se çfarë do të ndodhë më pas në një vend që shihet si një nga kandidatët kryesorë për anëtarësim në BE.

Disa protestues të rinj i thanë BBC-së se ajo që po ndodhte tani ishte një fazë e re e lindur nga lëvizja e mëparshme.

Pesë muaj protestash paqësore ishin “përballur me poshtërim, tallje dhe përqeshje”, u ankua një grua e re e quajtur Livia. “Ky ishte një mesazh i qartë nga qeveria se zëri ynë nuk do të lejohet të dëgjohet.”

Një tjetër e quajtur Brunela tha se ishte e shqetësuar për atë që mund të ndodhte më pas: “Jam shumë e tmerruar sepse media dhe qeveria po reagojnë, veçanërisht tani. Nuk ishte vetëm zëri im, është zëri i të rinjve shqiptarë.”

Mund të ketë ndodhur një mbivendosje midis dy grupeve të protestave, edhe pse udhëheqësit e flamingove nuk e kanë deklaruar publikisht këtë dhe asnjë përfaqësues i lëvizjes studentore nuk është paraqitur.

Në fund të fundit, shqetësimet e tyre kryesore lidhen me korrupsionin, të cilin kryeministri thotë se duhet ta hetojë sistemi i drejtësisë.

Si po e përballon qeveria trazirat?

Rama ka vizituar disa nga ndërtesat e dëmtuara dhe ka fajësuar Sali Berishën për nxitjen e kaosit.

“E gjithë kjo është vepër e së njëjtës dorë – dorës që e ka kapur opozitën shqiptare për fyti, dorës që e ka djegur dhe shkatërruar Shqipërinë më shumë se një herë, dhe tani është e përgatitur ta djegë dhe ta shkatërrojë atë përsëri për të parandaluar çdo përparim. Është një luftë e verbër, e nxitur nga urrejtja më irracionale”, tha ai të premten.

Kryeministri e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, duke premtuar se do të “dëgjojë, do të adresojë shqetësimet legjitime dhe do ta mbajë Shqipërinë përpara”.

Partia Demokratike e Berishës është përpjekur shpesh të nxjerrë njerëz për të rrëzuar Ramën.

Por numri i mbështetësve të tij besnikë, të cilët gjithashtu kanë protestuar për muaj të tërë dhe herë pas here janë përleshur me policinë, ka qenë i ulët në krahasim me pjesëmarrjen aktuale.

Pra, ka njëfarë skepticizmi në lidhje me aftësinë e Berishës për të organizuar telashet, megjithëse ai mund të kërkojë të përfitojë prej tyre.

Nga ana tjetër, mediat shqiptare kanë sugjeruar se mund të jenë të përfshira shërbime sekrete të vendeve të huaja.

Akuza të pabaza janë bërë kundër Serbisë, me komentatorët që sugjerojnë se Beogradi e ka zili që Shqipëria shpesh përmendet si vendi i ardhshëm që mund të anëtarësohet në BE.

Në fakt, pa përmendur emra, Kryeministri Rama e përsëriti këtë pretendim të premten.

“Këto janë duar të huaja që nuk duan që Shqipëria të jetë në paqe… ata nuk duan që Shqipëria të jetë pjesë e familjes së bashkuar evropiane”, tha ai, duke shtuar: “A mendoni se është rastësi që sa herë që Shqipëria merr një dritë tjetër jeshile… ose i afrohet asaj ambicieje të madhe – atij objektivi historik – flakët shpërthejnë papritmas? Nuk është aspak rastësi! Asgjë nga ajo që po ndodh tani nuk është rastësi.”

A është e sigurt për të vizituar Shqipërinë?

Edhe pse dhuna në rrugë ka ndodhur në shumë qytete, ajo mbetet e përmbajtur për momentin.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar u ka kërkuar vizitorëve të kontrollojnë median për informacionet më të fundit, të qëndrojnë larg “demonstratave, tubimeve në shkallë të gjerë ose tubimeve politike” dhe të ndjekin këshillat e autoriteteve lokale.

Shqipëria është një destinacion i njohur turistik dhe qeveria në Tiranë ka paralajmëruar se dhuna dëmton imazhin e vendit, duke ndikuar si në turizëm ashtu edhe në rrugën e tij evropiane.

BBC

🔗 Shpërndaje
14:37

Përfundon pas 7 orësh protesta në Elbasan, mes tensioneve, djegies së koshave dhe dëmtimit të sinjalistikës

Pas shtatë orësh tensione dhe përplasjesh, protesta në Elbasan është mbyllur. Tubimi i ditës së dytë kundër qeverisë Rama u shoqërua me akte vandalizmi, dëmtim të sinjalistikës rrugore dhe djegie të kazanëve të mbeturinave.

Protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit, duke ngritur shqetësimet për pagat e ulëta dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë në Shqipëri.

🔗 Shpërndaje
14:20

Studentët nuk tërhiqen, nuk largohen pas ujit të hedhur nga policia! Hedhin koshat e mbeturinave në rrugë

Situata përpara Ministrisë së Arsimit vazhdon të jetë e tensionuar, ndërsa protestat e të rinjve po përshkallëzohen.

Protestuesit kanë marrë koshat e mbeturinave dhe i kanë shtyrë drejt ministries së Arsimit. Pavarësisht përpjekjeve të forcave të rendit për të kontrolluar situatën, reagimi i të rinjve ka qenë i shpejtë.

Policia ka tentuar disa herë të shpërndajë turmën duke përdorur ujë me presion, por pa sukses. Pasi largohen përkohësisht nga presioni i ujit, të rinjtë rikthehen sërish përpara godinës.

Disa nga protestuesit kanë nisur të qëllojnë me gurë dhe objekte të tjera në drejtim të efektivëve të policisë. Protesta vijon të jetë aktive dhe forca të shumta policore kanë rrethuar perimetrin e Ministrisë së Arsimit.

🔗 Shpërndaje
13:57

Vajzat në rreshtin e parë të protestës, lidhen krah për krah para Ministrisë së Arsimit

Një formë e re proteste po zhvillohet këtë të premte përpara Ministrisë së Arsimit, ku një grup vajzash janë vendosur në rreshtin e parë, të lidhura krah për krah me njëra-tjetrën. Të rreshtuara krah për krah, vajzat brohorasin njëzëri.

Sipas pamjeve, vajzat i paraprijnë protestës dhe marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit, aty ku më herët janë shënuar disa përplasje.

Kjo është një skemë ndryshe nga ditët e tjera të protestës, pasi këtë herë vajzat kanë vendosur të jenë në krye të marshimit, duke brohoritur në drejtim të policisë: “Turp, turp!”

🔗 Shpërndaje
13:50

Bllokohet hyrja te gjimnazi “Ali Demi” në Vlorë, nxënësit nuk lejohen të dalin nga shkolla! Forca të shumta policie

Për shkak të protestës që po zhvillohet në Vlorë, nxënësit e gjimnazit “Ali Demi” nuk po lejohen të dalin nga ambientet e shkollës.

Sipas raportimeve, kjo masë është marrë për shkak të mos përfshirjes së nxënësve në protestë.

Pranë gjimnazit ndodhen një grup protestuesish, si dhe një numër i shtuar i efektivëve të policisë.

🔗 Shpërndaje
13:45

Rama: Pa rezervë e dua Shqipërinë, kur s’ka forcë në botë që e rrëzon përtokë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me protestën e studentëve dhe gjimnazistëve që vijon në Tiranë.

Rama ka publikuar një mesazh përmes të cilit shpreh dashurinë për Shqipërinë, duke e shoqëruar postimin me një fotografi të një sinjalistike të rrëzuar në rrugë.

“Pa rezervë e kam dashur Shqipërinë kur e kishin përplasur përtokë dhe pa rezervë e dua sot, kur s’ka forcë në botë që e rrëzon më përtokë”, shkruan kryeministri.

