U përplas në asfalt nga efektivët e Policisë gjatë protestës, 21-vjeçari ka pësuar krisje të shtyllës kurrizore

21-vjeçari, i cili u përplas në asfalt nga efektivët e Policisë gjatë protestës së një dite më parë, ka pësuar krisje të shtyllës kurrizore. I riu vijon të marrë trajtim mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës, ku po mbahet nën monitorimin e ekipit të neurokirurgjisë.
Sipas informacionit të bërë publik mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës së 16 tetorit, 21-vjeçari është një prej dy personave që vijojnë të marrin shërbim mjekësor. Sipas mjekëve, fatmirësisht i riu nuk rrezikon për paralizë.
I riu u lëndua gjatë protestës, kur u përplas në asfalt nga efektivët e Policisë. Pas incidentit, ai u transportua në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Në Spitalin Universitar të Traumës, gjatë ditës së djeshme, morën trajtim mjekësor gjithsej 21 persona të lënduar gjatë protestës, mes tyre 8 efektivë policie, 10 protestues dhe 3 kalimtarë. Përveç 21-vjeçarit, vijon të marrë shërbim mjekësor edhe një kalimtar, gjendja e të cilit paraqitet e qëndrueshme.
Ndërkohë, personat e tjerë të lënduar janë larguar nga spitali pas marrjes së trajtimit të nevojshëm, me këshillën e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.




