Zv/kryeministrja Albana Koçiu ka artikuluar akuza të reja ndaj Partisë Demokratike të Sali Berishës duke shprehur shqetësim për faktin se studentët po ‘armatosen si mercenarë’ e po përdoren prej saj si ‘mish për top’ në protestat e dhunshme që kanë tronditur kryeqytetin në mbi 3 dekada.

Përmes një videoje ku shfaqet aktivistja e PD-së Ilirjan Koçana dhe një grup protestuesish të rinj, në çantat e të cilëve ka çekiçë, sende të forta e lëndë plasëse,  Koçiu akuzon drejtpërdrejt Sali Berishën dhe opozitën se po shfrytëzojnë të miturit për qëllimet e tyre politike, duke e cilësuar këtë si strategjinë e një opozite të falimentuar moralisht dhe politikisht.

“Sado të përpiqet Saliu dhe çeta e tij huligane, që nuk heziton të shfrytëzojë as të miturit për hallin e tyre, Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë pas në flakë, kaos e në tym”, premton ajo.

“Detyra jonë është t’i japim të rinjve aspiratën e Shqipërisë Europiane, hapësirat e zhvillimit dhe mundësitë e së ardhmes, jo shishen me benzinë e molotovin e së shkuarës”, shton Koçiu.

Deklarata e plotë

"Mos e prek studentin me dorë, por armatos të mitur si mercenarë dhe nisi si mish për top. Kjo është e vetmja strategji e një opozite të falimentuar moralisht dhe politikisht. Sado të përpiqet Saliu dhe çeta e tij huligane, që nuk heziton të shfrytëzojë as të miturit për hallin e tyre, Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë pas në flakë, kaos e në tym. Detyra jonë është t’i japim të rinjve aspiratën e Shqipërisë Europiane hapësirat e zhvillimit dhe mundësitë e së ardhmes, jo shishen me benzinë e molotovin e së shkuarës" shkroi Koçiu 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:53
Thirrje për vrasje policësh në grupin e WhatsApp-it të protestuesve? Balla publikon mesazhet: Merrni thika me vete!

 

Thirrje për të vrarë policë dhe për të marrë thika me vete gjatë protestave në Tiranë. Këto janë disa nga mesazhet që shfaqen në një bisedë në WhatsApp, të një grupi që dyshohet se janë nga protestuesit, që  kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e publikoi sot në Facebook duke shprehur shqetësim për dhunën dhe kërkuar mbështetje qytetare për forcat e rendit. 

Balla e ka shoqëruar publikimin e këtyre mesazheve me një koment për ndërhyrjet e policisë gjatë protestave, duke kundërshtuar mënyrën se si po gjykohen veprimet e efektivëve.

" Çdo ndërhyrje e Policisë po shikohet me lupë dhe po i bëhet gjyqi menjëherë! Po si duhet të sillet Policia me elementet kriminalë të maskuar si studenta? Tek grupi i ëhatsup që tregoi ajo studentja mbrëmë kanë marrë porosi të marrin thika dhe të qëllojnë mbi punonjësit e Policisë së Shtetit. Policia meriton mbështetje" tha Balla. 

 Thirrje të ngjashme për dhunë, akte terroriste dhe kërcënime ndaj jetës së efektivëve janë identifikuar edhe në disa kanale dhe grupe të tjera komunikimi, nëpërmjet të cilave janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje të drejtpërdrejtë kriminale,

Kjo ka vënë në lëvizje  strukturat e Antiterrorit dhe Krimit Kibernetik që po hetojnë llogari anonime brenda dhe jashtë Shqipërisë për veprimtari destabilizuese.

Ora 15:59
'Kjo nuk është protesta e studentëve', Koçiu nga Qyteti Studenti: Konviktet u kthyen në shënjestër të dhunës! Çdo akt do të hetohet deri në fund

 

Nga Qyteti Studenti, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka dënuar aktet e dhunës gjatë katër ditëve të fundit në Tiranë, sidomos pamjet e një dite më parë duke dënuar aktet vandale tek konviktet, një vend ku të rinjtë duhet të ndihen të sigurt,

Koçiu tha se studentët kanë të drejtë të dëgjohen dhe të marrin përgjigje për kërkesat e tyre, por këmbënguli se aktet e dhunës nuk përfaqësojnë studentët dhe kërkesat e tyre. Ajo paralajmëroi se aktet e dhunës do të hetohen dhe u bëri thirrje studentëve që jetojnë në konvikte të qëndrojnë të qetë duke falenderuar efektivët e Policisë së Shtetit. 