Reagimi i Ramës vjen në ditën e katërt të protestave në kryeqytet, ku studentë dhe gjimnazistë janë bashkuar në kundërshtim ndaj situatës politike në vend.

🔗 Shpërndaje
13:39

Tensione në protestë para Ministrisë së Arsimit, disa të shoqëruar! I riu shfaq probleme shëndetësore

Situata para Ministrisë së Arsimit është përshkallëzuar teksa policia ka shoqëruar disa persona. Protestuesit e shoqëruar kanë kundërshtuar marrjen nga polica teksa herë pas here tentojnë t’iu largohen nga duart.

Gjithashtu një i ri që po shoqërohej shfaqi shqetësime shëndetësore. Protestuesit kanë ndërhyrë duke i dhënë ujë dhe kanë kërkuar lirimin e tij. Ende nuk dihet nëse ai u shoqërua apo u dërgua në spital për t’i dhënë ndihmë mjekësore.

Policia mësohet se ka hedhur edhe gaz lotsjellës që la sjellë shpërdarjen e përkohshme të protestuesve.

🔗 Shpërndaje
13:32

Balla përgëzon Policinë dhe Prokurorinë: Goditet grupi kriminal që furnizonte protestuesit me lëndë zjarrvënëse

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përgëzuar Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë për goditjen e një grupi kriminal, i cili, sipas tij, zotëronte një depo që furnizonte personat e maskuar dhe të dhunshëm gjatë protestave të tri ditëve të fundit me lëndë zjarrvënëse.

Përmes një reagimi, Balla thekson se të gjithë personat përgjegjës për aktet e dhunës dhe zjarrvëniet duhet të përballen me drejtësinë.

“Kushdo që ka djegur dhe dhunuar duhet të vendoset para drejtësisë”, shprehet Balla, duke vlerësuar punën e institucioneve ligjzbatuese në goditjen e këtij aktiviteti kriminal.

🔗 Shpërndaje
13:17

Tensione pranë Ministrisë së Arsimit, hidhet gaz lotsjellës ndaj protestuesve

Tensione janë shënuar tek Ministrisë së Arsimit, ku ka pasur përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Raportohet se, gjatë përpjekjeve për t’i tërhequr, policia ka përdorur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve, ku këta të fundit kanë kundërshtuar.

🔗 Shpërndaje
13:12

Tensione në Vlorë, studentja humb ndjenjat gjatë protestës, protestuesit i japin ndihmën e parë

Një studente nuk është ndier mirë dhe ka humbur ndjenjat gjatë protestës së zhvilluar ditën e sotme në Vlorë.

Sipas pamjeve, e reja është shtrirë në tokë, ndërsa ndihmën e parë ia kanë dhënë të rinjtë e pranishëm. Pak minuta më vonë, në vendngjarje ka mbërritur edhe ambulanca, e cila e ka transportuar studenten drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Tensionet nuk kanë munguar as sot në Vlorë, ku janë shënuar konfrontime dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.

🔗 Shpërndaje
13:05

Protestuesit mblidhen para Ministrisë së Arsimit, thirrje për mos hedhje gurësh ndaj policisë

Qytetarë dhe studentë të shumtë janë mbledhur këtë të premte para ambienteve të Ministrisë së Arsimit në ditën e katërt të protestës studentore. Ndërkohë protesta e sotme po vijon e qetë dhe pa tensione ndryshe nga tre ditët e mëparshme.

Siç shihet edhe nga pamjet, qytetarët po bëjnë thirrje për mos hedhjen e gurëve në drejtim të policisë. Ka patur raste që disa persona kanë tentuar të hedhin gurë ndaj forcave të rëndit, gjë e cila ka sjellë reagim nga qytetarët të cilët mesa duhet këtë të premte nuk duan protestë të dhunshme.

🔗 Shpërndaje
13:04

Gjykata e Tiranës njoftim zyrtar: 18 të arrestuar, 1 në burg dhe 5 në arrest shtëpie nga protestat në Tiranë

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka shqyrtuar këtë të premte, më 16 tetor, kërkesat e Prokurorisë për vleftësimin e arrestimeve në flagrancë dhe caktimin e masave të sigurisë për 18 persona të ndaluar në kuadër të protestave në kryeqytet.

Pas shqyrtimit të çështjeve, gjykata ka caktuar masën “arrest në burg” për A. Th., i dyshuar për disa vepra penale, mes tyre goditje për shkak të detyrës, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme, shkatërrim prone, shkatërrim prone me zjarr dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta. Në njoftimin e gjykatës përmendet edhe dyshimi për vjedhjen e bankave dhe arkave të kursimit.

Ndërkohë, pesë persona janë lënë në “arrest në shtëpi”, ndërsa për të tjerët është caktuar masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Sipas vendimit, personat nën hetim akuzohen, në varësi të rasteve, për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme, kundërshtim të punonjësve të policisë së rendit publik, prishje të qetësisë publike, shkatërrim prone dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit.

Gjykata ka vleftësuar si të ligjshme arrestimet në flagrancë dhe ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të personave ndaj të cilëve nuk është caktuar masa e arrestit në burg, me kushtin që të mos mbahen të ndaluar, të arrestuar ose të dënuar për vepra të tjera penale.

Vendimet mund të ankimohen në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda pesë ditëve nga dita pas njoftimit të vendimit.

Personat e përmendur janë nën hetim dhe dyshimet e ngritura ndaj tyre nuk përbëjnë fajësi të provuar.

🔗 Shpërndaje
13:01

Të rinjtë në Pogradec rikthehen në bulevard pas shoqërimeve dhe përplasjeve me policinë

Pavarësisht se ka pasur disa të shoqëruar dhe 3 herë ndërhyrje nga policia, të rinjtë në Pogradec janë rikthyer në bulevard.

Edhe pse të pakët në numër të rinjtë kanë zgjedhur të marshojnë në rrugët e qytetit me thirrjet “Rama jepe dorëheqjen” “Rama në burg, Berisha në burg”.

Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre në Korçë, të rinjtë e Pogradecit kanë zgjedhur që të japin një mesazh tjetër, të mos dëmtojnë pronën publike, institucionet apo shkollat por të dalin paqësisht për të ardhmen e tyre dhe të drejtat e tyre të mohuara sipas tyre.

Nxënësit thanë se ka pasur edhe shumë të rinj të tjerë që kanë dashur të dalin dhe ti bashkohen marshimit por nuk janë lejuar nga shkollat.

Në radhët e tyre munguan fëmijët problematikë apo 13 e 14 vjeçarët të cilët në disa raste siç ndodhi në Korçë bëhen të dhunshëm duke thyer objekte publike dhe xhama. Të rinjtë thanë se do të punojnë për organizimin e radhës për ditën e hënë, me shpresën se edhe shumë të tjerë të rinj do tu bashkohen.

🔗 Shpërndaje
12:53

Përplasje mes policisë dhe protestuesve në Lezhë, disa të lënduar! Një i ri humb ndjenjat

Në qytetin e Lezhës, situata po vijon ende e tensionuar teksa të rinjtë janë përplasur herë pas here me policinë. Bëhet me dije se një person ka humbur ndjenjat në trotuar teksa dy vajza të tjera kanë marrë dëmtime nga përplasja me policinë.

Ata deklarojnë se policia i ka dhunuar me shkopinj gome. Protestuesit gjithashtu kanë shkulur kangjellat e trotuarit dhe kanë dëmtuar sinjalistikën rrugore. Në hyrje të qytetit ata kanë ndezur një zjarr të madh duke bllokuar përkohësisht qarkullimin.

🔗 Shpërndaje
12:49

Balla ndan videon: O Sali, mjaft i mbushe çantat e deputetëve me bombula zjarri

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka publikuar në rrjetin social Facebook një video ku shfaqet policia duke ndaluar disa të rinj, në çantat e të cilëve janë gjetur bombula gazi dhe mjete të forta.

