Turizmi ndryshon shportën e konsumit, por nuk e zëvendëson emigracionin. Makaronat dhe orizi janë produktet me peshën më të lartë të konsumit te shporta ushqimore. Por ardhja e turistëve ka rritur kërkesën edhe për produkte të gatshme, snack-e, pije freskuese dhe alkoolike. Emigracioni dhe rritja e çmimeve vijojnë të ndikojnë te pakësimi i kërkesës nga konsumatori vendas, ndërsa efekti i turizmit mbetet sezonal.
Dorina Azo
Këtë vit ardhja e turistëve të huaj ka ndryshuar peshën e konsumit për produktet e shportës ushqimore. Makaronat dhe orizi zunë peshën kryesore të konsumit te produktet e shportës për vendasit (përfshirë edhe produktet e freskëta sezonale të bulmetit dhe mishit), sipas drejtuesve të supermarketeve dhe distributorëve për rrjetin retail.
Por ardhja e turistëve gjithashtu pasuroi tendencën për më tepër konsum për produkte të gatshme, snack-eve (ushqimit të shpejtë), pijeve freskuese dhe alkoolike.
Sipas të dhënave të Doganave, për muajt janar-gusht 2026, produktet e makaronave dhe orizit kanë pasur sasinë më të lartë të importeve për gati një dekadë.

Konkretisht për periudhën janar-gusht 2026 u importua një sasi prej rreth 14 milionë kg makarona. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, sasia e importit u rrit me 7%. Importet e periudhës shënuan rritje edhe në vlerë me 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të mëparshme.
Të dhënat për periudhën 2018–2026 tregojnë se sasia e makaronave të importuara gjatë janar–gushtit 2026 është ndër nivelet më të larta të regjistruara për 9 vitet e fundit. Në raport me vitin 2018, importet e makaronave janë rritur me rreth 5%.

Për periudhën janar–gusht 2026, sipas të dhënave të Doganave, në Shqipëri u importuan rreth 15.4 milionë kg oriz, me rritje prej 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Importet e orizit shënuan rënie në vlerë, me rreth 5% më pak krahasuar me janar–gushtin 2025.
Mbi 7 milionë të huaj në Shqipëri, turistët sjellin tjetër shportë ushqimore
Në Shqipëri, për muajt janar-korrik kanë hyrë 7 milionë shtetas të huaj, sipas të dhënave për lëvizjen e shtetasve të publikuara nga INSTAT. Në raport me të njëjtën periudhë, numri i shtetasve të huaj që hynë në vend, u rrit me 6.4%.
Nga të dhënat, rezulton se në muajin korrik 2026 është regjistruar numri më i lartë i shtetasve të huaj që hynë në Shqipëri në dekadën e fundit. Konkretisht në korrik 2026 në vend hynë 1.9 milionë shtetas të huaj, nga 1.8 milionë që ishte numri i tyre në korrik 2025. Lëvizja e të huajve u rrit me 7.1%.
Por ardhja e turistëve ndryshoi edhe peshën e konsumit për produktet e shportës ushqimore, duke e pasuruar me më tepër kërkesë për ushqim të paketuar dhe të gatshëm, snack, pije freskuese dhe alkoolike.
Drejtues të supermarketeve dhe distributorëve të ushqimeve njëherazi vërejnë se konsumi i turistëve ndryshon ndjeshëm nga i familjeve shqiptare. Sipas tyre, turistët kanë tendencë të blejnë më shumë produkte të gatshme dhe pije, ndryshe nga vendasit, që peshën kryesore të kërkesës e kanë produktet bazë ushqimore.
Era Xhabafti, zv.drejtoreshë e përgjithshme e kompanisë “MiniInvest Albania”, distributor dhe operator retail për produkte ushqimore, pohoi për “Monitor” se gjatë sezonit të verës, kërkesa për produkte të shportës ushqimore u përqendrua kryesisht te makaronat, lëngjet dhe produktet e freskëta.

“Gjatë sezonit të verës, produktet më të shitura në portofolin tonë kanë qenë kryesisht makaronat, lëngjet dhe produktet e freskëta, të cilat regjistrojnë kërkesë më të lartë si rezultat i rritjes së temperaturave dhe konsumit sezonal.
Ndërsa kërkesa nga turistët është kryesisht e përqendruar te pijet freskuese dhe pijet alkoolike. Rritje të kërkesës ka edhe për produktet e shportës ushqimore, përfshirë makaronat, orizin, snack-et, produkte të gatshme dhe produkte të tjera të përditshmërisë”, thekson znj. Xhabafti.
