Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, i vënë përballë pyetjes se si do të mbrohen bizneset private nga sulmet dhe shkatërrimet gjatë protestave, e drejtoi përgjegjësinë te protestuesit e maskuar, duke thënë se pyetja duhet t’u bëhet atyre.
Gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë në emisionin “Shqipëria Live”, gazetarja e Top Channel, Alma Demiraj, e pyeti ministrin se çfarë mbrojtjeje u garanton shteti bizneseve, të cilat pas sulmeve po kontraktojnë kompani private sigurie .
Demo u përgjigj se pyetja duhet t’u bëhet fillimisht “atyre që qarkullojnë me maska në Tiranë dhe djegin biznese”.
Pjesë nga intervista:
Alma Demiraj: Ka një reagim nga bizneset private, sepse tashmë gjithkush ndihet i rrezikuar. Bizneset e vogla, bizneset e mëdha janë duke pajtuar kompani private për të ruajtur bizneset e tyre. Si i mbron shteti këto biznese? Dhe nëse do të reagojë kompania e policisë private ndaj protestuesve që vërshojnë drejt tyre, a duhet të reagojë? A shkojmë kështu drejt një lufte civile?
Ministri Ervin Demo: Ju garantoj që Policia e Shtetit do të ndërmarrë të gjithë hapat, siç ka edhe detyrimin ligjor, për të ruajtur rendin publik, por ne kërkojmë edhe bashkëpunimin e shoqërisë shqiptare. Mua më vjen shumë mirë që ju bëni këtë pyetje, por unë shpresoj që ju këtë pyetje t’ua bëni edhe atyre që qarkullojnë me maska në Tiranë dhe djegin biznese. Besoj, pyetja e parë duhet bërë atje.
Gazetarja Alma Demiraj: Ja bëjmë ministrit të Brendshëm, se shpresojmë që shteti do të na mbrojë.
Ministri Ervin Demo: Ju garantoj që shteti do të bëjë gjithçka konform ligjit për të garantuar rendin publik. Por ajo çfarë unë kërkoj sot është që, në ndërgjegjen e çdo qytetari, ne të reflektojmë për atë që ka ndodhur gjatë 3 ditëve të fundit dhe kjo nuk ka të bëjë me të drejtën për të protestuar. Unë i garantoj të gjithë studentët, nëse duan të protestojnë, do ta kenë Policinë e Shtetit aty për të garantuar që protesta e tyre të organizohet dhe të vazhdojë siç e mendojnë ata. Por që të ketë grupe të organizuara për të dhunuar Policinë e Shtetit, për të dhunuar institucionet publike, për të dhunuar subjektet private, unë besoj që këtu ka ardhur momenti që gjithë shoqëria shqiptare duhet të ndërgjegjësohet dhe ne duhet të mbajmë një qëndrim kundër këtyre akteve të dhunës.