Në video shfaqet edhe anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana, e cila kundërshton shoqërimin e të rinjve.

Krahas videos, Balla pretendon se ky veprim është nxitur nga kreu i PD-së, Sali Berisha, të cilit i thotë:

“O Saaaaaali! Mjaft i mbushe çantat e deputetëve, kandidatëve me bombula zjarri, se nuk e djeg dot më ti Shqipërinë! Shikojeni kandidaten e Saliut dhe çantën plot me bombula zjarri”.

🔗 Shpërndaje
12:39

Berisha thirrje qytetarëve: Të mbështesim këtë lëvizje historike, revolta studentore duhet universalizuar

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në konferëncë për mediat ka folur lidhur me protestën e studentëve duke e cilësuar si një lëvizje historike. Berisha ndër të tjera u bëri thirrje qytetarëve që t’iu bashkohen protestave. Sipas tij, kjo revoltë e studentëve duhet universalizuar.

“PD u bën thirrje mbarë qytetarëve të mbështesin me të gjithë potencialin e tyre këtë lëvizje historike, këtë revoltë historike të studentëve të Tiranës dhe universiteteve të vendit, këtë revoltë historike shpëtimtare të mbarë rinisë shkollore dhe më gjerë.

PD u bën thirrje bizneseve të vogla që kanë te kjo parti, partinë e tyre, të gjejnë format dhe të shprehin solidaritetin e tyre të plotë me studentët në revoltë.

PD i garanton ata se studentët nuk kanë urrejtje ndaj tyre. Urrejtja studentore është për Padrinon dhe oligarkët e tij. Por është në kodin moral të biznesmenit të ndershëm të qytetëruar të marrë anën e studentëve, qoftë me një ndërprerje të përkohshme pune njëorëshe, dyorëshe në mënyrë që të inkurajojë këtë lëvizje.

Një akt miqësor ndaj studentëve, revoltës së tyre, që po tregojnë një guxim të jashtëzakonshëm, pritet nga çdo biznesmen.

Narkoshteti i Edi Ramës është armiku kryesor i tyre, armiku kryesor i shqiptarëve. Dhe studentët po përballen pikërisht me narkoshtetin e Edi Ramës.

Indiferenca ndaj revoltës studentore, dashje pa dashje është mbështetje për regjimin më të urryer të shqiptarëve dhe Edi Ramën.

U bëj thirrje të gjitha shërbimeve publike të konsiderojnë rreshtimin e tyre me studentët. Është e një rëndësie jetike zgjerimi dhe universalizimi i kësaj greve, i kësaj revolte”, u shpreh Berisha.

🔗 Shpërndaje
12:20

Protestat e studentëve dhe gjimnazistëve, reagon zyra e OKB në Tiranë

Kombet e Bashkuara në Shqipëri kanë reaguar për protestat në Tiranë, duke shprehur shqetësimin për aktet e dhunës dhe përshkallëzimin e tensioneve. Në deklaratën e saj, OKB-ja u bën thirrje të gjitha palëve të shmangin dhunën dhe të angazhohen në dialog, ndërsa vë theksin te respektimi i të drejtave themelore dhe proporcionaliteti në veprimet e forcave të rendit.

Në reagimin e saj, organizata nënvizon rëndësinë e garantimit të së drejtës për tubim paqësor, lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit, si dhe mbrojtjen e sigurisë dhe dinjitetit të çdo personi.

OKB-ja thekson gjithashtu se veprimet e forcave të rendit duhet të karakterizohen nga vetëpërmbajtja dhe proporcionaliteti, duke kërkuar respektimin e garancive për një proces të rregullt ligjor.

Një tjetër pikë e deklaratës lidhet me mbrojtjen e pronës publike dhe private, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Në përfundim, Kombet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha palëve të përfshira në protestat në Tiranë që të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv, të mbështetur te respekti i ndërsjellë, paqja dhe shteti i së drejtës.

Deklarata e plotë e OKB-së:

“Kombet e Bashkuara në Shqipëri shprehin shqetësimin për aktet e fundit të dhunës dhe përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave në Tiranë. Rikonfirmojmë rëndësinë e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të tubimit paqësor, lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit, si dhe të garantimit të sigurisë dhe dinjitetit të të gjithëve, në përputhje me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Theksojmë rëndësinë e vetëpërmbajtjes dhe proporcionalitetit në veprimet e forcave të rendit, respektimit të garancive për një proces të rregullt ligjor dhe mbrojtjes së pronës publike dhe private, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira të përmbahen nga dhuna, të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv, në frymën e respektit të ndërsjellë dhe të angazhimit të përbashkët për paqen dhe shtetin e së drejtës”.

🔗 Shpërndaje
11:38

Konfrontime mes policisë dhe të rinjve në Vlorë, protestuesit tentojnë të prishin murin e projektit të Muzeut Hebraik

Vijon të jetë e tensionuar protesta e studentëve në Vlorë, pasi të rinjtë kanë tentuar të prishin murin e projektit të Muzeut Hebraik.

Pas këtij veprimi, ka pasur përplasje mes policisë dhe grupit të studentëve, të cilët janë shtyrë dhe goditur me njëri-tjetrin.

Policia po tenton të komunikojë me grupin organizator të protestës, ndërsa po paralajmëron protestuesit për shoqërime në polici.

🔗 Shpërndaje
11:19

Tensionohet situata në Korçë, protestuesit u vënë flakën koshave të mbeturinave, policia nis shoqërimet

Protesta në Korçë është shoqëruar me tensione, ndërsa policia ka nisur shoqërimin e të rinjve.

Sipas pamjeve, protestuesit u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave dhe i kanë hedhur në rrugë. Ndërkohë, studentët kanë hedhur gurë dhe sende të tjera në drejtim të forcave të rendit.

Pas këtyre veprimeve, situata është tensionuar, duke sjellë përplasje mes policisë dhe protestuesve.

🔗 Shpërndaje
11:19

Dita e katërt e protestave, studentët dhe gjimnazistët marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit

Protestat e studentëve dhe gjimnazistëve kanë nisur edhe këtë të premte në Tiranë, në ditën e katërt të tubimeve kundër qeverisë. Të rinj nga kryeqyteti dhe qytete të tjera të vendit janë bashkuar në protestë, ku marrin pjesë studentë të degëve të ndryshme, me një prani të theksuar të studentëve të Mjekësisë.

Protestuesit kanë nisur marshimin drejt Ministrisë së Arsimit, ndërsa kërkesat e tyre lidhen me zhvillimet politike në vend dhe kundërshtimin ndaj qeverisë.

Gjatë protestës, një prej studentëve u shpreh se të rinjtë nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga kërkesat e tyre, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.

Protesta e sotme vjen pas tre ditësh tubimesh të shoqëruara me tensione dhe përplasje, ndërsa pjesëmarrja e të rinjve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë e shtrin mobilizimin përtej kryeqytetit. Studentët dhe gjimnazistët vijojnë të protestojnë, ndërsa marshimi drejt Ministrisë së Arsimit është një nga zhvillimet e para të tubimit të kësaj të premteje.

🔗 Shpërndaje
11:12

Ministrja e Ekonomisë: Filialet e Postës në funksion të qytetarëve dhe pensionistëve

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, inspektoi këtë të premte nga afër një prej filialeve të Postës Shqiptare në Tiranë, i cili u dëmtua gjatë protestës studentore.

Ajo siguroi se pavarësisht dëmtimeve të pronës publike, të gjitha shërbimet ndaj qytetarëve dhe pensionistëve do të vijojnë.

“Jam këtu në një nga rrugët kryesore të qytetit të Tiranës dhe mbrapa kemi filialin e Postës Shqiptare, i cili është dëmtuar.

