Aktualitet

VIDEO/ Skandali i radhës! Përleshje mes policisë dhe protestuesit, disa efektivë dhunojnë ashpër të riun te Piramida!

Përleshja mes policisë dhe protestuesve vijon edhe në ditën e katërt të protestës.

Në një video të siguruar nga Top Channel vihet re se si disa policë ndjekin një të ri me vrap. Teksa ai po vraponte rrëshqet dhe rrëzohet, ndërkohë efektivët gjuajnë me shkopa gome në drejtim të tij në grup.

Nga pamjet e kapura te Piramida, më pas shikohet se si i riu është pa ndjenja.

Gjatë ditës së sotme, në rrjetet sociale janë publikuar dhe kanë qarkulluar disa pamje tejet të rënda, ku shihen efektivë të Policisë duke tërhequr zvarrë një të ri protestues dhe duke e goditur atë me shkelma, ndërsa ndodhej i shtrirë përtokë.

Pamjet, që të kujtojnë rastin e videos së ditës së parë të protestës, ku një 19-vjeçari efektivët e Policisë i thyen këmbën gjatë tentativës për ta arrestuar dhe dhunës së ushtruar, janë bërë menjëherë virale, duke ngjallur reagime të ashpra.

Pas bërjes publike të rastit, janë pezulluar nga detyra dy efektivë të Komisariatit Nr. 3, me urdhër të Drejtorit të Policisë, i cili pranon dhunën në mënyrë joproporcionale ndaj protestuesve, ditën e sotme para Ministrisë së Arsimit.

Për rastin ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Ervin Demo, i cili, duke pranuar dhunën joproporcionale të ushtruar nga efektivët, ka përshëndetur vendimin për pezullimin e tyre nga detyra.
Reagimi i policisë së Shtetit:

Menjëherë pas publikimit të videove në rrjetet sociale, ku shfaqen dy punonjës policie në tejkalim të detyrës dhe të parimit të proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në tubimin e zhvilluar në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të dy punonjësve të Policisë, konkretisht:

Inspektor E. P. dhe inspektor T. Ç., me detyrë në Patrullën e Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë.

Njëkohësisht, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor për dy punonjësit e Policisë.

Policia e Shtetit garanton qytetarët se nuk do të tolerojë asnjë rast dhune apo tejkalimi të detyrës nga ana e punonjësve të Policisë.

Përgjegjësia është individuale, por veprime të tilla cenojnë rëndë imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve.