Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, “Nënë Tereza”, ka njoftuar anulimin e disa fluturimeve nga dhe drejt Italisë, për shkak të problemeve teknike në sistemet e kontrollit të trafikut ajror në vendin fqinj.
Sipas njoftimit të aeroportit, anulimet lidhen me kufizimet e vendosura në hapësirën ajrore italiane, të cilat kanë ndikuar në operimin e disa fluturimeve gjatë ditës së sotme.
Destinacionet e prekura nga anulimet janë Milano (Malpensa), Torino, Verona, Pisa, Rimini dhe Gjenova.
Në njoftimin e tij, Aeroporti i Rinasit bën me dije se është në koordinim me kompanitë ajrore dhe autoritetet përkatëse për të ndjekur zhvillimin e situatës dhe për të minimizuar ndikimin te pasagjerët.
Ndërkohë, të gjithë qytetarët që kanë planifikuar të udhëtojnë drejt ose nga Italia këshillohen të kontrollojnë rregullisht njoftimet e kompanive ajrore për të marrë informacionin më të fundit mbi statusin e fluturimeve të tyre.













