Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit është ndëshkuar nga FIFA për thirrjet diskriminuese të dëgjuara gjatë miqësores së La Rojas me Egjiptin në mars. Takimi ishte pjesë e përgatitjeve të Spanjës për Kupën e Botës 2026.
Të lidhura
None found
Sipas BBC-së, Spanja duhet ta zhvillojë miqësoren e ardhshme ndërkombëtare me një pjesë të stadiumit të mbyllur. Kufizimi përfshin 15% të kapacitetit, kryesisht vende pas portave, ndërsa federata duhet të paguajë edhe një gjobë prej 20,000 dollarësh.
Me lejen e FIFA-s, vendet e prekura nga mbyllja mund të përdoren për të mirëpritur grupe komunitare ose kategori të veçanta, përfshirë familje, studentë dhe organizata kundër diskriminimit.
Në ndeshjen që përfundoi 0-0, rreth minutës së dhjetë të pjesës së parë, një grup tifozësh spanjollë nisi brohoritje kundër myslimanëve, përfshirë thirrjen “kush nuk kërcen është mysliman”. Brohoritjet u përsëritën edhe në fillim të pjesës së dytë.
Në ekranet e stadiumit RCDE u shfaq një paralajmërim kundër sjelljes diskriminuese, që u bënte thirrje tifozëve ta kundërshtonin atë. Gjyqtarët e përsëritën mesazhin kur nisi pjesa e dytë, ndërsa disa të pranishëm reaguan me tallje.
Pas ndeshjes, FIFA hapi procedurë disiplinore ndaj federatës spanjolle për thirrjet që i cilësoi “anti-islamike dhe ksenofobe”. Federata i dënoi ato, ndërsa trajneri Luis de la Fuente i përshkroi si “diçka të patolerueshme” dhe tha se “njerëzit e dhunshëm përdorin futbollin për të krijuar një hapësirë për veten e tyre”. Pas Yamalit, edhe Pedri i dënoi thirrjet islamofobike.
Megjithatë, në mbrojtjen e paraqitur gjatë procesit disiplinor, federata spanjolle argumentoi se brohoritjet nuk përbënin sjellje diskriminuese. Komiteti disiplinor i FIFA-s nuk e pranoi këtë qëndrim. Në arsyetimin e vendimit, anëtarët e tij vunë në dukje se federata nuk mund t’i paraqiste thirrjet si krejtësisht të padëmshme dhe, njëkohësisht, të përligjte aktivizimin e procedurave kundër diskriminimit në stadium.
Qershori shihet si koha më e mundshme për miqësoren e ardhshme ndërkombëtare të Spanjës. Nëse skuadra kualifikohet në finalet e Ligës së Kombeve të UEFA-s, zbatimi i sanksionit do të shtyhet për një nga dritaret e lira gjatë kualifikueseve të Kampionatit Evropian 2028, vjeshtën e ardhshme.
Edhe federata egjiptiane i dënoi brohoritjet, duke i quajtur “një akt racist të neveritshëm dhe të papranueshëm”. Ajo theksoi se sjellja e një grupi të kufizuar tifozësh nuk do të cenojë marrëdhëniet e ngushta mes federatave të Egjiptit dhe Spanjës.






