Dy punonjës policie janë pezulluar menjëherë nga detyra pas publikimit të videove në rrjetet sociale, ku shfaqen duke tejkaluar kompetencat dhe parimin e proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në protestën e zhvilluar në Tiranë.

Vendimi është marrë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Krahas pezullimit, Hita ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale të nisë menjëherë hetimin disiplinor ndaj dy punonjësve të policisë.

Në reagimin zyrtar, Policia e Shtetit thekson se nuk do të tolerojë asnjë rast dhune apo tejkalimi të detyrës nga efektivët e saj.

Njoftimi i plotë 

Menjëherë pas publikimit të videove në rrjetet sociale, ku shfaqen dy punonjës policie në tejkalim të detyrës dhe të parimit të proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në tubimin e zhvilluar në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të dy punonjësve të Policisë, konkretisht:

Inspektor E. P. dhe inspektor T. Ç., me detyrë në Patrullën e Përgjithshme.

Njëkohësisht, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor për dy punonjësit e Policisë.

Policia e Shtetit garanton qytetarët se nuk do të tolerojë asnjë rast dhune apo tejkalimi të detyrës nga ana e punonjësve të Policisë.

Përgjegjësia është individuale, por veprime të tilla cenojnë rëndë imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve.


Lajmi kryesor:

Protestuesi sulmohet nga policia teksa rrinte në këmbë, pezullohen 2 efektivë! Demo: Forca të përdoret në mënyrë proporcionale! Mos përdorni fëmijët për akte dhune (VIDEO)