26 persona kanë marrë ndihmë mjekësore në spitalet e Tiranës, Vlorës dhe Lezhës pas protestës së zhvilluar më 16 tetor 2026. Mes të lënduarve kishte efektivë policie, protestues dhe kalimtarë, ndërsa tre prej tyre ishin të mitur.
Sipas informacionit zyrtar, 21 persona janë paraqitur në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë. Prej tyre, 8 ishin efektivë policie, 10 protestues, mes të cilëve 3 të mitur, dhe 3 kalimtarë.
Aktualisht, dy persona vijojnë të marrin trajtim në këtë spital. Njëri është një kalimtar, gjendja shëndetësore e të cilit paraqitet stabël, ndërsa tjetri është një protestues 21-vjeçar, i cili po trajtohet dhe monitorohet nga ekipi i neurokirurgjisë.
Sipas të dhënave zyrtare, për 21-vjeçarin nuk ka aktualisht indikacion për ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk rezulton rrezik për paralizë.
Personat e tjerë të trajtuar në Spitalin e Traumës kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë larguar me këshillën e mjekut, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, në Spitalin Rajonal të Vlorës kanë marrë trajtim një efektiv policie dhe dy të mitur, të cilët janë larguar pas marrjes së ndihmës mjekësore.
Në Spitalin Rajonal të Lezhës është trajtuar gjithashtu një e mitur, e cila është larguar pasi ka marrë trajtimin e nevojshëm.
Sipas informacionit të bërë publik, pjesa më e madhe e të lënduarve e kanë marrë ndihmën mjekësore dhe janë larguar nga spitalet, ndërsa dy persona vijojnë të jenë nën kujdesin e mjekëve në Tiranë.