Janë disa filiale të dëmtuara këtu. Në këto filiale, qytetarët marrin përditë shërbime: pensionistët marrin pensionet e tyre dhe të ardhurat që i duhen për të siguruar jetesën. Unë dua t’i garantoj të gjithë qytetarët që, pavarësisht goditjeve ndaj pronës publike dhe private, ne jemi të angazhuar që ato të marrin shërbimet e tyre të përditshme. Pensionistët, ndonëse mbrapa në kohën që po kalojmë, mund të drejtohen në të gjithë filialet e tjera dhe të marrin pensionin e tyre, sepse ne jemi këtu për të garantuar që rendi dhe siguria dhe shërbimi ndaj qytetarëve do të vijojë i pandërprerë, pavarësisht atyre që ndodhin në këtë qytet”, është shprehur Ibrahimaj.

🔗 Shpërndaje
11:04

19 protestues para gjykatës për masat e sigurisë, 6 në arrest shtëpie dhe 10 me detyrim paraqitjeje

Protestuesit e arrestuar pas tubimit të 13 tetorit kanë dalë këtë të premte para Gjykatës për caktimin e masave të sigurisë. Seanca ka nisur në orën 08:30, ndërsa procesi po zhvillohet në grupe për shkak të kufizimit të ambienteve.

Gjyqtare e çështjes është Amarilda Sulaj. Në ambientet e gjykatës janë parë edhe forca policore të pajisura me skafandër dhe maska gazi, të cilat janë vendosur në gatishmëri për çdo përshkallëzim të mundshëm të situatës. Deri më tani, situata paraqitet e qetë.

Sipas informacionit të deritanishëm, për protestuesit janë caktuar masa të ndryshme sigurie, përfshirë arrestin në shtëpi, detyrimin për t’u paraqitur dhe arrestin me burg.

Emrat e protestuesve dhe masat e sigurisë

Arrest shtëpie

  • Kalosh Hysbajrami
  • Korado Aliaj
  • Ali Bruçi
  • Klevi Metaj
  • Xhesion Petoku
  • Erand Zenunllari

Detyrim paraqitjeje

  • Ernest Kapo
  • Donik Vatgj oni
  • Iljaz Sulaj
  • Besnik Kala
  • Kastriot Vata
  • Florian Baba
  • Genci Ibrahimi
  • Brixhet Bali
  • Hamza Bushi
  • Olsi Vogli

Për personin e lënë në arrest me burg, emri nuk është specifikuar në informacionin e disponueshëm.

Tetë vepra penale për protestuesit

Protestuesit u arrestuan pas incidenteve të regjistruara gjatë tubimit të 13 tetorit në Tiranë, kur pati sulme ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Tiranës, dëmtime të bizneseve dhe bankomateve, djegie të koshave të mbeturinave dhe përplasje me Policinë.

Ndaj të arrestuarve rëndojnë tetë vepra penale: “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Në lidhje me ngjarjet e protestës, 49 persona të tjerë janë vënë nën hetim, ndërsa gjashtë punonjës policie kanë mbetur të lënduar.

🔗 Shpërndaje
10:59

Protestat studentore, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë deklaratë të përbashkët: Apel për dialog, paqe dhe dëgjim të të rinjve

Krerët fetarë të Shqipërisë kanë dalë me një deklaratë të përbashkët lidhur me situatën e krijuar gjatë protestave studentore të zhvilluara ditët e fundit në vend.

Sipas deklaratës, krerët fetarë bëjnë apel për paqe, drejtësi, përgjegjshmëri dhe dialog.

Këshilli Ndërfetar thekson se të rinjtë duhet të dëgjohen dhe institucionet duhet të japin përgjigje në përputhje me ligjin. Gjithashtu, ai thekson se shkatërrimi i bizneseve familjare, institucioneve arsimore cënon të drejtën për dije dhe siguri.

Deklaratë e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

Apel për paqe, drejtësi, përgjegjësi dhe dialog kombëtar.

Paqja është përgjegjësi e përbashkët. Drejtësia është detyrim. Respekti për njeriun është themeli që na bashkon. E ardhmja e Shqipërisë është në duart e brezave që po rrisim sot, ndaj kemi detyrimin t’u lëmë një vend ku drejtësia frymëzon shpresë dhe bashkëjetesa bëhet vlerë e trashëguar. Shqetësimet e qytetarëve dhe të studentëve meritojnë të dëgjohen me seriozitet, ndërsa institucionet kanë përgjegjësinë të japin përgjigje konkrete, transparente dhe në përputhje me ligjin.

Si përfaqësues të komuniteteve fetare zyrtare në Shqipëri, besojmë se paqja nuk nënkupton heshtje përballë padrejtësisë, drejtësia nuk mund të ndërtohet përmes dhunës dhe autoriteti nuk mund të ushtrohet pa përgjegjësi. Traditat tona fetare na bashkojnë në mbrojtjen e jetës, dinjitetit njerëzor, mëshirës, drejtësisë dhe respektit për tjetrin, pavarësisht bindjeve apo qëndrimeve që përfaqësojmë

Këshilli Ndërfetar rikujton se e drejta për të protestuar paqësisht është një vlerë themelore demokratike, ndërsa dhuna, shkatërrimi i pronës dhe cenimi i të drejtave të të tjerëve nuk mund të justifikohen nga asnjë pakënaqësi apo qëllim.

Dëmtimi i një biznesi familjar prek drejtpërdrejt jetesën e një familjeje; cenimi i një institucioni arsimor prek të drejtën për dije dhe siguri; ndërsa mosrespektimi i një përfaqësie diplomatike dhe i simboleve të saj cenon parimet e respektit të ndërsjellë dhe të bashkëjetesës ndërkombëtare.

Mendojmë se në këto momente, vendi ka nevojë për më pak akuza dhe më shumë dëgjim, për më pak përplasje dhe më shumë përgjegjësi, për më pak ndarje dhe më shumë dialog. Asnjë palë nuk duhet ta shohë tjetrën si armike, por si pjesë të së njëjtës shoqëri, me të drejta, detyrime dhe përgjegjësi të përbashkëta.

Apeli ynë është për të gjithë: qytetarët të dëgjohen, institucionet të përgjigjen, drejtësia të garantohet, ligji të respektohet dhe paqja të mbrohet. E ardhmja e Shqipërisë nuk ndërtohet mbi frikën, shkatërrimin dhe përçarjen, por mbi dinjitetin, besimin e ndërsjellë dhe vullnetin për të gjetur zgjidhje paqësore.

Me përulësi i drejtohemi të gjitha palëve të zgjedhin dialogun mbi konfliktin dhe përgjegjësinë mbi përshkallëzimin, duke vendosur mbi çdo interes të ngushtë të mirën e përbashkët, sigurinë e qytetarëve dhe paqen shoqërore.

🔗 Shpërndaje
10:50

Braçe publikon pamje nga shkollat në ditën e katërt të protestave: Gjithçka është jetë, fëmijët janë mirë

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka publikuar një video në rrjetet sociale nga shkollat në zonën e Njësisë 5 në Tiranë, në ditën e katërt të protestave të studentëve dhe gjimnazistëve.

Në reagimin e tij, Braçe ndalet te siguria në shkolla dhe gjendja e fëmijëve, duke përcjellë pamje nga oborret e shkollave.

“Mëngjes i sotëm është… siguria në shkollë… fëmijët janë mirë edhe… sigurisht fëmijët që luajnë në oborr edhe pjesa tjetër që luajnë në oborr… gjithçka është jetë”, shprehet deputeti në videon e publikuar.

Reagimi i Braçes vjen në një moment kur protestat e të rinjve vijojnë prej katër ditësh, me studentë dhe gjimnazistë që kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar situatën politike në vend.

🔗 Shpërndaje
10:36

Policia ndalon gjimnazistët e Kamzës, të rinjtë tentojnë t’i bashkohen protestës në Tiranë

Gjimnazistët e Kamzës kanë dalë sërish në protestë këtë të premte, duke bojkotuar mësimin dhe duke marshuar në rrugë në shenjë kundërshtimi ndaj situatës politike në vend.

