Dita e katërt e revoltës studentore u shoqërua me skena të rënda dhune nga narkopolicia, përdorim të gazit lotsjellës, ujit me presion dhe arrestime të dhunshme. Pamjet e publikuara tregojnë të rinj të gjakosur në kokë, protestues të goditur nga efektivët dhe vajza që janë përballur me dhunën policore. Në vend të garantimit të sigurisë, ndërhyrjet me forcë kanë sjellë të lënduar dhe skena tronditëse në rrugët e kryeqytetit.
Një nga rastet më të rënda është ai i Muhamet Skanës, i cili, sipas gazetares Denada Jushi, ndodhet në Spitalin e Traumës, i vetëdijshëm, por me krisje në vertebra dhe humbje kujtese. Pamjet tregojnë momentin kur një efektiv e godet të riun, i cili rrëzohet me kokë në asfalt.
Dhuna është shtrirë edhe ndaj të miturve. Në Tiranë, mes gazit lotsjellës dhe ujit me presion u pa edhe një fëmijë që mezi qëndronte në këmbë. Ndërkohë, një tjetër i ri u filmua me plagë në kokë, ndërsa protestuesit i lidhën plagën dhe kërkuan ambulancën.
Gazi lotsjellës dhe ndërhyrjet e policisë prekën edhe median, pasi makina Syri-t u qëllua me gaz gjatë protestës. Ndërkohë, arrestime dhe shoqërime u raportuan edhe në qytete të tjera, përfshirë Vlorën, ku studentë u morën nga banesat dhe u dërguan në komisariat.
Pavarësisht dhunës brutale, gazit lotsjellës dhe arrestimeve të dhunshme nga narkopolicia e Ramës, studentët dhe të rinjtë nuk u dorëzuan. Ata vijuan protestën dhe thirrjet kundër qeverisë, duke e mbyllur ditën e katërt të revoltës me vendosmërinë për të mos u tërhequr.
Protesta do të vijojë edhe nesër, ndërsa studentët dhe të rinjtë paralajmërojnë se do të vazhdojnë të kërkojnë llogari nga qeveria.
© SYRI.net