E njëjta tendencë konfirmohet edhe nga Klaudja Karabolli, drejtoreshë marketingu e rrjetit të supermarketeve “Big Market”.
“Gjatë vitit 2026 kemi konstatuar konsum të qëndrueshëm të produkteve bazë të shportës, por me një ndryshim gjithnjë e më të dukshëm në mënyrën se si konsumatori ndërton shportën e tij.
Kategoritë si orizi, makaronat, vaji i lulediellit, sheqeri dhe mielli mbeten produkte me ndjeshmëri të lartë ndaj çmimit dhe aktiviteteve promocionale, ndërsa te bulmeti, vezët, mishi i pulës dhe sallamet, kriteret e freskisë, cilësisë, origjinës dhe raportit çmim–cilësi po marrin peshë më të madhe në vendimmarrje”, pohon ajo.
Sipas znj. Karabolli, turistët kanë një shportë të ndryshme nga konsumatori vendas, me më shumë peshë për pijet, ujin, produktet e freskëta, ushqimet e lehta, artikujt për mëngjes dhe produktet lokale.
“Po, shporta e turistit ka karakteristika të ndryshme nga shporta tradicionale familjare.
Në përgjithësi, turistët orientohen më shumë drejt produkteve të konsumit të menjëhershëm, ujit dhe pijeve, produkteve të freskëta, snack-eve, artikujve për mëngjes, fruta-perimeve, produkteve lokale dhe formateve të përshtatshme për qëndrime të shkurtra.
Konsumatori vendas, ndërkohë, ka një shportë më të planifikuar dhe më të gjerë, me peshë më të madhe të produkteve bazë dhe blerjeve familjare”.
Me përfundimin e sezonit turistik, tendenca i rikthehet konsumit të produkteve elementare të shportës ushqimore.
“Në fillim të shtatorit, shporta rikthehet gradualisht drejt konsumit familjar dhe rutinës së përditshme. Për ne, treguesi më i rëndësishëm nuk është vetëm volumi, por evoluimi i “product mix” dhe aftësia për të përshtatur ofertën sipas zonës, sezonit dhe profilit të klientit”, thekson Klaudja Karabolli.
Për konsumin e produkteve të gatshme, ndër më të kërkuarat nga turistët e huaj, me largimin e tyre kërkesa po zëvendësohet nga kërkesa e fëmijëve për ushqim të gatshëm që merret në shkollë.
“Me fillimin e muajit shtator, tendenca ndryshon ndjeshëm, e ndikuar veçanërisht nga nisja e shkollës (“back to school”). Në këtë periudhë është rritur kërkesa për produktet për fëmijë, veçanërisht ato që konsumohen gjatë orarit të shkollës, si snack-et, lëngjet dhe produktet e paketuara në formate praktike.
Po ashtu, vihet re kërkesë për kategori të tjera produktesh që prindërit zgjedhin si vakte të ndërmjetme për fëmijët”, pohon znj. Era Xhabafti nga kompania “MiniInvest Albania”.

Rriten importet e drithërave dhe të sheqerit
Rritje janë shënuar edhe tek importet e drithërave. Sipas të dhënave të Doganave, për muajt janar-gusht, u importuan rreth 131 mijë tonë grurë. Krahasuar me janar-gusht 2025, importet u rritën me 5%.
Shoqata e Përpunuesve të Miellit ka ngritur shqetësimin e rënies së konsumit për produktet me përbërje brumi për shkak të ndryshimeve demografike, të cilat nuk arrijnë të përmirësojnë kërkesën pavarësisht ardhjes të turistëve.
Gjithashtu anëtarë të shoqatës dhe përpunues të miellit kanë shpjeguar më herët se gjatë periudhës së verës importet e grurit rriten me qëllim që fabrikat e blojës të krijojnë rezervat e periudhës dimër-pranverë, pasi me korrjet e reja nuk mund të parashikohet se sa mund të arrijë çmimi i grurit.

Rritja ka vijuar edhe për importet e misrit. Sipas të dhënave të Doganave, në muajt janar–gusht u importua një sasi prej 89 mijë tonësh misër. Kjo është sasia më e lartë e importeve në dekadën e fundit. Importet e misrit u rritën me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Për të dytin vit radhazi, sasia e importeve të misrit vazhdon të mbetet e lartë, pasi në vend përdorimi i misrit të importuar lidhet më tepër me ushqimin për blegtorinë sesa me konsumin e drejtpërdrejtë.