“Pas flamurit të gjithë” dhe “Shqipëria kërkon revolucion” janë thirrjet që shoqërojnë tubimin e të rinjve, të cilët kanë vijuar protestën edhe gjatë ditës së sotme.

Nxënësit janë nisur në drejtim të Tiranës me synimin për t’iu bashkuar protestës në kryeqytet, por marshimi i tyre është ndaluar nga Policia. Në zonë është konstatuar prani e shtuar e forcave të rendit, ndërsa deri më tani nuk raportohen përplasje mes efektivëve dhe protestuesve.

Protesta në Kamëz zhvillohet në ditën e katërt të mobilizimit të studentëve dhe gjimnazistëve, të cilët kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë edhe në qytete të tjera të vendit.

🔗 Shpërndaje
10:34

Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar: Protesta, e drejtë demokratike! Dhuna dhe vandalizmi janë të papranueshme

Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar ka dalë me një reagim lidhur me protestat e studentëve teksa ka dënuar aktet e dhunës, vandalizmit dhe shkatërrimit të pronës publike e private. Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar më reagim ka shprehur solidaritetin me sipërmarrësit, punonjësit dhe qytetarët e prekur.

“E drejta për të protestuar është e shenjtë në një shoqëri demokratike, por asnjë kauzë politike apo pakënaqësi qytetare nuk mund të shërbejë si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin. Protesta është shprehje e lirisë, ndërsa vandalizmi është cenim i rendit demokratik, i sigurisë dhe i të drejtave të qytetarëve”, thuhet në reagim.

Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar gjithashtu thekson se sulmet ndaj bizneseve nuk dëmtojnë vetëm pronën e sipërmarrësve. Sipas tyre ato rrezikojnë vendet e punës, mirëqenien e familjeve, marrëdhëniet ekonomike dhe besimin e investitorëve.

“Shkatërrimi i pronës publike është po ashtu shkatërrim i pasurisë së përbashkët, për të cilën paguajnë të gjithë qytetarët.

Si një organizim që angazhohet për bashkëpunimin dhe integrimin ekonomik të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, rajon dhe diasporë, Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar e konsideron sigurinë e sipërmarrjes dhe mbrojtjen e investimeve si çështje me rëndësi kombëtare.

Shqipëria ka nevojë për investime të reja, zhvillim ekonomik, vende pune dhe rikthim të kapitalit e përvojës së diasporës. Pamjet e dhunës dhe të shkatërrimit dëmtojnë imazhin e vendit, krijojnë pasiguri dhe cenojnë besimin e atyre që synojnë të investojnë e të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.

Asnjë përplasje politike nuk duhet të zhvillohet në kurriz të sipërmarrjes, të punonjësve dhe të ekonomisë kombëtare”, thuhet në njoftim.

Forumi u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse të garantojnë sigurinë e qytetarëve, mbrojtjen e pronës dhe vazhdimësinë e aktivitetit ekonomik. Në reagim theksohet se aktet e dhunës duhet të hetohen me paanshmëri dhe përgjegjësit të përballen me ligjin, duke respektuar plotësisht të drejtat e protestuesve paqësorë dhe parimin e proporcionalitetit në veprimet e autoriteteve.

“Njëkohësisht, u bëjmë thirrje forcave politike dhe organizatorëve të protestave të tregojnë përgjegjësi publike, të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe të distancohen qartë e pa ekuivok nga çdo formë dhune dhe vandalizmi.

Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar beson se zhvillimi, stabiliteti institucional, respektimi i pronës dhe sundimi i ligjit janë themelet mbi të cilat ndërtohet një ekonomi e qëndrueshme dhe një hapësirë ekonomike shqiptare më e bashkuar.

Shqipëria nuk ndërtohet duke e shkatërruar! Protesta është e drejtë demokratike. Dhuna dhe vandalizmi janë të papranueshëm. Siguria e qytetarëve, mbrojtja e pronës dhe liria e sipërmarrjes janë interesa që qëndrojnë mbi çdo përplasje politike”, thuhet në përfundim të reagimit.

🔗 Shpërndaje
10:25

Përplasje të forta mes protestuesve dhe policisë në Burrel, nisin shoqërimet e para (VIDEO)

Protesta studentore dhe e të rinjve ka vijuar edhe në Burrel, ku tubimi ka nisur me tensione.

Sipas pamjeve, të rinjtë u kanë vënë flakën disa degëve të pemëve në mes të rrugës, ndërsa më pas kanë nisur përplasjet me policinë, ku këta të fundit kanë nisur shoqërimet e para.

Ndërkohë, pas këtyre veprimeve, protestuesit kanë kundërshtuar me forcë shoqërimin e tyre, duke shkaktuar përplasje të tjera me efektivët e policisë.

🔗 Shpërndaje
10:15

Shoqata e Bankave: Mos dëmtoni bankat, janë infrastrukturë thelbësore për ekonominë

Shoqata Shqiptare e Bankave, AAB ka dalë me një reagim teksa ka theksuar se ka ndjekur me vëmendje situatën e krijuar gjatë protestave të ditëve të fundit. Në reagim bëhet me dije se disa degë bankare dhe ATM janë prekur nga veprime që kanë shkaktuar dëme materiale.

“Për shkak të zhvillimeve në terren dhe me prioritet sigurinë e klientëve dhe të punonjësve, një pjesë e mirë e bankave kanë operuar përkohësisht me numër të reduktuar degësh dhe/ose me orar të kufizuar. Në raste të caktuara nuk ka qenë e mundur që klientëve t’u ofrohej shërbimi me kapacitetin dhe standardin e zakonshëm. AAB dhe bankat anëtare kërkojnë mirëkuptimin e klientëve për çdo vështirësi apo vonesë të shkaktuar nga kjo situatë e jashtëzakonshme”, thuhet në njoftim.

AAB shton se bankat do të vijojnë aktivitetin sipas kushteve dhe orareve të përcaktuara nga secila prej tyre, në varësi të situatës dhe vlerësimeve të sigurisë.

“Ftojmë klientët që, përpara se të paraqiten në degë, të konsultojnë njoftimet zyrtare në faqet e internetit dhe kanalet e tjera të komunikimit të bankës së tyre.

Në të njëjtën kohë, klientët inkurajohen që, kur është e mundur, të përdorin kanalet bankare digjitale për kryerjen e pagesave, transfertave dhe transaksioneve të tjera të disponueshme në distance”, shtohet në njoftimin e AAB-së.

AAB thekson se dëmet e evidentuara janë materiale dhe veprimet ndaj ambienteve fizike apo pajisjeve nuk cenojnë, në vetvete, depozitat e klientëve dhe funksionimin e sektorit bankar. Bankat vijojnë të zbatojnë masat dhe procedurat për ruajtjen e sigurisë, vazhdimësinë e aktivitetit dhe mbrojtjen e interesave të klientëve.

“Sistemi bankar është një infrastrukturë thelbësore për qytetarët, bizneset dhe ekonominë shqiptare dhe një kontribues i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, nëpërmjet kreditimit të familjeve dhe sipërmarrjeve, lehtësimit të pagesave dhe transaksioneve, punësimit dhe kontributit në të ardhurat në buxhetin e shtetit. Prandaj të gjithë bashkë të ruajmë sistemin bankar dhe atë financiar si e mirë e përbashkët, të mos sulmohen degët e bankave dhe objektet e tjera financiare.

Bankat mbeten të angazhuara për vijimësinë e shërbimit normal sa më shpejt që kushtet e sigurisë ta lejojnë, duke vlerësuar me prioritet mbrojtjen e klientëve, punonjësve dhe infrastrukturës bankare”, thuhet në reagim.

🔗 Shpërndaje
10:13
Një tjetër protestë pritet të mbahet edhe këtë të premte në kryeqytet nga studentët dhe të rinjtë, duke hyrë kështu në ditën e katërt të saj.

