Të miturit në Korçë vijojnë të ‘rrëmbehen’ nga Polcia në mënyrë të dhunshme dhe brutale, duke u tërhequr zvarrë.
Një adoleshent është shoqëruar në komisariat në mënyrë të dhunshme. Policë dhe civilë kanë marrë për krahu të riun, teksa përpiqen ta dërgojnë drejt furgonit policor.
Forca e ushtruar ndaj tij ishte aq e madhe, sa ia grisin edhe bluzën. Gjatë shoqërimit pranë furgonit të policisë, një nga efektivët i thotë “Ule kokën”.
Faji i tyre i vetëm, është protesta ndaj mënyrës se si qeveria Rama po udhëheq vendin, teksa revolta ka mbërthyer të gjitha qytetet e vendit me gjimnazistë dhe studentë që kërkojnë të drejtat e tyre.
Edhe më herët gjatë paradites së kësaj të premteje, pa asnjë mjet identifikimi, policë të maskuar si civilë kanë nisur reprezaljet kundër të miturve në Korçë, duke bërë arrestime jashtë procedurave ligjore.
Siç shihet dhe nga pamjet e siguruara nga Syri, të miturit përpiqen të bëjnë rezistencë, teksa janë mbërthyer nga 3 civilë, duke i tërhequr zvarrë për t’i dërguar në komisariat.
Pavarësisht thirrjeve të bashkëmoshatarëve të tjerë për t’i liruar dhe mbi arsyet e arrestimit në mënyrë brutale, efektivët e policisë kanë vijuar jashtë çdo protokolli të marrin të miturit për t’i futur në qeli.
Por pavarësisht dhunës policiore, të rinjtë në qytetin juglindor nuk janë zmbrapsur, duke u bërë ballë atyre dhe vijuar me protestën që tanimë ka shpërthyer nëpër të gjitha qytetet e vendit.
© SYRI.net