
Policia e Tiranës njoftoi të premten se ka arrestuar 56 persona, mes tyre 16 të mitur të moshave 15 deri në 17 vjeç, dhe ka nisur procedimin penal ndaj 97 personave të tjerë pas protestës antiqeveritare të së enjtes në kryeqytet.
Sipas njoftimit të policisë, gjatë tubimit disa pjesëmarrës hodhën gurë, sende të forta dhe mjete piroteknike në drejtim të punonjësve të policisë dhe godinave të institucioneve shtetërore.
Policia raportoi gjithashtu dëmtime të bizneseve, bankave, sinjalistikës rrugore dhe pronave të tjera publike e private, si dhe djegien e automjeteve policore.
Sipas autoriteteve, gjatë përplasjeve mbetën të lënduar 24 punonjës policie, të cilët morën ndihmë mjekësore. Njoftimi nuk përmban të dhëna mbi numrin e protestuesve të lënduar.
Mes personave të arrestuar janë 40 të rritur, kryesisht të rinj, si dhe 16 të mitur.
Arrestimet vijnë në ditën e katërt të protestave të studentëve dhe nxënësve kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të cilat janë përhapur edhe në qytete të tjera të vendit.
Protestat, gjatë të cilave është kërkuar dorëheqja e kryeministrit, janë shoqëruar me incidente të dhunshme dhe dëmtime të pronës, por edhe me pretendime për përdorim joproporcional të forcës nga policia ndaj protestuesve.