Në kuadër të masave të sigurisë, mëngjesin e sotëm, sipas pamjeve, në Kryeministri po saldohen dritaret e katit të parë.

Kujtojmë se godina e Kryeministrisë ka qenë një nga objektivat e protestuesve, të cilët kanë shkaktuar dëme materiale. Protestat e ditëve të fundit janë shoqëruar me përplasje, dhunë dhe shoqërime në polici.

🔗 Shpërndaje
10:04
Ka nisur edhe në Shkodër protesta studentore. Studentët janë nisur nga sheshi “Nënë Tereza” dhe kanë marshuar drejt Fakultetit të Drejtësisë dhe atij Ekonomik, ku u kanë bërë thirrje studentëve të tjerë t’u bashkohen dhe të bojkotojnë mësimin.

Nga pamjet, pjesëmarrja në protestën e sotme duket më e ulët krahasuar me ditën e djeshme. Megjithatë, pritet që gjatë orëve në vijim protestës t’i bashkohen edhe studentë nga universitete të tjera.

Për protestën e sotme, Policia e Shkodrës ka marrë masa të shtuara për ruajtjen e rendit dhe menaxhimin e situatës.

🔗 Shpërndaje
09:59

Të rinjtë e Fushë-Arrëzit në protestë, kërkojnë të drejtat e tyre dhe kundër reformës Territoriale

Të rinjtë dhe nxënësit e Fushë-Arrëzit kanë bojkotuar mësimin për t’u ngritur në protestë. Ata kanë dalë në rrugë për të kërkuar mbrojtjen e të drejtave të tyre studentore dhe për të shprehur kundërshtimin e hapur ndaj Reformës Administrativo-Territoriale.

Protestuesit kërkojnë kushte më të mira arsimore, duke iu bashkuar kërkesave të protestuesve në kryeqytet që po protestojnë prej 4 ditësh.

🔗 Shpërndaje
09:51

Gjimnazistët në Elbasan bojkotojnë mësimin dhe dalin në protestë (VIDEO)

Ka nisur mëngjesin e sotëm protesta në Elbasan, ku të rinjtë, kryesisht gjimnazistë, kanë lënë shkollën dhe kanë bojkotuar mësimin, duke dalë në revoltë.

Sipas pamjeve, grupe të rinjsh po marshojnë në rrugët e qytetit, ndërsa ende nuk dihet se cili do të jetë destinacioni i tyre.

Protestat në qytetet e vendit vijojnë sot në ditën e dytë, ndërsa në Tiranë ato kanë hyrë në ditën e katërt, të cilat  janë shoqëruar me tensione, shoqërime në polici dhe dhunë.

🔗 Shpërndaje
09:41

Vijon bojkoti i mësimit në Universitetin e Vlorës, studentët përgatiten për t’iu bashkuar protestës

Vijon bojkoti në Universitetin e Vlorës edhe këtë të premte, ndërsa studentët pritet të organizohen për protestën e sotme.

Një pjesë e tyre janë mbledhur nëpër auditore, në pritje të orarit të caktuar për t’u organizuar dhe për të nisur protestën.

Ndërkohë, protesta pritet të zhvillohet jo vetëm në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, në kuadër të protestës studentore, e cila nisi në Tiranë tre ditë më parë.

🔗 Shpërndaje
09:39

Protestë sërish në Korçë në orën 10:00, policia blindon institucionet dhe gjimnazet

Në orën 10:00 është paralajmëruar një tjetër protestë në qytetin e Korçës, një ditë pas tensioneve dhe përplasjeve që shoqëruan tubimin e djeshëm.

Ndryshe nga dita e djeshme, këtë mëngjes forca të shumta policie janë vendosur pranë institucioneve publike dhe në gjimnazet e qytetit, në kuadër të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë.

Masat e shtuara vijnë pas ngjarjeve të djeshme, ku pati bllokim të rrugëve dhe dëmtime në disa institucione, ndërsa 25 persona u shoqëruan në polici dhe dy të rinj u arrestuan.

Mbetet për t’u parë nëse protesta e paralajmëruar për orën 10:00 do të zhvillohet dhe nëse do të ketë sërish tensione në qytet.

🔗 Shpërndaje
09:29

Protesta në Korçë, dy të arrestuar dhe 23 të proceduar penalisht

Dy persona janë vënë në pranga dhe 23 të tjerë janë proceduar penalisht lidhur me incidentet eregjistruara një ditë më parë në protestën e studentëve në qytëtin e Korçës.

Policia bën me dije se për shkak të tensioneve në protestë janë dëmtuar godinat e bashkisë Korçë, Drejtorisë Arsimore, universitetit “Fan. S. Noli” dhe gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, si dhe kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistika rrugore.

 “Korçë/Kundërshtuan punonjësit e Policisë, shkatërruan me sende të forta dhe me zjarr, godinat e institucioneve shtetërore dhe prona publike, gjatë tubimit të djeshëm, arrestohen në flagrancë 2 shtetas, procedohen penalisht 23 të tjerë.

Gjatë tubimit të zhvilluar dje, në qytetin e Korçës, dhjetëra pjesëmarrës, disa prej tyre të maskuar, kanë ushtruar akte dhune, duke hedhur gurë, pllaka guri dhe sende të forta metalike drejt institucioneve shtetërore dhe pronave publike.

Si pasojë e këtyre veprimeve të kundërligjshme, janë dëmtuar godinat e bashkisë Korçë, Drejtorisë Arsimore, universitetit “Fan. S. Noli” dhe gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, si dhe kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistika rrugore.

Gjatë gjithë tubimit, punonjësit e Policisë të planëzuar me shërbim janë përballur me akte dhune dhe kundërshtimi, përmes hedhjes së gurëve dhe sendeve të forta nga grupe pjesëmarrësish të maskuar.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. L., 21 vjeç, banues në Voskop dhe O. K., 19 vjeç, banues në Bilisht, si dhe u proceduan penalisht 23 shtetas (15 prej tyre të mitur).

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të datës 15.10.2026 dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në akte dhune ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe subjekteve private, gjatë kësaj date.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

🔗 Shpërndaje
09:22

Protesta në Lezhë, të rinjtë thyejnë xhamat e një gjimnazi! Shkulin edhe sinjalistikën rrugore (VIDEO)

Tensione janë regjistruar mëngjesin e kësaj të premte në qytetin e Lezhës teksa të rinjtë kanë dalë në protestë. Gjimnazistët kanë nisur të shkulin sinjalistikën rrugore dhe kangjellat e troturareve.

Ata gjithashtu kanë hedhur gurë dhe objekte të forta në drejtim të gjimnazit “Hydajet Lezha” duke thyer xhamat e shkollës. Marshimi i tyre po vijon në disa rrugë të qytetit teksa kanë bllokuar qarkullimit me koshat e mbeturinave.

Policia nga ana tjetër ndodhet në gatishmëri dhe ka krijuar një kordon pranë Sheshit “Gjergj Kastrioti” ku ndodhet edhe Bashkia e Lezhës.

🔗 Shpërndaje
08:40

Të rinjtë në Lezhë në protestë, thirrje gjimnazistëve të bojkotojnë mësimin. Hedhin kasolla dhe ndezin zjarr (VIDEO)

Këtë të premte dhjetëra të rinjë dhe gjimnazistë janë mbledhur për të protestuar në qytetin e Lezhës. Teksa në kryeqytet regjistrohet dita e katërt e protestës së studentëve, në qytetin e Lezhës të rinjtë janë mbledhur për herë të parë.

Siç shihet edhe nga pamjet, të rinjtë kanë shkuar në oborret e disa gjimnazeve “Hydajet Lezha” dhe “Kolin Gjoka” duke bërë thirrje për bojkotimin e mësimit dhe që të bashkohen me ta në protestë. Ata kanë ndezur zjarr dhe po hedhin kapsolla në qendër të qytetit.

