Autoritetet në Britaninë e Madhe kanë nisur një hetim pas dyshimeve se dy punonjës të Shërbimit të Ambulancës së Yorkshire kanë tentuar të hyjnë pa autorizim në të dhënat mjekësore të William Chapman, 24-vjeçarit që humbi jetën pas sulmit nga një tigër në Yorkshire Wildlife Park.
Shërbimi i Ambulancës së Yorkshire bëri të ditur se ka identifikuar dy raste të mundshme të aksesimit të dosjes mjekësore të të riut, pa një arsye të ligjshme. Institucioni theksoi se mbrojtja e të dhënave personale dhe konfidencialiteti i pacientëve janë thelbësore, ndërsa çështja është raportuar pranë Zyrës së Komisionerit për Informacionin.
Familja e 24-vjeçarit është informuar për dyshimet dhe do të njoftohet për ecurinë e hetimit. Deri më tani, nuk është përcaktuar nëse punonjësit kanë shkelur rregullat për ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave mjekësore.
William Chapman ndërroi jetë të shtunën, pasi kapërceu dy barriera dhe hyri në zonën ku mbaheshin tigrat në parkun e kafshëve të egra, pranë Doncaster. Ai pësoi dëmtime të shumta traumatike gjatë sulmit, të cilat i shkaktuan vdekjen.
Pas ngjarjes, punonjësit e parkut neutralizuan kafshën, ndërsa ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje dhe konfirmuan vdekjen e të riut.
Sipas raportimit, Chapman kishte probleme të shëndetit mendor dhe ishte diagnostikuar me skizofreni. Hetimi për rastin vijon, si për rrethanat e vdekjes së tij, ashtu edhe për dyshimet lidhur me aksesimin e të dhënave mjekësore.


