LSDM-ja opozitare ka kritikuar kryeministrin Hristijan Mickoski dhe shumicën qeverisëse, duke i akuzuar se po promovojnë partishmërinë dhe kërkojnë kontroll të plotë mbi gjyqësorin përmes përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Gjyqësor.
Të lidhura
None found
Në një konferencë për shtyp, Jon Frçkoski, anëtar i Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, deklaroi se autoritetet synojnë të vendosin nën kontroll gjyqësorin dhe prokurorinë, në mënyrë që t’i shmangen përgjegjësisë për krimin.
Frçkoski tha se prej dy vitesh Mickoski po çon përpara planin për të zgjedhur gjyqtarë të rinj “nga fletorja” dhe për të siguruar kontroll të plotë mbi gjyqësorin. Sipas tij, “banda” po kërkon t’i shmanget përgjegjësisë për krimin përmes një gjyqësori dhe prokurorie të kontrolluar.
LSDM-ja pretendon se kandidatët me më së shumti pikë për anëtarësim të ri në Këshillin Gjyqësor janë përkrahës të partisë dhe i plotësojnë kriteret e saj për këtë post të rëndësishëm në drejtësi.
Sipas opozitës, Emilija Aleksovska, kandidatja që mori më së shumti pikë nga OBRM-PDUKM, njihet për lavdërimet publike që i ka bërë kryeministrit në rrjetet sociale.
Frçkoski shtoi se, kur zgjedh personelin e tij për gjyqësorin, Mickoski duket se i vlerëson më shumë lavdërimet publike ndaj vetes në rrjetet sociale. /Telegrafi/