Në gadishmëri është edhe policia e cila ka dalë në terren dhe po monitoron situatën në rast përshkallëzimi siç ka ndodhur një ditë më parë në disa qytete të vendit.

🔗 Shpërndaje
08:38

Rama jep mesazhin: Bëni durim motra e vëllezër edhe kjo do të kalojë! Nuk do përkulemi

Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje qytetarëve për durim dhe qëndresë përballë protestave të shoqëruara me akte dhune, duke kundërshtuar çdo ide për të bërë lëshime në këmbim të qetësisë. Në reagimin e tij këtë mëngjes, Rama deklaroi se përparimi i Shqipërisë dhe i Tiranës është rezultat i punës këmbëngulëse dhe jo i rastësisë. Sipas tij, përkulja përballë dhunës mund të sjellë pasoja afatgjata, ndërsa u shpreh se vendi do ta kalojë edhe këtë situatë më i fortë.

“Mos harroni se e kemi sjellë Shqipërinë deri këtu, e kemi sjellë Tiranën deri këtu, dhe këtë nuk e ka sjellë as koha, nuk e kanë sjellë as rrethanat apo rastësia. Këtë e ka sjellë një punë këmbëngulëse për të ecur përpara.

Dhe kush thotë ‘le të përkulemi përballë dhunës për pak qetësi’, gabon. Gabon, sepse të përkulesh përballë dhunës për pak qetësi, do të thotë ta humbësh qetësinë dhe ta humbësh rrugën për një kohë të gjatë. Ka qenë Shqipëria e përkulur përballë dhunës për pak qetësi dhe e dimë të gjithë se nuk ka arritur asgjë.

Motra dhe vëllezër, durim! Durim, se edhe kjo do të kalojë! Durim, se pasi kjo të kalojë do të dalim, siç kemi dalë nga sprovat e tjera, më të fortë dhe më të vetëdijshëm për sfidën e përbashkët që kemi përpara.”-tha Rama.

🔗 Shpërndaje
08:34

Rama: Si ka mundësi që sa jemi pranë BE-së, ndodh kjo?! Kjo nuk është aspak rastësi

Kryeministri Edi Rama ka lidhur protestat e ditëve të fundit me rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, duke pretenduar se shpërthimi i tyre në një moment kur vendi po përparon në procesin e integrimit nuk është rastësi. Në reagimin e tij, Rama i cilësoi ngjarjet si një “provë të karakterit” të shqiptarëve dhe një pengesë artificiale përpara ambicies europiane të vendit. Megjithatë, kreu i qeverisë pranoi se studentët, sipërmarrësit dhe qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë më shumë, ndërsa theksoi se problemet ekzistuese duhet të adresohen.

“Nuk e duan Shqipërinë të lirë, në zgjedhjen e saj të lirë për të qenë aty së bashku me popujt e tjerë, së bashku me shtetet e tjera të Bashkimit Europian.

A ju duket rastësi që sapo Shqipëria çel një tjetër dritë jeshile, sapo Shqipëria mbyll një tjetër kapitull, sapo Shqipëria afrohet më shumë drejt asaj ambicieje, drejt atij objektivi historik, këtu plas flaka?

Nuk është aspak rastësi. E gjithë kjo që po ndodh nuk është rastësi. E gjithë kjo që po ndodh është një provë, është një sprovë, është një test i karakterit tonë dhe është një tjetër hap që ne do ta hedhim së bashku përballë një pengese të madhe që na është vënë përpara, krejt artificiale.

Ndërkohë që po, studentët, sipërmarrësit, të gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, prindërit e tyre kanë të drejtë të kërkojnë më shumë. Ndërkohë që po, problemet janë aty, duhen adresuar. Ndërkohë që po, jemi këtu për të bërë më të mirën me aq sa dimë, me aq sa mundemi, duke u përpjekur çdo ditë të mësojmë më shumë dhe të bëjmë më mirë.”-tha Rama.

🔗 Shpërndaje
08:12

Rama nga një biznes i djegur: Kjo flamë nuk është dora e studentëve, është dora e atij që ka kapur për fyti opozitën

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë mëngjes pas ditës së tretë të protestave të studentëve dhe gjimnazistëve, duke e lidhur situatën e krijuar në Tiranë me akte dhune dhe shkatërrimin e pronës publike e private. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Rama solli në vëmendje dëmet e shkaktuara nga tërmeti, duke e krahasuar rindërtimin e shtëpive të familjeve të prekura me dëmtimin e pronës gjatë protestave. Kreu i qeverisë deklaroi se, sipas tij, protestat nuk kanë lidhje me shqetësimet dhe aspiratat e studentëve, por janë nxitur nga forca politike që synojnë të pengojnë përparimin e vendit. Ai kritikoi gjithashtu përfshirjen e të miturve në protesta dhe dëmtimin e trotuareve.

“Kjo është gremadha e jetës, e punës, e ëndrrave e një familjeje të zakonshme, prindërit e zakonshëm që hapin derën çdo mëngjes për të shtruar tryezën me ndershmëri. Dua t’u them të gjithëve atyre që sot janë me lot në sy përballë gremadhave të ngjashme se, sapo kjo flamë të kalojë, ne do të jemi aty bashkë. Dhe dua t’ju them se përballuam një tërmet të llahtarshëm me pasoja dhe ia dolëm së bashku. Ata që humbën shtëpinë për 30 sekonda janë në shtëpi më të forta.

Si mund të jenë studentët, si mund të jetë investimi i prindërve te fëmijët e tyre kjo gremadhë? Kjo s’ka lidhje me studentët, flama nuk është studentore. Kjo s’ka të bëjë fare me hallet dhe me problemet apo me aspiratën për një vend më të mirë. Është po ajo dorë, ajo dorë që ka kapur për fyti opozitën shqiptare, që ka djegur njëherë Shqipërinë dhe është gati ta djegë e ta shkatërrojë përsëri, për të mos e lënë të përparojë, në një luftë të verbër. Flakët e ndasisë janë e vetmja dritë arsyeje.

Këta nuk janë studentët. As ata që në mbrëmje predikojnë lëvizjen studentore nuk kanë të bëjnë me ju dhe zgjidhjet që ju keni nevojë. Si mund të nxiten të miturit në rrugë dhe të shkulin trotuare?”-tha Rama

🔗 Shpërndaje
07:42

Dita e katër e protestës! 47 të arrestuar për shkatërrim prone, Rama i prerë kundra dorëheqjes! Edhe në qytete të tjera tensione

Studentët dhe gjimnazistët hyjnë sot në ditën e katërt të protestave, pas një dite të shoqëruar me përplasje me Policinë, dëmtime të institucioneve dhe pronës publike e private, si dhe përhapje të tubimeve në disa qytete të vendit. Kryeministri Edi Rama ka refuzuar të japë dorëheqjen, ndërsa protestuesit kishin vendosur si afat orën 13:00 të së enjtes dhe paralajmëruan se, në rast refuzimi, do të marshonin drejt Presidencës për të kërkuar shpërndarjen e Parlamentit.

Sipas të dhënave të përditësuara për Tiranën, 47 persona janë arrestuar për shkatërrim prone, ndërsa 92 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë. Ndërkohë, gjatë protestës së 14 tetorit, Policia raportoi edhe për dëmtime të institucioneve shtetërore, bankave, bizneseve, bankomateve, kamerave, semaforëve dhe automjeteve, si dhe djegien e një automjeti policie.

Në kryeqytet, protestuesit marshuan nga Ministria e Arsimit drejt selisë së Partisë Socialiste, Bankës së Shqipërisë, Bashkisë së Tiranës dhe më pas Kryeministrisë. Përplasjet u shoqëruan me hedhje gurësh, sendesh të forta dhe molotovësh, ndërsa Policia përdori ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Tensione u regjistruan edhe në Rrugën e Elbasanit, ku një kioskë u përfshi nga flakët.