"Qyteti “Studenti” vendi ku të rinjtë duhet të ndihen të sigurtë, dje u kthye në shënjestër të dhunës. Një hapësirë e dijes, e ëndrrave dhe e së ardhmes u shndërrua në skenë frike dhe vandalizmi.
Jam sot këtu për të thënë qartë se ajo që po ndodh prej katër ditësh në Tiranë është e papranueshme! Institucione të djegura, biznese të shkatërruara, qytetarë të terrorizuar dhe punonjës policie të sulmuar. Kjo nuk është protesta e studentëve! Studentët nuk shkatërrojnë konviktet, nuk frikësojnë bashkëmoshatarët, nuk dhunojnë shkollat dhe vendin e tyre. Padiskutim, e kemi thënë në krye të heres se ata meritojnë të dëgjohen dhe kërkesat e tyre të marrin përgjigje. Shteti do të mbrojë qytetarët dhe çdo akt dhune do të hetohet deri në fund. Shqipëria nuk mund të mbahet peng nga dhuna, maskat dhe frika! Kemi kapërcyer sprova shumë më të mëdha dhe do ta kapërcejmë edhe këtë. Shqipëria e ka zgjedhur të ardhmen e saj, zhvillimin dhe familjen europiane. Nga këtu dua të inkurajoj studentët që jetojnë në këto godina të jenë të qeta dhe dua po nga këtu të përcjell një falenderim për të gjithë efektivët e policisë së shtetit dhe dua të kërkoj nga të gjithë, lutem bashkëpunoni, policia e shtetit është aty për të garantuar sigurinë dhe rendin publik" tha Koçiu

 

Ora 14:37
Me tullë në dorë, gati për të qëlluar drejt policisë! Balla publikon pamjet e fëmijës në protestë: Mos i përdorni në akte dhune (VIDEO)

 

Një fëmijë rreth 12 vjeç, me kapuç maskë, me një tullë në dorë, gati për ta hedhur në drejtim të policisë. Këto janë pamjet që ka publikuar në rrjetet sociale kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke ngritur shqetësimin për përfshirjen e të miturve në aktet e dhunës gjatë protestave që tronditën Tiranën ditët e fundit. .

Ai kërkon që fëmijët të mbrohen dhe të mos përdoren në përplasjet gjatë protestave.

“Fëmijët duhet të mbrohen, jo të instrumentalizohen. Çdo formë nxitjeje apo përfshirjeje të të miturve në akte dhune është e papranueshme”, thekson Balla.

 

Ora 11:55
'O Sali, nuk e djeg dot më Shqipërinë', Balla publikon videon e demokrates Kuçana: Shikojeni çantën plot me bombula zjarri! (VIDEO)

Taulant Balla ka akuzuar sërish Sali Berishën se po përdor deputetë e kandidatë për të nxitur dhunë në protestat që po mbajnë kryeqytetin mbërthyer që prej së martës. 

Përmes një videoje të postuar në rrjete sociale një video ku shfaqet policia duke ndaluar demokraten Ilirjana Kuçana, e cila ndodhej mes një grupi protestuesish të rinj, në çantat e të cilëve shihen sende të forta dhe lëndë plasëse

"O Saaaaaali! Mjaft i mbushe çantat e deputeteve/kandidateve me bombula zjarri se nuk e djeg dot më ti Shqipërinë!  ‘Shikojeni kandidaten e Saliut dhe çantën plot me bombula zjarri" shkruan Balla në rrjete sociale.

Përmes këtyre pamjeve, Balla ia faturon drejtpërdrejt Berishës përgjegjësinë për dhunën në protesta, duke pretenduar se bombulat e zjarrit janë mbajtur në çantat e personave të lidhur me Partinë Demokratike.

Vetë Berisha nuk e ka fshehur, përkundrazi , ka marrë përsipër autorësinë e këtyre protestave dhe u ka bërë thirrje mbështetësve që të vazhdojnë protestën, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama