Bizneset kërkojnë mbrojtje, ministri Demo: Pyesni ata që dalin me maska, Policia do të zbatojë ligjin
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo ka garantuar se Policia e Shtetit do ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të garantuar rendin publik dhe për të mbrojtur bizneset private nga sulmet dhe aktet e dhunës gjatë protestave. I pyetur lidhur me shqetësimin e bizneseve të vogla dhe të mëdha, të cilat po u drejtohen edhe kompanive private të sigurisë për të mbrojtur aktivitetet e tyre, Demo u shpreh se shteti do të veprojë në përputhje me ligjin. Demo theksoi se qytetarët duhet të reflektojnë për ngjarjet e tri ditëve të fundit, duke bërë dallimin mes të drejtës për të protestuar dhe akteve të dhunës ndaj institucioneve dhe subjekteve private.
Ka një reagim nga bizneset private, sepse tashmë gjithkush ndihet i rrezikuar. Bizneset e vogla, bizneset e mëdha janë duke pajtuar kompani private për të ruajtur bizneset e tyre. Si i mbron shteti këto biznese? Dhe nëse do të reagojë kompania e policisë private ndaj protestuesve që vërshojnë drejt tyre, a duhet të reagojë? A shkojmë kështu drejt një lufte civile?
Ministri Demo: Ju garantoj që Policia e Shtetit do të ndërmarrë të gjithë hapat, siç ka edhe detyrimin ligjor, për të ruajtur rendin publik, por kërkojmë bashkëpunimin e shoqërisë shqiptare. Mua më vjen shumë mirë që ju bëni këtë pyetje, por unë shpresoj që ju këtë pyetje t’ua bëni edhe atyre që qarkullojnë me maska në Tiranë dhe djegin biznese. Besoj, pyetja e parë duhet bërë atje.
Ja bëjmë ministrit të Brendshëm, se shpresojmë që shteti do të na mbrojë.
Ministri Demo: Ju garantoj që shteti do të bëjë gjithçka konform ligjit për të garantuar rendin publik. Por ajo çfarë unë kërkoj sot është që në ndërgjegjen e çdo qytetari, ne të reflektojmë për atë që ka ndodhur gjatë 3 ditëve të fundit dhe kjo nuk ka të bëjë me të drejtën për të protestuar. Unë i garantoj të gjithë studentët, nëse duan të protestojnë, do ta kenë Policinë e Shtetit aty për të garantuar që protesta e tyre të organizohet dhe të vazhdojë siç e mendojnë ata. Por që të ketë grupe të organizuara për të dhunuar Policinë e Shtetit, për të dhunuar institucionet publike, për të dhunuar subjektet private, unë besoj që këtu ka ardhur momenti që gjithë shoqëria shqiptare duhet të ndërgjegjësohet dhe ne duhet të mbajmë një qëndrim kundër këtyre akteve të dhunës.