Blegtorët kanë sqaruar disa herë se, për shkak të çmimit më të leverdishëm të importit, për ta është më ekonomik të blejnë misër për kafshët nga jashtë sesa të përdorin prodhimin vendas.
Rritje ka pasur edhe për importet e sheqerit. Në muajt janar-gusht sipas të dhënave të doganave, u importua një sasi prej rreth 38 mijë ton sheqer. Krahasuar me të njëjtën periudhë të mëparshme, importet u rritën me 4%.

Bien importet për grupin e vajrave, Importuesit: Konsumatori i orientuar drejt markave të lira
Importet për produktet e grupit “vajra dhe dhjamëra kafshore, vegjetale” kanë shënuar rënie gjatë shtatë muajve të parë të vitit. Sipas të dhënave të INSTAT, në periudhën janar-korrik u importuan rreth 22.3 milionë kg produkte të këtij grupi, me rënie prej 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në tregun e vajit të lulediellit, importuesit vërejnë se konsumatori vijon ta përdorë këtë produkt, por është orientuar gjithnjë e më shumë drejt markave më të lira, si pasojë e presionit mbi fuqinë blerëse.
Sipas importuesve, rritja këtë vit e çmimeve ndikuar nga shtrenjtimi i naftës pas nisjes së luftës në Lindjen e Mesme dhe ndryshimet demografike të popullsisë, mbeten faktorët kryesorë që ndikon te zgjedhja e konsumatorit.
Sipas tyre veçanërisht tkurrja e konsumatorit aktiv të familjeve të reja, ka ndikuar te rënia e kërkesës.
“Gjatë periudhës qershor-shtator, kërkesa për vaj luledielli paraqitet relativisht e pandryshuar krahasuar me një vit më parë. Krahasuar me 5 vite më parë, konsumi ka rënë nga 10 deri në 12%.
Emigracioni dhe largimi i popullatës në moshë të re aktive, që zë peshën kryesore për konsumin e produkteve të shportës ushqimore, është faktori kryesor që ka ndikuar në rënien e konsumit ndër vite. Teksa rritja e çmimit të vajit të lulediellit ka ndryshuar te rënia e fuqisë blerëse vendase.
Çmimi i vajit të lulediellit gjatë këtij viti është luhatur kryesisht në intervalin 170–190 lekë për litër, nga rreth 170–180 lekë për litër që u tregtua vitin e kaluar. Rritja e çmimit është ndikuar nga shtrenjtimi i kostove të transportit pas ndryshimeve të çmimit të naftës.
Përballë këtyre kostove, konsumatori po tenton të amortizojë efektin përmes zgjedhjes së markave ekonomike, ndërsa nga industria është rritur përdorimi i vajit të palmës”, pohoi për “Monitor” një nga importuesit e vajit të lulediellit.

Konsumatori shkon drejt detergjentëve më të lirë
Sasia e importeve të grupit “sapun dhe preparate larëse” për muajt janar-korrik 2026 u rrit me 2.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2025-s. Kjo është sasia më e lartë e importeve për periudhën 7-mujore të 8 viteve të fundit.
Por prodhuesit e detergjentëve në vend pohuan se konsumatori po kërkon më shumë alternativa ekonomike dhe po tregohet më i kujdesshëm në zgjedhjen e produkteve.
Një nga format e kursimit është edhe zgjedhja e paketimeve më të vogla ose e produkteve me raport më të favorshëm çmim-sasi. Për shembull, në kategorinë e detergjentëve vihet re kalimi drejt paketimeve të tilla si 1.3 kg, me rreth 22 larje, në vend të paketimeve më të mëdha në sasinë e 1.5 kg.
Operatorët theksojnë edhe faktorë demografikë, si emigracioni dhe plakja e popullsisë, të cilët ndikojnë në tkurrjen e konsumatorit aktiv dhe, për rrjedhojë, në konsumin e disa kategorive të produkteve.
Për këtë industri, zgjerimi drejt tregjeve të huaja po shihet gjithnjë e më shumë si një mundësi për të kompensuar kufizimet e tregut vendas.
Rreth tre të katërtat e aktivitetit lidhen me përpunimin, ndërsa kompanitë po kërkojnë të zgjerojnë eksportet, fillimisht drejt tregjeve të afërta, përfshirë Kosovën dhe Ukrainën, ku hapësirat për produkte të importuara dhe të përpunuara paraqiten më të mëdha.
