Fiks Fare bisedoi ekskluzivisht me 24 vjeçarin Klevi Metaj, i cili u përball me 6 punonjës policie gjatë protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit.
Me pranga në duar nga shtrati i Spitalit të Traumës, Klevi tregoi se policët e pikasën dhe e ndoqën për disa minuta, duke e qëlluar vazhdimisht.
Megjithëse Gjykata e Tiranës vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest shtëpie”, Klevi vijon të mbahet në spital, madje në dhomë i qëndrojnë 2 punonjës të Policisë së Shtetit.
Ai tha se, aktualisht nuk ka asnjë dëme të mëdha fizike, teksa tregoi me detaje të gjithë episodin.
Studenti u shpreh se reagimi i tij, i fiksuar me video dhe bërë meme në rrjete sociale ka ardhur për shkak të provokimeve të vazhdueshme të policisë, që qëllonte me çfarë të mundte.
Isha larg në fillim dhe po mbështesja njerëzit. Ndërhynë ata me gurë, me lotsjellës e kështu. U shpërhapën njerëzit. Shikoj unë rreth e rrotull meje, ata që kishin ngelur kishin hapur krahun.
Dhe kur erdhi polici me skafandër e kështu, shikoj kisha ngelur vetëm unë aty. Ua vesha me gurë, me të tëra unë. Se u acarova që më hodhën atë lotsjellësin.
Piketo njërin ata…
Po ikja unë, isha për të ikur te sheshi, më piketon njëri mua nga këta, më vjen e më gjuan nga këmbët me shkop.
Mos gjuaj i them unë, mos më gjuaj mua i them. Vazhdova të ikja.
Ai më keq pastaj, më gjuan në kurriz pastaj. U acarova, ua vesha një, me mjete rrethanore. Edhe ata kanë ikur nga puna, bashkë me shefin. Unë këtu.
I riu tha se duhet zgjidhje konkrete, teksa hodhi dyshime për përfshirjen e politikës në protestë.
Gazetarëve të Fiksit, Klevi iu tregoi edhe dokumentet e dosjes së Prokurorisë Tiranë. Janë një mori akuzash:
Shkatërrim prone, goditje për shkak të detyrës, prishja e qetësisë publike, organizimi dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme. As kriminelët më të mëdhenj nuk i kanë këto akuza.
Akuzat vijojnë:
Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta.
Në fund, pas bashkëbisedimit, policët që i qëndrojnë në dhomë i thonë se rrezikon 5 vite burg.