Protestat u shtrinë edhe në Durrës, Shkodër, Korçë, Elbasan dhe Kamzë. Në Shkodër, protestuesit sulmuan godinat e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ndërsa komandanti i forcave të rendit, Fasli Rama, mbeti i plagosur rëndë pasi u godit me gur në kokë dhe u transportua drejt Tiranës për trajtim të specializuar. Në Durrës, të rinjtë dogjën kosha mbeturinash dhe pemë pranë Bashkisë, ndërsa u raportua për thyerjen e derës së Prefekturës. Në Elbasan pati tensione dhe shoqërime protestuesish.

Bojkotit të mësimit iu bashkuan studentë dhe gjimnazistë në disa qytete. Në Korçë, mbi 80% e studentëve të Fakultetit të Bujqësisë nuk u paraqitën në auditorë, ndërsa në Shkodër studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dolën në protestë. Në Tiranë, gjimnazistë të shkollave “Ismail Qemali” dhe “Petro Nini Luarasi” u përfshinë në zhvillime të tensionuara, ndërsa nxënës nga Kamza iu bashkuan marshimit.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u bëri thirrje protestuesve të distancohen nga dhuna, duke paralajmëruar zbatimin e ligjit nëse situata vijon të përshkallëzohet. Policia u kërkoi prindërve të mbajnë fëmijët larg përplasjeve, pasi të mitur janë konstatuar në vijën e parë të protestave. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, gjithashtu u bëri thirrje prindërve të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve në akte dhune, ndërsa kërkoi që protestat të orientohen drejt dialogut.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, njoftoi shtyrjen me një javë të seancës plenare, duke argumentuar se synon të shmangë provokime të mëtejshme. Ai dënoi aktet e dhunës dhe paralajmëroi se përshkallëzimi mund të dëmtojë procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Për qetësi dhe dialog gjithëpërfshirës apeloi edhe Presidenti Bajram Begaj, ndërsa Prezenca e OSBE-së në Shqipëri shprehu gatishmërinë për të ndihmuar në lehtësimin e dialogut mes palëve.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste deklaroi se të gjithë personat përgjegjës për aktet e dhunës do të përballen me ligjin. Në Shkodër, Bashkia ka nisur vendosjen e barrierave metalike në godinë, në prag të protestave të paralajmëruara.

Në përgjigjet e tij për agjencinë Reuters, Rama deklaroi se qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike dhe se nuk do të lejojë që dhuna të rrezikojë synimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ai u shpreh i gatshëm të diskutojë për rritjen e kostove të arsimit, por tha se sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimi i pronës nuk lidhen me kërkesat legjitime të studentëve.

Sot, në ditën e katërt të protestave, vëmendja mbetet te vijimësia e tubimeve dhe reagimi i institucioneve, pas përshkallëzimit të tensioneve dhe refuzimit të kryeministrit për t’u larguar nga detyra.

🔗 Shpërndaje
07:36

Protesta me tensione! A mund të sjellë ndryshim?

Në orën 08:03 të mëngjesit të së enjtes (15.10.2026), pas dy ditësh protestash studentore të shoqëruara me tensione dhe dhunë në rrugët e Tiranës, kryeministri Edi Rama theu heshtjen. Nga godina e djegur e Kolegjit të Europës, vetëm pak metra larg zyrës së tij, Rama publikoi një videomesazh, duke fajësuar opozitën për dhunën dhe shkatërrimet në kryeqytet. “Këto janë duart e një opozite që me maska të verbërish përpara kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku nuk do të rikthehet kurrë” – deklaroi ai. Por përgjigjja ndaj kërkesës kryesore të protestuesve erdhi më vonë gjatë ditës. Në një deklaratë për agjencinë Reuters, Rama e bëri të qartë se dorëheqje nuk do të ketë.

Kryeministri e përjashtoi dorëheqjen, por studentët e vijojntë protestën dhe në Tiranë mbërriten edhe të rinj nga qytete të tjera të vendit. Protesta ka pasur gjithashtu edhe në qytete të tejra. Protesta u shoqërua me përplasje të dhunshme me policinë, përdorim të gazit lotsjellës dhe zjarre, ndërsa pati të plagosur dhe dëme në ndërtesa e biznese.

Revoltë kundër klasës politike

Ka pasur akte dhune, zjarre dhe dëme në ndërtesa e biznese nga masa e protestuesve.Fotografi: Florion Goga/REUTERS

Në themel të revoltës qëndron pakënaqësia e të rinjve me qeverisjen, vështirësitë ekonomike dhe mungesën e perspektivës për të ardhmen. “Ne nuk kemi ku studiojmë, ne nuk kemi të ardhura, jetojmë me qira, nuk mbulojmë dot shpenzimet tona. Qeveritarët na kanë pirë gjakun me vite dhe nuk ndiejnë përgjegjësi për të gjithë këta njerëz që janë në shesh” – shprehet një studente për DW.

Për Rigels Xhemollarin, nga Qëndresa Qytetare, revolta studentore është e lidhur me pakënaqësitë e shprehura gjatë muajve të lëvizjes”Flamingo Revolution”. “Mungesa e reflektimit të kryeministrit gjatë katër muajve protestë në bulevard dhe tallja e tij me protestuesit. Pastaj arsyet e tjera lidhen me situatën ekonomike, aferat korruptive dhe skandalet e njëpasnjëshme” – shprehet ai për DW.

A ka një rrugëdalje politike?

Analisti politik Mark Marku, njëherësh dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, e sheh protestën e studentëve si reagimin e një brezi që zgjoi shoqërinë dhe riktheu debatin për ndryshimin. Por ai paralajmëron se dorëheqja e qeverisë dhe zgjedhjet e reja nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht ndryshim politik. “Një veprim politik nuk matet nga qëllimet, por nga rezultati” – shprehet Marku.

Për këtë arsye, ai thekson nevojën që protesta të ketë një platformë dhe një alternativë politike që qytetarët të mund ta votojnë, nëse vendi do të shkonte në zgjedhje. “Protesta nuk votohet” –  thotë analisti.

Ndërsa Xhemollari, e sheh dorëheqjen e kryeministrit si të vetmen mënyrë për t’i dhënë fund revoltës. “Protesta ka vetëm një kërkesë politike, e cila kërkon një zgjidhje politike, dorëheqjen e kryeministrit” – shprehet ai për DW. Sipas aktivistit, pas largimit të Ramës, Presidenti i Republikës duhet të mbledhë partitë politike për krijimin e një qeverie kujdestare me kryeministër apartiak, për t’i hapur rrugë zgjedhjevelokale dhe parlamentare në maj të vitit 2027.

Në vitin 2018, Shqipëria u përfshi nga protesta masive studentore, të përqendruara kryesisht te problemet e arsimit të lartë. Tetë vjet më vonë, studentët janë rikthyer në rrugë, këtë herë duke kërkuar ndryshim politik./DW

🔗 Shpërndaje
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Protesta në Tiranë, ambasada e SHBA-së për Euronews: Qytetarët ta shprehin qëndrimin e tyre në mënyrë të ligjshme

Burime të Euronews Albania nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të pyetura lidhur me situatën e krijuar gjatë protestës në Tiranë, theksojnë rëndësinë...
20:35 | 16/10/2026

Aksion i dytë i policisë në bulevard, protestuesit shpërndahen në drejtime të ndryshme

Kur ora shënon 18:45, policia ka ndërmarrë një tjetër avancim ndaj protestuesve, duke i spostuar nga sheshi përballë ish-hotel “Dajtit”. Efektivët po i shpërndajnë me...
18:50 | 16/10/2026

Tensione para Kryeministrisë, protestuesit hedhin kapsolla e fishekzjarrë, policia përgjigjet me ujë dhe gaz lotsjellës

Vijojnë tensionet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, teksa protestuesit janë vendosur pasditen e kësaj të premteje në sheshin para Kryeministrisë. Disa prej tyre kanë hedhur...
16:36 | 16/10/2026