Gjykata e Tiranës njoftim zyrtar: 18 të arrestuar,1 në burg dhe 5 në arrest shtëpie nga protestat në Tiranë

16 Tetor 2026 | 13:04

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka shqyrtuar këtë të premte, më 16 tetor, kërkesat e Prokurorisë për vleftësimin e arrestimeve në flagrancë dhe caktimin e masave të sigurisë për 18 persona të ndaluar në kuadër të protestave në kryeqytet.

Pas shqyrtimit të çështjeve, gjykata ka caktuar masën “arrest në burg” për A. Th., i dyshuar për disa vepra penale, mes tyre goditje për shkak të detyrës, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme, shkatërrim prone, shkatërrim prone me zjarr dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta. Në njoftimin e gjykatës përmendet edhe dyshimi për vjedhjen e bankave dhe arkave të kursimit.

Ndërkohë, pesë persona janë lënë në “arrest në shtëpi”, ndërsa për të tjerët është caktuar masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Sipas vendimit, personat nën hetim akuzohen, në varësi të rasteve, për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme, kundërshtim të punonjësve të policisë së rendit publik, prishje të qetësisë publike, shkatërrim prone dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit.

Gjykata ka vleftësuar si të ligjshme arrestimet në flagrancë dhe ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të personave ndaj të cilëve nuk është caktuar masa e arrestit në burg, me kushtin që të mos mbahen të ndaluar, të arrestuar ose të dënuar për vepra të tjera penale.

Vendimet mund të ankimohen në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda pesë ditëve nga dita pas njoftimit të vendimit.

Personat e përmendur janë nën hetim dhe dyshimet e ngritura ndaj tyre nuk përbëjnë fajësi të provuar.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Të rinjtë në Pogradec rikthehen në bulevard pas shoqërimeve dhe përplasjeve me policinë

Pavarësisht se ka pasur disa të shoqëruar dhe 3 herë ndërhyrje nga policia, të rinjtë janë rikthyer në bulevard. Edhe pse të pakët në numër...
13:01 | 16/10/2026

Përplasje mes policisë dhe protestuesve në Lezhë, disa të lënduar! Një i ri humb ndjenjat (VIDEO)

Në qytetin e Lezhës, situata po vijon ende e tensionuar teksa të rinjtë janë përplasur herë pas here me policinë. Bëhet me dije se një...
12:53 | 16/10/2026

Balla ndan videon: O Sali, mjaft i mbushe çantat e deputetëve me bombula zjarri

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka publikuar në rrjetin social Facebook një video ku shfaqet policia duke ndaluar disa të rinj, në...
12:49 | 16/10/2026