Në këtë drejtim, operatorët vlerësojnë se nevojiten politika që mbështesin prodhimin dhe eksportin, por edhe instrumente të tilla si subvencionet për magazinimin dhe marketingun.

Turizmi nuk sjell të njëjtin efekt për prodhimin vendas
Turisti i huaj në Shqipëri nuk është thjesht një vizitor, por konsumator shtesë që po krijon kërkesë të re për ushqime, ndryshe nga kërkesa e vendasve, duke konsumuar më tepër pije, ushqim të gatshme të paketuar që shitet në supermarkete dhe produkte të freskëta.
Por turistët e huaj priren të konsumojnë më tepër produkte të markave të huaja, sesa prodhimin vendas. Tendenca po ndikon në rritjen e shitjeve të sektorit retail, por nga ana tjetër po dëmton kërkesën për prodhime vendase.
“Turizmi po i jep një shtysë të konsiderueshme shitjeve në shumë kategori dhe marka ushqimore. Ndikimi më i dukshëm është te markat ndërkombëtare, liderë në treg. Turistët priren të konsumojnë më shumë marka ushqimore të njohura në vendet e tyre të origjinës”, nënvizon Era Xhabafti, drejtuese e distributorit të ushqimeve “MiniInvest Albania”.
Ndikimi i turizmit nuk është i njëjtë për të gjitha kategoritë e produkteve. Prodhuesit e pijeve freskuese të markave ndërkombëtare, përfshirë “Pepsi”, pohojnë se kërkesa ka mbetur e ngjashme me një vit më parë dhe se turizmi nuk ka arritur të sjellë rritje të ndjeshme të kërkesës për pijet freskuese.
Ndërkohë, edhe në segmentin e mikrobirrarive artizanale, operatorët evidentojnë ndikimin e sezonit turistik dhe ndryshimet në kërkesën për produkte lokale.
Sokol Nasi, nënkryetar i Shoqatës së Mikrobirrarive Artizanale, tha se krahasuar me një vit më parë, kërkesa për birrën artizanale ka shënuar rënie deri në 50%. Sipas tij, arsyet kryesore lidhen me rënien e fuqisë blerëse të konsumatorit vendas, si pasojë e rritjes së kostove të jetesës, ndërsa turistët, sipas tij, parapëlqejnë të konsumojnë në strukturat akomoduese dhe të zgjedhin marka të huaja.
Në tregun vendas, çmimet e birrës artizanale variojnë nga 250 deri në 300 lekë për gotë, ndërsa në disa struktura, çmimi arrin në 500–600 lekë për gotë.
Z.Nasi thekson se birra artizanale nuk është më e shtrenjtë se birra e huaj, por prodhuesit vendas përballen me disavantazhe që lidhen me ekonominë e shkallës, investimet në marketing dhe fuqinë e markave të konsoliduara ndërkombëtare.
Për këtë arsye, prodhuesit e vegjël përsërisin kërkesën për rishikimin e nivelit të akcizës për këtë kategori të prodhimit artizanal në vend, si dhe për rritjen e fushatave promovuese nga institucionet shtetërore, me synim nxitjen e konsumit të produkteve “Made in Albania”.
Turizmi nuk e zëvendëson emigracionin, kompanitë kërkojnë strategji të reja për zgjatje të sezonit
Megjithëse turizmi po krijon flukse shtesë konsumi, operatorët e tregut vlerësojnë se ai nuk mund të kompensojë plotësisht ndikimin e emigracionit.
Për këtë arsye, zgjatja e sezonit turistik shihet si një nga sfidat kryesore për ekonominë dhe sektorin retail. Era Xhabafti nga kompania MiniInvest Albania pohon se një sezon më i gjatë do të sillte jo vetëm më shumë turistë, por edhe kërkesë më të qëndrueshme për akomodimin, tregtinë, ushqimet dhe sektorët e tjerë të lidhur me turizmin.
Zonja Xhabafti pohon se qeveria në bashkëpunim me grupet e interesit përfshirë operatorët nevojiten të bashkëpunojnë për hartimin e strategjive të reja.
“Mendoj se turizmi vijon të mbetet një faktor sezonal dhe ndikimi i tij në konsum është i përqendruar në një periudhë relativisht të shkurtër të vitit, veçanërisht gjatë muajve të verës, kur rritja e kërkesës është e dukshme.
