Aktualitet

OKB-ja bën thirrje për ndalimin e dhunës dhe dialog mes palëve në Shqipëri!

Kombet e Bashkuara në Shqipëri shprehin shqetësimin për aktet e dhunës dhe përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave studentore dhe qytetare në Tiranë, duke u bërë thirrje autoriteteve dhe protestuesve të shmangin dhunën dhe të angazhohen në dialog.

Në një deklaratë publike, OKB-ja thekson rëndësinë e respektimit të lirive themelore, përfshirë të drejtën për tubim paqësor, lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit, si dhe garantimin e sigurisë e dinjitetit të të gjithë qytetarëve.

Organizata u ndal veçanërisht te mënyra e ndërhyrjes së forcave të rendit gjatë protestave, duke kërkuar respektimin e parimeve të proporcionalitetit dhe vetëpërmbajtjes.

Theksojmë rëndësinë e vetëpërmbajtjes dhe proporcionalitetit në veprimet e forcave të rendit, respektimit të garancive për një proces të rregullt ligjor dhe mbrojtjes së pronës publike dhe private.

OKB iu bën gjithashtu thirrje të gjitha palëve të përfshira të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe të kërkojnë zgjidhje përmes dialogut.

U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira të përmbahen nga dhuna, të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv.

Reagimi i OKB-së i shtohet thirrjeve të mëparshme të Bashkimit Europian dhe përfaqësive diplomatike në Tiranë për respektimin e të drejtës së protestës, hetimin e pretendimeve për përdorim të tepruar të forcës nga policia dhe shmangien e dhunës nga demonstruesit.