Agjencia e lajmeve AFP i ka kushtuar një reportazh Qamile Marrës, 117-vjeçares nga Shqipëria, e cila mund të jetë gruaja më e moshuar në botë, nëse mosha e saj konfirmohet zyrtarisht. E lindur më 19 gusht 1909, ajo rezulton dy ditë më e madhe se britanikja Ethel Caterham, e cila aktualisht njihet nga Libri i Rekordeve Guinness si gruaja më e moshuar në jetë.
Qamile Marra jeton në fshatin Ferras, rreth 100 kilometra në jug të Tiranës, ku ka kaluar pothuajse të gjithë jetën. E rrethuar nga pemët frutore dhe kopshti i saj, ajo vazhdon të kujdeset për lulet, të ushqejë pulat dhe të shëtisë në oborr me të birin.
“Jeta është e bukur, si mali i Tomorrit në lulëzim”, i ka thënë ajo AFP-së, ndërsa për jetëgjatësinë e saj shprehet me thjeshtësi: “Njeriu jeton aq sa ia ka caktuar Zoti”.
Dokumentet që disponon familja e saj përfshijnë certifikatën e lindjes, të lëshuar në vitin 1945, pasaportën e vitit 1978 dhe kartën e identitetit të kohëve të fundit. Të gjitha paraqesin të njëjtën datëlindje. Të afërmit kanë kontaktuar edhe me Guinness World Records për të nisur procesin e verifikimit.
Megjithatë, konfirmimi i moshave mbi 110 vjeç kërkon shqyrtim të kujdesshëm të dokumentacionit historik. Për këtë arsye, pretendimi se Qamile Marra është gruaja më e moshuar në botë mbetet ende në pritje të verifikimit zyrtar.
Historia e saj ka edhe një episod të pazakontë. Sipas djalit të saj 80-vjeçar, Hysenit, autoritetet shqiptare ia ndërprenë pensionin kur ajo mbushi 100 vjeç, pasi nuk besonin se ishte ende gjallë. Familjarëve iu desh të paraqisnin prova dhe dëshmi për të rifilluar pagesat. Në fillim të këtij muaji, qeveria vendosi t’i akordojë një pension të posaçëm shtetëror për shkak të moshës së saj të jashtëzakonshme.
Pavarësisht viteve, Qamilja duket se ka ruajtur një rutinë të thjeshtë. Ajo zgjohet herët, pastron oborrin, ujit lulet dhe shijon kafen e saj. Gjatë shëtitjeve në pemëtore ndalet për të mbledhur shegë të pjekura, ndërsa mban edhe gjethe borziloku në xhepa për të shijuar aromën e tyre.
Sipas të birit, ajo gëzon shëndet të mirë dhe nuk ka marrë asnjëherë ilaçe. Ai thotë se nëna e tij nuk ka pasur nevojë as të vizitojë mjekun.
Qamile Marra ka rritur shtatë fëmijë dhe ka parë pesë breza të familjes së saj të rriten. Bashkëshorti i saj ndërroi jetë 36 vjet më parë, por ajo ende flet me buzëqeshje për martesën e tyre, e cila ishte e rregulluar nga familjet, por, siç thotë ajo, e mbushur me dashuri.
“Kur shoh njerëz që vijnë e shkojnë në shtëpi, jam shumë e lumtur”, rrëfen 117-vjeçarja, e cila ruan nga rinia vetëm një fotografi të vjetër, ku shfaqet me shami të bardhë, njësoj si ajo që mban edhe sot.
Nëse dokumentet e saj verifikohen nga organizatat ndërkombëtare, Qamile Marra mund të marrë titullin e gruas më të moshuar në botë. Për momentin, ajo duket se është më e interesuar të shijojë jetën e përditshme sesa të provojë rekordin e saj të jashtëzakonshëm.