Pas përfundimit të sezonit, efekti bie ndjeshëm dhe kjo mbetet një nga sfidat kryesore për sektorin. Qeveria, në bashkëpunim me grupet e interesit, duhet të nxisë përmes politikave zgjatjen e sezonit turistik, çka do të ndikonte në rritjen e kërkesës dhe qëndrueshmërinë e saj gjatë pjesës tjetër të vitit.
Shqipëria ka potencial për të tërhequr turistë edhe përtej periudhës së verës, duke krijuar efekte zinxhir në sektorin e akomodimit, retail-it dhe sektorë të tjerë të ekonomisë”, thotë ajo.
Sipas Klaudja Karabollit të “Big Market”, turizmi dhe emigracioni kanë efekte të ndryshme në konsum. Emigracioni redukton bazën e konsumatorëve rezidentë, ndërsa turistët sjellin fluks të ri konsumi, duke krijuar mundësi të rëndësishme për retail-in. Sfida është që ky fluks të kthehet në kërkesë të qëndrueshme.
“Turizmi vazhdon të ketë komponentë të fortë sezonal, por ne po shohim një zgjatje të periudhës së aktivitetit turistik dhe kjo është shumë e rëndësishme për retail-in. Tirana ka dinamikë më pak sezonale, ndërsa edhe destinacionet bregdetare po përfitojnë gradualisht nga një sezon më i gjatë.
Turizmi dhe emigracioni janë dy fenomene me efekte të ndryshme mbi konsumin dhe nuk do të ishte e saktë të konsideronim se njëri e zëvendëson automatikisht tjetrin. Emigracioni ndikon në bazën e konsumatorit rezident dhe në konsumin e qëndrueshëm gjatë vitit, ndërsa turizmi krijon flukse shtesë që kanë intensitet, gjeografi dhe strukturë të ndryshme të shportës.
Megjithatë, rritja e turizmit është një mundësi e rëndësishme për sektorin e retail-it. Sfida është që këtë fluks ta kthejmë në kërkesë të qëndrueshme dhe në investime të mirëpozicionuara”, pohon ajo.
Turistët “low cost”, shtojnë shitjet në retail
Shumica e turistëve që vijnë në vend janë të kategorisë “low cost”, e cila reflektohet më së miri në mënyrën sesi shpenzojnë për ushqim.
Shumë prej tyre kanë zgjedhur të mos i konsumojnë të gjitha vaktet në restorant apo në hotel, por të blejnë ushqime të gatshme, por edhe të freskëta në supermarkete dhe t’i konsumojnë në apartamentet ku janë akomoduar.
Por kjo tendencë e sjelljes konsumatore të turistit të huaj, po i jep shtysë të konsiderueshme shitjeve në rrjetin retail.
“Një tendencë që vëmë re në rritje është se konsumi i turistëve është i orientuar edhe drejt produkteve që konsumohen në shtëpi apo në strukturat akomoduese dhe jo vetëm në restorante.
Kjo reflektohet në rritjen e kërkesës për produkte ushqimore dhe pije në sektorin retail”, pohon Era Xhabafti, drejtuese në distributorin e produkteve ushqimore “MiniInvest Albania”.
Për rrjedhojë, sipas saj, gjatë sezonit turistik, rritja më e lartë e shitjeve është në segmentin e retail-it, e ndikuar nga mënyra e konsumit të turistëve.
“Turistët nuk konsumojnë vetëm në restorante dhe në sektorin HORECA, por blejnë edhe në retail për konsum në apartamente, vila apo struktura të tjera akomoduese, si ‘Airbnb’.
Për rrjedhojë, në dyqanet pranë zonave bregdetare është vënë re rritje e kërkesës për produkte të gatshme, pije dhe snack-e, produkte bazë të shportës ushqimore, si dhe produkte të freskëta”.
Sipas kësaj tendence, turizmi po krijon një kanal të dytë konsumi përtej HORECA-s, duke e bërë retail-in një përfitues të drejtpërdrejtë të fluksit të turistëve. Megjithatë, kërkesa e krijuar nga turistët e huaj mbetet e lidhur ngushtë me sezonin turistik dhe me kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre në vend.
Në këtë kontekst, znj. Xhabafti thekson se politikat për zgjatjen e sezonit turistik, duhen të shihen më me përparësi prej institucioneve shtetërore në bashkëpunim dhe me kompanitë, pasi turizmi është një mundësi për ta kthyer këtë kërkesë në trend më të qëndrueshëm gjatë vitit./Monitor
© SYRI.net